Me lёmoshёt e Shën Pjetrit, janë financuar projekte prej 10 milion eurosh
R.SH. – Vatikan
“Kisha jemi të gjithë ne! Të gjithë ata, që ndjekin Zotin Jezus dhe që, në emrin e tij, u afrohen të fundmëve dhe të vuajturve, duke u përpjekur t’u japin pak lehtësim, ngushëllim dhe paqe”. Fraza e Papës Françesku, marrë nga audienca e përgjithshme e 29 tetorit 2014, vulos pesë faqet e shifrave, që përbëjnë buxhetin e vitit 2021 të Obolit apo Lëmoshëve të Shën Pjetrit.
Është fjala për mbledhjen tradicionale të fondeve për të mbështetur veprimtarinë e Papës dhe të strukturave të misionit të tij apostolik në favor të më nevojtarëve të planetit. Si zakonisht, në fund të qershorit bëhet i njohur bilanci i shumave të grumbulluara nga bujaria e besimtarëve individualë, e dioqezave dhe e organizmave të ndryshme bamirëse.
Kuadri i përgjithshëm i vitit 2021
E pikërisht sot, njoftohet se vitin e kaluar (2021), nga e gjithë bota kanë ardhur në Vatikan, për Obolin e Shën Pjetrit, rreth 47 milion euro (saktësisht, 46,9 milion euro), por shpenzimet kanë qenë më të mëdha. Ati i Shenjtë ka destinuar për nevojtarët e 67 shteteve të botës një shumë prej 65,3 milion euro. Shuma e mbledhur është më e madhe se ajo e një viti më parë, megjithëse, që nga viti 2015 e deri në vitin 2020, lëmoshët janë ulur me 23%, ndërsa në vitin 2020 janë ulur edhe me 18% të tjera, për shkak të pandemisë.