Kërko

 Commissione dialogo teologico Chiesa cattolica e ortodossa in audienza dal Papa ( archivio) 2019.02.01 Commissione dialogo teologico Chiesa cattolica e ortodossa in audienza dal Papa ( archivio) 2019.02.01

Papa: Kisha është karvan vëllezërish për rrugë drejt bashkimit

Festa e afërme e Rrëshajëve na kujton se uniteti është dhuratë, harmoni, udhë, mision: Papa e pohoi këtë, duke pritur sot, në Vatikan, rreth njëzet priftërinj dhe murgjër të rinj nga kishat ortodokse lindore të traditave të ndryshme: faleminderit - u tha - për farat e dashurisë dhe të shpresës, që përhapni në zona të ndryshme ende të prekura nga dhuna dhe konfliktet, e shumë shpesh të harruara

R.SH. . Vatikan

Papa Françesku priti sot në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, duke i uruar ngrohtësisht mirëseardhjen, grupin e vogël të priftërinjve dhe murgjërve të rinj nga të gjitha kishat ortodokse lindore, ardhur në Romë nga Egjipti, Armenia, Libani, Siria, India, Etiopia dhe Eritrea. “Është bukur - vërejti - që erdhet për vizitë në prag të solemnitetit të Rrëshajëve”, i cili do të kremtohet të dielën e ardhshme sipas kalendarit latin. E në vijim u ofroi katër ide të shkurtra, të frymëzuara nga kjo festë, të cilat kanë të bëjnë me “Unitetin e plotë, të dëshiruar me gjithë zemër”.

Uniteti është hir

Së pari Françesku kujtoi se uniteti është dhuratë “që vjen nga lart”. Natyrisht - kujtoi - është e nevojshme të lutemi dhe të punojmë, që të mund ta presim:

“Megjithatë, arritja e unitetit nuk është kryesisht fryt i tokës, por i Qiellit; nuk është mbi të gjitha rezultat i angazhimit tonë, i përpjekjeve tona dhe i marrëveshjeve tona, por i veprimit të Shpirtit Shenjt, të cilit duhet t’ia hapim zemrat tona me besim, që të na prijë në shtigjet e bashkimit të plotë”.

 Jo uniformitet, por harmoni

Uniteti është harmoni dhe këtë e dëshmoi edhe delegacioni panortodoks i pranishëm në takim. Ndaj Papa shpjegoi:

“Uniteti nuk është uniformitet, nuk është as rezultat i kompromiseve apo ekuilibrave të brishta diplomatike. Uniteti është harmoni në shumëllojshmërinë e karizmave të ngjallura nga Shpirti Shenjt. Sepse Shpirtit të Zotit i pëlqen të zgjojë shumëfishim, ashtu dhe unitet, si në Rrëshajë, ku gjuhët e ndryshme nuk u reduktuan në një, por u asimiluan në shumicën e tyre”.

Uniteti rritet në ndarjen e përbashkët

Rrëshajët na mësojnë edhe se uniteti është udhë. Ajo nuk bëhet duke u ulur në tryezë, por në lëvizjen që nxit tek besimtarët  Shpirti Shenjt:

“Bëhet gjatë rrugës: rritet në ndarjen e përbashkët, hap pas hapi, e në vullnetin e përbashkët për të mirëpritur gëzimet dhe vështirësitë e udhëtimit, në të papriturat, që lindin gjatë këtij rrugëtimi”.

Në lidhje me këtë, Françesku citoi një shprehje të Shën Ireneut,  shpallur së fundmi Doktor i Unitetit, i cili thotë se Kisha është “karvan vëllezërish”: karvan, ku uniteti “rritet dhe fiton pjekurinë (...) përmes ndarjes durimtare dhe këmbëngulëse të një udhëtimi të bërë së bashku”.

Horizonti është shpallja e Ungjillit së bashku

Mendimi i fundit i Papës Françesku ishte lidhja ndërmjet unitetit dhe kumtimit të Krishtit. “Uniteti është për mision”. Jezusi u lut që “të gjithë të jenë një ... që bota të besojë”. Kisha në Rrëshajë lindi misionare e edhe sot - vijoi Françesku - “pret ta njohë Ungjillin” që ne duhet “t’ia dëshmojmë njëri-tjetrit, jo kundër njëri-tjetrit ose larg njëri-tjetrit”.

Në këtë drejtim - vijoi - ju jam mirënjohës për dëshminë e përbashkët të dhënë nga Kishat tuaja, e në mënyrë të veçantë atyre - dhe ka shumë - që e vulosën me gjak besimin në Krishtin:

“Faleminderit për të gjitha farat e dashurisë dhe të shpresës, të shpërndara, në emër të Krishtit të Ngjallur, në rajone të ndryshme të prekura ende, për fat të keq, nga dhuna dhe konfliktet shumë shpesh të harruara”.

Këtë theksoi Papa  dhe, së fundi, kujtoi se Kryqi i Krishtit është “busulla, që na udhëheq në rrugën drejt unitetit të plotë”.  

Takimi përfundoi me një “Atynë”, thënë së bashku, secili në gjuhën e vet!  

03 qershor 2022, 17:13