Kërko

Papa: Zotit i pëlqen më shumë lutja zemrake, se moralizmi i akullt hipokrit!

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, kushtuar përsëri pleqërisë, Françesku kujtoi sot Jobin i cili, pasi humbi gjithçka dhe ngriti zërin kundër Zotit, kuptoi se Ai i Lumi “nuk është persekutues, po mbrojtës i të drejtëve”. Shembull, ky, për ne, që edhe sot duhet të mbartim barrë të rënda, nga pandemia - tek lufta në Ukrainë

R.SH. - Vatikan

Në përpjekjen për t’i bërë ballë së keqes së tepruar e barrëve të rënda, që na dërrmojnë, si pandemia e, më pas, lufta në Ukrainë, na ndihmon shumë dëshmia e të moshuarve, si Jobi, i cili fillimisht proteston ashpërsisht kundër “misterit të së keqes”, por më pas bindet se Zoti, me dashurinë e tij, do t’i japë të drejtë. Atëhere e shndërron inatin për humbjet, në pritjen durimtare të realizimit të premtimit të Zotit”. E këtë nënvizoi Papa Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, e dhjeta kushtuar moshës së shkuar.

Para besimtarëve të shumtë nga e gjithë bota, Papa e quajti Librin e Jobit, të përfshirë në Besëlidhjen e Vjetër, “kulm të letërsisë universale”, ndërsa   patriarkun, “dëshmitar të fesë, që e nuk pranon “karikaturën” e Zotit, por e larton zërin drejt qiellit, në pritje që Ati t’i gjegjet dhe t’ia tregojë fytyrën e Tij”. E, në fund, Zoti i përgjigjet - theksoi Françesku - madje në një mënyrë mahnitëse: ia tregon Jobit lumninë e Tij pa e tmerruar, me butësi sovrane. Këtë e nënvizoi Papa, duke i ftuar besimtarët “ta kuptojnë forcën e britmës së Jobit”:

“Do të na bëjë mirë të ndjekim shkollën e tij, për të kapërcyer tundimin e moralizmit përballë dëshpërimit e dhimbjes që na pushton, kur humbasim gjithçka. A e kujtojmë historinë? Jobin, që humb gjithçka në jetë, humb pasurinë, humb familjen, humb djalin e edhe shëndetin, e mbetet aty i plagosur, në dialog me tre shokë, pastaj me një të katërt, që vijnë ta përshëndesin”.

Kur Zoti merr fjalën - shpjegoi Papa - e lavdëron Jobin, sepse e kuptoi misterin e butësisë, që fshihej pas heshtjes së Tij. Ndërsa i qorton miqtë e burrit durimtar, të cilët besonin se dinin gjithçka për Zotin dhe dhimbjen, ndaj pasi erdhën për ta ngushëlluar Jobin, e gjykuan me skemat e tyre të paramenduara:

“Zoti na ruajtë nga ky mëshirim hipokrit dhe fodull! Nga kjo soj feje moraliste e nga ky besim rregullash, që të bën të besosh se ke zënë qiellin me dorë, ndërsa të çon në farizeizëm dhe në hipokrizi”.

Zoti - vazhdoi Papa Françesku - i qorton ata që nuk thonë për Të “gjëra të drejta, si shërbëtori i tij, Jobi”, i cili - shton Ati Qiellor – “do të lutet për ju, që unë, duke pasur parasysh atë, të mos e ndëshkoj marrëzinë tuaj, sepse nuk thatë fjalë të drejta për mua, si shërbëtori im, Jobi”.

Për Papën, këto janë fjalë, që të lënë pa fjalë, “sepse lexuam faqet e zjarrta të protestës së Jobit, të cilat na tronditën rëndë”. Por për Zotin “Jobi foli mirë, mbasi nuk pranoi se Ai është “persekutues”, ndaj ia ktheu patriarkut  “dyfish të gjitha pasuritë, pasi i kërkoi të lutej edhe për miqtë e tij të këqij”.

Françesku shpjegon se “kthesa arrihet në kulmin e shfrimit të Jobit”, kur shpreh bindjen e patundur se në fund sytë e tij do ta shohin Zotin, “Hakmarrësin” e tij, e  jo si një të huaj. E kjo faqe e Librit të Jobit e mahnit Papën (e këdo që e lexon) dhe i kujton “fundin e oratoriumit gjenial të Handelit “Mesia”, në çastin kur, pas festës së Alelujës, sopranoja këndon  me gjithë shpirt këto fjalë: “E di se Shëlbuesi im jeton”. Dhe i shpjegon kështu fjalët e Patriarkut: “Zoti im, e di se nuk je Ti Persekutuesi. Zoti im do të vijë dhe do të më japë të drejtë”. “Ky është besimi i thjeshtë në ringjalljen e Zotit”. Për Papën, shëmbëlltyra e Jobit “përfaqëson në  mënyrë dramatike dhe shembullore, çka ndodh me të vërtetë në jetë”….

[… Çka i bie mbi kokë një njeriu, një familjeje a një populli, kobe tejet të rënda e të mëdha, në shpërpjestim me vogëlsinë dhe ligështinë njerëzore. Në jetë ndodh që, siç thuhet shpesh, “të bjerë breshër mbi shi”. Dhe disa njerëz shtypen nën një barrë aq e rëndë të këqijash, sa të duket vërtet e tepruar dhe e padrejtë].

Të gjithë, thekson akoma Papa Françesku, “njohim njerëz të tillë, e na prek në shpirt britma e tyre”, por shpeshherë edhe e admirojmë “vendosmërinë e besimit dhe të dashurisë së tyre”:

“Mendoj për prindërit e fëmijëve me kufizime të rënda, për ata që jetojnë me sëmundje të përhershme apo për të afërmit, që u rrinë pranë... Situata shpesh të rënduara nga mungesa e burimeve ekonomike. Në disa konjuktura të historisë, këto grumbuj barrësh duket sikur marrin pamjen e  një takimi kolektiv. Gjë që ndodhi vitet e fundit me pandeminë Covid-19, e  po ndodh përsëri me luftën në Ukrainë”.

Janë “teprime të së keqes” të cilat, sipas Papës, nuk mund t’i justifikojmë “si racionalitet epror i natyrës dhe i historisë”, apo t’i bekojmë në emër të fesë, si përgjigje kundër mëkateve të viktimave, që e merituan ndëshkimin”.

Ekziston një lloj e drejte e viktimës për të protestuar kundër misterit të së keqes, një e drejtë që Zoti ia jep kujtdo sepse, në fund të fundit, është vetë Ai që e frymëzon. Ndonjëherë - kujtoi Papa - takoj njerëz, që më afrohen dhe më thonë: “Por, o Atë, çova zërin kundër Zotit, se e kam këtë problem, a atë tjetrin...”. Por, a e di o i dashur, se protesta është një mënyrë lutjeje, kur bëhet kështu. Kur fëmijët, të rinjtë protestojnë kundër prindërve, është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe për t’u kërkuar që të kujdesen për ta. Nëse ke në zemër ndonjë plagë a ndonjë  dhimbje dhe dëshiron të protestosh, protesto edhe [kundër] Zotit. Zoti të dëgjon!”.

“Zoti është Atë, Zoti nuk ka frikë nga lutja jonë e protestës” - shpjegoi Françesku - Ai të kërkon të jesh i lirë në lutjet personale. E të porosit: “Mos e burgos lutjen tënde në modele të paramenduara! Jo! Lutja duhet të jetë krejt e vetvetishme, si ajo djalit me babanë e tij, të cilit ia thotë çdo gjë që i del prej goje, ngaqë e di se babai i tij e kupton drejt”.

“‘Heshtja’ e Zotit, në çastin e parë të dramës, nuk do të thotë se Zoti do t’i shmanget ndeshjes, por në fillim e lë Jobin ta shfrejë inatin. Ndoshta, nganjëherë, duhet ta mësojmë nga Zoti këtë respekt dhe këtë butësi. Sepse Zotit nuk i pëlqen enciklopedia - le ta quajmë kështu -  e shpjegimeve dhe reflektimeve, që bëjnë miqtë e Jobit”.

Sepse “feja e tyre shpjegon gjithçka, por zemra mbetet e akullt – vijoi të shpjegojë Françesku - e Zotit nuk i pëlqen kjo. I pëlqen më shumë protesta e Jobit a heshtja e Jobit”. Në fund - theksoi Papa -  besimi i Jobit, “britma e pandërprerë drejtuar Zotit, drejtësisë më të lartë”, plotësohet me përvojën pothuajse mistike, e cila e shtyn të thotë: “Nuk të njihja veçse me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë! Prandaj veten e qortoj, bëj pendesë në hi dhe në pluhur. Tani sytë e mi  panë Zotin!”.

“Sa njerëz, e sa prej nesh, pas një përvoje disi të pabukur, disi të errët, ndryshojnë rrugë dhe e njohin Zotin më mirë se më parë! Dhe mund të themi, si Jobi, “Nuk të njihja veçse me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë, sepse të takova”. 

Pleqtë kanë parë kaq shumë! - shpjegoi Papa - kanë parë edhe sa pak i qëndrojnë kohës premtimet e njerëzve. Njerëzve të ligjit, njerëzve të shkencës, madje edhe njerëzve të fesë, që shpesh e ngatërrojnë të përndjekurin me viktimën, duke ia ngarkuar kësaj të fundit përgjegjësinë e plotë për dhimbjen e tyre:

“Të moshuarit, që gjejnë rrugën e kësaj dëshmie, e cila e shndërron pakënaqësinë për humbjen, në këmbëngulje për të pritur premtimin e Zotit, janë një mbrojtje e pazëvendësueshme për bashkësinë në përpjekjen për ta përballuar teprimin e së keqes.  Sytë e besimtarëve, që sillen kah Kryqi, na mësojnë pikërisht këtë”.

Urimi përfundimtar i Papës Françesku është që të mund të mësojmë edhe ne nga ky lëshim plot besim në krahët e Zotit i shumë gjyshërve dhe gjysheve, i shumë të moshuarve që, si Maria, bashkojnë lutjen e tyre, ndonjëherë zemërthyer, me atë të Birit të Zotit që, mbi  kryq, lëshohet i tëri në duart e Atit.

18 maj 2022, 12:47