Kërko

Kardinali Matteo Zuppi Kardinali Matteo Zuppi 

Papa zgjodhi kardinalin Zuppi në krye të ipeshkvijve italianë

Ati i Shenjtë emëroi kardinalin Matteo Maria Zuppi në krye të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, mbledhur në Romë për Asamblenë e Përgjithshme, pas takimit të djeshëm me Papën Françesku. Kardinali zëvendëson kryetarin aktual Gualtiero Bassetti. Nga Roma, anëtar i Bashkësisë së Shën Egjidit, bari i kryedioqezës së Bolonjës që nga viti 2015, Zuppi është i njohur për impenjimin në favor të të mënjanuarve

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku caktoi kardinalin Matteo Maria Zuppi, kryeipeshkvin e Bolonjës, si kryetar të ri të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Njoftimin e dha kreu aktual, kardinali Gualtiero Bassetti, gjatë asamblesë së 76-të të përgjithshme të ipeshkvijve, të cilët, jo më larg se dje, u takuan me Atin e Shenjtë, para fillimit të plenares në Romë.

Kardinali Matteo Maria Zuppi u lind në Romë, më 11 tetor 1955, i pesti ndër gjashtë fëmijë. Në vitin 1973, student në gjimnazin Virgilio, u takua me Andrea Riccardi-n, themeluesin e Bashkësisë së Shën Egjidit, anëtar i së cilës u bë më vonë, duke bashkëpunuar në të gjitha veprimtaritë bamirëse, ekumenike, ndërfetare e solidare.

Në moshën 22 vjeçare, pasi u diplomua për Letërsi dhe Filozofi në Universitetin “La Sapienza”, me një tezë për Historinë e Krishterimit, hyri në seminarin e dioqezës së Palestrinës, ku u përgatit për meshtar. Ndoqi Universitetin Papnor Lateranens, ku përfundoi teologjinë. U shugurua meshtar për klerin e Palestrinës më 9 maj 1981 e, menjëherë më pas u emërua vikar i famullitarit të Bazilikës romake të Shën Marisë në Trastevere, imzot Vincenzo Paglia, detyrën e të cilit e mori në vitin 2000 për ta vazhduar dhjetë vjet me radhë. I inkardinuar në Romë më 15 nëntor 1988, në vitet në vijim kreu detyra të ndryshme si për dioqezën, ashtu edhe për bashkësinë e Shën Egjidit, në emër të së cilës, u bë ndërmjetësues në Mozambik, në procesin që solli paqen, pas mbi 17 vitesh të përgjakshme lufte civile.

Më 31 janar 2012, Papa Benedikti XVI e emëroi ipeshkëv titullar të Villanova-s dhe ndihmës-ipeshkëv të Romës (për Sektorin e Qendrës). Zgjodhi moton “Gaudium Domini fortitudo vestra” (Gëzimi i Zotit është forca jote). Më 27 tetor 2015, Papa Françesku e emëroi në selinë metropolitane të Bolonjës dhe më 5 tetor 2019 e krijoi kardinal me titullin e Shën Egjidit. Aktualisht, kardinali Zuppi është edhe anëtar i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor dhe i Zyrës së Administrimit të Trashëgimisë së Selisë Apostolike.

24 maj 2022, 15:02