Kërko

Papa: politika është dialog vëllazëror, jo luftë me kundërshtarin

“Politika është takim, reflektim, veprim”: mbi këto tri fjalë e përqendroi Papa takimin e tij me anëtarët e Vëllazërisë Politike “Chemin Neuf”, bashkësi katolike me frymëzim ekumenik. Ati i Shenjtë i nxiti të mahniten nga Zoti, që impenjimi i tyre të jetë vërtet për të mirën e përbashkët e jo për interesa të veçanta

R.SH. – Vatikan

 Politika në kuptimin e saj të krishterë, si “forma më e lartë e bamirësisë”, siç e quante Papa Piu XI, ishte në qendër të takimit të Papës Françesku me anëtarët e Vëllazërisë Politike “Chemin Neuf” (Udha e re), bashkësi katolike me frymëzim ekumenik, që sot, ka rreth 2000 anëtarë të përhershëm në 26 vende të botës e rreth 12 mijë të tjerë në shërbim pranë misioneve të saj.

Takimi politik si takim vëllazëror

Ati i Shenjtë u foli për mënyrën e krishterë të pjesëmarrjes në politikë, e cila duhet të jetë takim, reflektim e së fundi, veprim. U përmendi kuvendimin “Changemakers”  të vitit të kaluar në Budapest të Hungarisë, ku të rinjtë shkëmbyen mendime e ide për ndryshimin e botës. Kjo është një nga mënyrat për t’u takuar, e për të filluar një dialog të sinqertë, vërejti Françesku. Por, të krishterët duhet të shkojnë më tej, pa u ndalur në dialogun e sipërfaqshëm e formal, të ngjashëm me negociatat ndërmjet partive kundërshtare:

“Jemi të thirrur ta jetojmë takimin politik si takim vëllazëror, sidomos me ata, që janë më pak dakord me ne; e kjo do të thotë të shohim në atë, me të cilin dialogojmë, vëllain e vërtetë, birin e dashur të Zotit… Nëse nuk ndodh ky ndryshim zemrash, politika ka rrezik të shndërrohet në një konfrontim shpesh të dhunshëm për triumfin e ideve personale, në kërkim të interesave të veçanta në vend të së mirës së përbashkët, kundër parimit ‘uniteti mbizotëron mbi konfliktin’ (Evangelii gaudium, 226-230)”.

Formulimi i një plani të përbashkët

Pas takimit, vijoi Papa Françesku, është i nevojshëm reflektimi, për të formuluar një plan të përbashkët. Ati i Shenjtë përmendi politikanin e shekullit XVIII, Edmund Burke, i cili nuk mjaftohej në mbrojtjen e interesave të zgjedhësve, por, në emër të tyre, punonte në parlament për të mirën e krejt vendit. Pikërisht reflektimi në bashkësi, shpjegoi Papa etapën e dytë të udhës politike, është rruga për të kërkuar të mirën e përbashkët e për të mos mbetur thjesht në nivelin e konfrontimit të interesave të kundërta. Busulla e të krishterëve për këtë, është Ungjilli.

Impenjimi konkret

Së fundi, Ati i Shenjtë nënvizoi se pas takimit e reflektimit, vjen veprimi, impenjimi konkret. I krishteri nuk ndërton mbi rërë.

“Inkurajoj impenjimin tuaj në favor të migrantëve dhe të ekologjisë – kërkoi Papa Françesku. – Mësova se disa prej jush kanë vendosur të jetojnë së bashku, në mes të një lagjeje popullore në Paris, për të dëgjuar të varfrit: ja një mënyrë e krishterë për të bërë politikë! Mos i harroni këto parime, realiteti është më i rëndësishëm se ideja: nuk mund të bëhet politikë me ideologji. …realiteti është superior ndaj konfliktit. Gjithnjë kërkoni realitetin e mos humbisni në konflikt”.

Politika, si “forma më e lartë e bamirësisë”

E Ati i Shenjtë nuk harroi t’u përmendë anëtarëve të "Chemin Neuf" se për ta realizuar programin politik të takimit, reflektimit e veprimit, duhet të shkojnë tek burimi i forcës së çdo të krishteri: Ungjilli i Krishtit e dëgjimi i Shpirtit Shenjt. Duke u kujtuar takimet e tyre të lutjes, të dielave mbrëma, sipas përshpirtërisë injaciane, që e karakterizon Vëllazërinë e themeluar nga jezuiti, atë Laurent Fabre, më 1973, Papa i nxiti anëtarët të imitojnë Krishtin, që kujdesi i tyre për të mirën e përbashkët të fitojë një forcë të brendshme, e cila i bën të punojnë për një politikë si “forma më e lartë e bamirësisë”.

“Mahnituni nga Zoti”

 Bashkësia e merr emrin nga rruga e shtëpisë së parë të saj në Lion të Francës: “Montée du Chemin Neuf” (E përpjeta e Udhës së Re). Parimi i unitetit është në bazën e veprimtarisë së saj: bashkimi ndërmjet i të krishterëve, bashkimi ndërmjet njerëzve, ndërmjet çifteve e familjeve. E duke u ndalur tek fjalët e njërit prej anëtarëve, ardhur nga Brazili, Papa Françesku i ftoi të gjithë të “mahniten” nga Zoti. Kjo i bën ta ndiejnë madhështinë e Zotit e të planit të Tij për botën; i bën t’i konsiderojnë lumnitë ungjillore si program për jetën.

“E kaluara, e ardhmja dhe e tashmja: nuk ka të ardhme pa të tashme e, nuk ka shpresë pa mahnitje. Kultivoni lutjen me Ungjill në dorë, për ta ndiere mahnitjen e takimit me Jezu Krishtin”, u tha Papa anëtarëve, para se t’i ftonte të gjithë të luteshin bashkë me të.

16 maj 2022, 11:57