Kërko

Takimi i Papës me anëtarët e Grupit të Shën Martës Takimi i Papës me anëtarët e Grupit të Shën Martës 

Papa: përdorimi i përgjegjshëm i teknologjisë dhe i rrjeteve shoqërore ndihmon luftën kundër trafikimit

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare të Grupit të Shën Martës, i impenjuar në luftën kundër formave moderne të skllavërisë, Françesku uron rinovimin e vizionit etik të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore, përqendruar jo në fitimet, por në njerëzit. Papa kërkon të mbështeten viktimat e krimit, shpesh, të harruara dhe pa zë

R.SH. – Vatikan

Ndër audiencat e shumta të sotme, Papa Françesku takoi paradite pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare të Grupit të Shën Martës, e cila u mbajt nga 17 maji e deri më sot, në Akademinë Papnore të Shkencave Shoqërore. Grupi, i lindur më 2014, tashmë i përhapur në 30 vende të botës, përbëhet nga drejtues të forcave të ndryshme të rendit, të organizatave qeveritare, civile dhe fetare, që bashkëpunojnë për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të njerëzve dhe formave moderne të skllavërisë. Në fjalën e tij, Papa u kërkoi të vazhdojnë ndihmën për viktimat e krimit, duke i integruar në shoqëri dhe duke u dhënë dinjitetin që meritojnë.

“Fatkeqësisht, - nënvizoi Ati i Shenjtë – vijojnë të përhapen forma moderne të skllavërisë, edhe në zonat më të zhvilluara të botës. Shpresoj që lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore të marrë parasysh edhe një sërë realitetesh më të gjera, si përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë dhe të mediave shoqërore, si edhe nevojën për rinovimin e vizionit etik të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore, përqendruar jo në fitimet, por në njerëzit”.

Viktimat e trafikimit nuk kanë zë

Është e nevojshme, theksoi Françesku, të mbështeten e të përkrahen viktimat e trafikimit të njerëzve. Fatkeqësisht, ato shpesh harrohen e nuk kanë zë.

“Kisha është gjithnjë mirënjohëse për çdo shprehje të dashurisë dhe të kujdesit vëllazëror ndaj të skllavëruarve dhe të shfrytëzuarve, sepse në këtë mënyrë mëshira e Zotit bëhet e dukshme dhe struktura e shoqërisë forcohet e përtërihet. Edhe një herë, shpreh mirënjohjen time për angazhimin dhe bashkëpunimin tuaj në këtë fushë jetike”, përfundoi Ati i Shenjtë.

19 maj 2022, 12:51