Kërko

Françesku: shenjtëria nuk është heroizëm personal, po dashuri e shërbim

Atmosferë e jashtëzakonshme feste sot, në Sheshin e Shën Pjetrit. Mijëra vetë ndoqën kremtimin, gjatë të cilit u shpallën dhjetë shenjtorë të rinj. Françesku: jetët e tyre ishin reflektim i Zotit në histori, thirrje të ndjekura me entuziazëm e të dhuruara bujarisht.

R.SH. - Vatikan

Mbi tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, në një paradite  të larë me dritë dielli, Papa Françesku kryesoi kremtimin eukaristik dhe ritin e shenjtërimit  të dhjetë të lumëve, pasi kardinali Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, foli shkurtimisht për heroizmin e tyre. Janë: Titus Brandsma, Lazzaro i njohur me emrin Devasahayam, César de Bus, Luigi Maria Palazzolo, Giustino Maria Russolillo, Charles de Foucauld, Marie Rivier, Maria Francesca di Gesù Rubatto, Maria di Gesù Santocanale e Maria Domenica Mantovani. Mijëra vetë, nga kontinente e  kombe të ndryshme ishin në Romë sot, per të marrë pjesë në këtë festë. Në Shesh, i pranishëm, edhe presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella.      

Secili prej nesh është i thirrur për shenjtëri, unike, të papërsëritshme

Papa e nisi homelinë me disa porosi, që Jezusi ua jep ndjekësve të tij përpara se të kalojë nga kjo botë tek Ati. Porosi, që të kujtojnë çfarë do të thotë të jesh i krishterë: “Sikurse unë ju desha ju, duajeni edhe ju njëri‑tjetrin!”   (Gjn 13:34). Ky është testamenti që na la Krishti - kujtoi Papa - kriter themelor për të dalluar nëse jemi vërtet dishepuj të Tij apo jo. Eshtë urdhërimi i dashurisë.

Dashuria e Jezusit për ne dhe e jona për njëri-tjetrin

Në vijim të homelisë, Papa u ndalua tek dy elementet themelore të këtij urdhërimi: tek dashuria e Jezusit për ne - ashtu siç ju kam dashur ju - dhe dashuria që Ai na kërkon ta jetojmë - prandaj duajeni njëri-tjetrin. Po, si na donte Jezusi? - pyeti Françesku - Deri në fund të fundit, deri në dhurimin e plotë të vetvetes! Deri në një natë të errët, në një atmosferë të ngarkuar me emocione e shqetësime:

“Emocion, sepse Mësuesi u jep lamtumirën dishepujve të vet; shqetësim, sepse kujton se një prej tyre do ta tradhtojë… Mund ta përfytyrojmë dhimbjen që pati në shpirt duke kujtuar lamtumirën që do t’u jepte apostujve, hidhërimin që pati duke parë Judën i cili, pasi mori kafshatën e njomur nga Mësuesi për të, u largua nga dhoma për t’u zhytur në natën e tradhtisë. Dhe, pikërisht në orën e tradhtisë, Jezusi u shpreh dashurinë të vetëve. Sepse në errësirën dhe stuhitë e jetës kjo është themelore: “Zoti na do”.

Zoti na do

Zoti na do! Kjo është kryesore në Besojmën tonë - nënvizoi Papa në vijim të homelisë:

 “Nuk ishim ne që e deshëm Zotin, ishte Ai, që na deshi ne” (1 Gjn 4.10). Nuk duhet ta harrojmë kurrë! Në qendër nuk janë aftësitë dhe meritat tona, por dashuria e pakushtëzuar dhe e lirë e Zotit, të cilën nuk e merituam”.

Ndërsa bota - vijoi Papa - shpesh dëshiron të na bindë se ne kemi vlerë vetëm nëse arrijmë rezultate, Ungjilli na kujton të vërtetën e jetës: ne duhemi! Zoti na do! Një mësues shpirtëror i kohës sonë shkruan: “Edhe përpara se të na shihte ndokush, na panë sytë e dashur të Zotit. Edhe përpara se ndokush të na dëgjonte duke qarë a duke qeshur, na dëgjoi Zoti ynë. Edhe përpara se ndokush në këtë botë të na fliste, na foli zëri i dashurisë së amshuar” (H. NOUWEN, Feeling loved, Brescia 1997, 50).

Kuptimi i fjalës shenjtëri

Në një Meshë kremtuar për shenjtërime, Papa nuk mund të mos ndalej gjatë tek mendimi që kemi shpesh për shenjtërinë. Nganjëherë, duke ngulur këmbë mbi përpjekjet tona për të bërë vepra të mira, krijojmë një ideal shenjtërie të themeluar pak si shumë mbi vetveten, mbi heroizmin tonë, mbi aftësinë për vetmohim, për flijimin e vetvetes. Thjesht për të fituar një çmim. Kështu e shndërrojmë shenjtërinë në synim, e ndajmë nga jeta, në vend që ta kërkojmë në të përditshmen, në pluhurin e rrugës, në mundimet e jetës konkrete  e edhe, siç u thoshte motrave të saj Shën Tereza e Avilës, “ndër tenxheret e kuzhinës”:

“Të jesh dishepull i Jezusit dhe të ecësh në shtegun e shenjtërisë, do të thotë të shpërfytyrohesh nga fuqia e dashurisë së Zotit. Pa e harruar kurrë përparësinë e Perëndisë mbi veten, të Shpirtit mbi korpin, të hirit mbi veprat”.

Dashuria e Zotit është forca që e shndërron jetën tonë: ajo na hap zemrat dhe na nxit të duam. E është edhe arsyeja, që e shtyn Krishtin të thotë – e ky është aspekti i dytë – “Sikurse unë ju desha ju, duajeni edhe ju njëri‑tjetrin!”. Kjo nuk është thjesht ftesë për të imituar dashurinë e Jezusit; do të thotë se mund të duam, vetëm sepse Ai na deshi, sepse Ai u dhuron zemrave tona Shpirtin e vet, Shpirtin dhe shenjtërinë: dashurinë, që na shëron dhe na shndërron. Prandaj edhe ne mund të bëjmë zgjedhje dhe gjeste dashurie në çdo gjendje dhe me çdo vëlla e motër që takojmë.

Të duash do të thotë të shërbesh dhe të japësh jetën

Pas këtij shpjegimi të rëndësishëm, që lidhet ngushtë me shenjtërinë, Papa, duke vijuar homelinë, u bëri besimtarëve pyetjen: “Ç’do të thotë ta jetosh këtë dashuri?”:

“Para se na linte këtë urdhërim - shpjegoi - Jezusi ua lau këmbët  dishepujve; e pasi e shqiptoi, u dorëzua mbi drurin e kryqit. Të duash do të thotë të shërbesh dhe të japësh jetën. Të mos vësh në plan të parë interesat vetjake; të pastrohesh nga helmet e lakmisë dhe të konkurrencës; ta luftosh kancerin e indiferencës dhe tenjën e vetëvlerësimit, t’i ndash me të tjerët karizmat dhe dhuratat, që t’i fali Zoti,  ta jetosh të përditshmen me shpirtin e shërbimit, me dashuri, pa zhurmë, pa pretenduar asgjë”.

Dhurimi i vetvetes

E këtu homelia e Papës arriti kulmin, në përkim me ngjarjen që kremtohej mbi  altar e që të kujtonte pikërisht dhurimin e jetës! Të japësh jetën – kujtoi Papa - nuk  do të thotë të japësh diçka, por vetveten. Do të thotë të dalësh nga vetja, për ta bërë jetën dhuratë. Të dhurohesh për ata që të ecin pranë, t’i ndihmosh ata, që kanë nevojë, ndoshta edhe duke i dëgjuar pak çaste me një telefonatë. Shenjtëri nuk do të thotë të bësh gjeste heroike, do të thotë të duash për ditë:

“A je i kushtuar a e kushtuar? Ji shenjt duke e jetuar me gëzim dhurimin tënd! Je i martuar? Ji shenjt duke dashur dhe duke u kujdesur për burrin ose gruan tënde, siç bëri Krishti me Kishën. Jeni punëtor? Jini të shenjtë duke e kryer punën tuaj në shërbim të vëllezërve me ndershmëri dhe kompetencë. Jeni prind, gjyshe a gjysh? Jini të shenjtë duke i mësuar me durim fëmijët të ndjekin Jezusin. Keni autoritet? Jini të shenjtë duke luftuar për të mirën e përbashkët dhe duke hequr dorë nga interesat tuaja personale”(Thirrja Apostolike Gaudete et exsultate, 14).

Të thirrur, për t’i shërbyer Ungjillit

Në përfundim Papa  theksoi çka është themelore për jetën e krishterë:  Jemi të krishterë …

“... për t'i shërbyer Ungjillit dhe vëllezërve tanë, për të dhuruar jetën pa kërkuar asnjë lavdi të kësaj bote: për këtë jemi të thirrur. Kështu e jetuan shenjtërinë shokët tanë të rrugës, të shenjtëruar sot: duke iu përgjigjur me entuziazëm thirrjes së tyre - si prift, si rregulltar, si laik – shkrinë gjithë jetën për Ungjillin. Zbuluan, kështu, një gëzim të pashoq dhe u bënë reflekse të ndritshme të Zotit në histori”.

Në përfundim të homelisë, porosia:

“Ta provojmë edhe ne, sepse secili prej nesh është i thirrur për shenjtëri, shenjtëri unike, të papërsëritshme. Po, Zoti ka një plan dashurie për secilin,  ka një ëndërr për jetën tënde. Pranojeni! Dhe çojeni përpara me gëzim”.

15 maj 2022, 13:09