Kërko

Françesku: pranë barinjve dhe besimtarëve të Kinës, në situata të ndërlikuara

Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku, duke kujtuar festën e Zojës Ndihma e të Krishterëve, e ftoi mbarë Kishën të bashkohet në lutje me katolikët kinezë

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me njerëz, mendimi i Françeskut shkoi në Kinë. Papa u shprehu afërsinë dhe dashurinë katolikëve, të cilët, të martën e ardhshme, do të kremtojnë Pajtoren e tyre, Zojën Ndihmëtare apo Ndihma e të Krishterëve. Përvjetor, të cilin e kremtojnë me shumë përshpirtëri - pohoi Papa - në Shenjtëroren e Sheshanit në Shangai, në kishat e shumta në vend dhe ndër shtëpi. E natyrshme: është Pajtorja e tyre:

“Ky rast i gëzueshëm më krijon mundësinë t’u siguroj afërsinë time shpirtërore dhe t’u kujtoj se ndjek vazhdimisht me vëmendje jetën dhe ngjarjet e besimtarëve dhe të barinjve të tyre, shpesh të ndërlikuara dhe lutem për ta çdo ditë”.

Lutje për Kishën Kineze

Në vijim Papa e ftoi gjithë Kishën t’i shoqërojë besimtarët kinezë me lutje:

“Ju ftoj të bashkoheni në këtë lutje, që Kisha në Kinë, në liri dhe qetësi, të mund të jetojë në bashkësi me Kishën universale dhe të vijojë ta ushtrojë misionin e kumtimit të Ungjillit për të gjithë, duke ofruar kështu edhe një ndihmesë pozitive për përparimin shpirtëror dhe material të shoqërisë”

Kujtojmë se në vitin 2008, Papa Benedikti XVI i pati drejtuar lutjen Virgjërës Mari, duke ia besuar Asaj fatin e Kishës në Kinë dhe po Asaj, ia besoi përsëri Kinën katolike me një letër, përmes së cilës kërkonte që festa e 24 majit të kremtohej në gjithë botën si dita botërore e bashkimit dhe lutjes për Kishën në Kinë”.

Lutja e Benediktit XVI drejtuar Zojës së Sheshanit në Kinë

 “O Zoja jonë e Sheshanit, ndihmoi të gjithë ata që në Kinë,
ndër mundime të përditshme, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan,
që të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën”. Ky është një nga fragmentet e lutjes së përpiluar nga Papa Benedikti XVI për Ditën e lutjes për Kishën kineze. Në vijim botojmë tekstin e plotë, kushtuar Virgjërës së Shenjtë të Sheshanit.
O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar e Nëna jonë,
e nderuar me titullin “Ndihma e të krishterëve” në Shenjtëroren e Sheshanit,
nga e cila i drejton sytë, plot dashuri, mbarë Kisha që është në Kinë,
po vijmë sot para teje për të kërkuar mbrojtjen tënde.
Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dashuri amtare
në rrugët e së vërtetës e të dashurisë, që të jetë në çdo rrethanë
tharm i bashkëjetesës plot harmoni ndërmjet gjithë nënshtetasve.

Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove në Nazaret, ti i lejove
Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin tënd virgjëror
e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit,
në të cilën bashkëpunove me përkushtim durimtar,
duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin,
deri në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar
drejt në këmbë, pranë Birit tënd, i cili vdiste, që njeriu të jetonte.

Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt të re, Nënë
e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin,
që pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpatulla.
O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise
me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve,
jepu bijve të tu aftësinë për të dalluar në çdo situatë,
sado e errët që të jetë, shenjat e pranisë së dhembshur të Hyjit.
O Zoja jonë e Sheshanit, ndihmoi të gjithë ata që në Kinë,
në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan,
të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.

Në shtatoren që sundon mbi shenjtërore, ti e ngre lart Birin tënd,
ia paraqet kështu botës me krahë hapur në shenjë dashurie.
Ndihmoi katolikët kinezë të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie,
duke i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha.
Nëna e Kinës dhe e Azisë, lutu për ne, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!

22 maj 2022, 14:04