Kërko

Papa për Scholas Occurrentes: shpëtimi i planetit, falë poezisë

Papa Françesku u takua dje me Lëvizjen Edukative të sapokrijuar si shoqatë e besimtarëve me karakter ndërkombëtar. Nga Salla e Madhe e Universitetit Papnor Urbanian të Romës, Françesku mbajti leksionin përurues të Shkollës Laudato Si ', me pjesëmarrës të rinj nga vende të ndryshme, të angazhuar në kujdesin për shtëpinë e përbashkët

R.SH. - Vatikan

Në një atmosferë festive, të gjallëruar nga këngët dhe vallet e të rinjve pjesëmarrës, u zhvillua dje pasdite, në Sallën e Madhe të Universitetit Urbanian të Romës, mësimi i parë, i kryesuar nga Papa Françesku, që përuroi Shkollën “Laudato Sì”. Në takim morën pjesë personalitete të shquara të artit, muzikës, sportit dhe teknologjisë, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme të botës, ku Scholas janë të pranishme. Ishte kornizë e përshtatshme për të konfirmuar statusin e ri juridik të organizmit, të cilin kohët e fundit Papa, me një kirograf, e titulloi shoqatë e besimtarëve me karakter ndërkombëtar.

50 të rinj, kujdestarë të shtëpisë së përbashkët

Në takim morën pjesë rreth 50 studentë nga Argjentina, Bolivia, Brazili, Kili, Kolumbia, Spanja, Haiti, Italia, Panamaja, Paraguai, Portugalia dhe Meksika. Gjatë një viti, këta të rinj do të angazhohen për kujdesin e krijimit dhe do të zhvillojnë projekte me natyrë socio-ambientale në bashkësitë e tyre. Pasi kujtuan sfidat që duhen përballuar sot, të rinjtë, duke diskutuar me Papën, e siguruan se “ky grup do të shkojë në dy kontinente për të shpallur Lajmin e Mirë dhe për t’u kujtuar të gjithëve se duhet të kujdesen për shtëpinë e përbashkët”. Pa harruar edhe t’i falënderojnë Scholas, që u dhanë mjetet e nevojshme për ta kryer këtë detyrë.

Gratë kanë forcë për ta ndryshuar botën

Në takim mori pjesë edhe lideri i grupit të mirënjohur irlandez U2, Bono Vox, në shekull, Paul David Hewson, i cili falënderoi organizatorët për përvojën e pjesëmarrjes në Laudato Si' School, për promovimin e kulturës së takimit dhe të Scholas si “Lëvizje Arsimore Ndërkombëtare”. Duke folur edhe për aftësitë e veçanta femërore, Bono e pyeti Papën Françesku nëse kjo aftësi e grave për ta ndryshuar botën është një lloj “superfuqie”, tejet e përshtatshme për kujdesin ndaj planetit. “Ne, zakonisht, flasim për tokën amë, jo për tokën atë”, gjegji Françesku. E më tej Papa theksoi se gratë kanë dhantinë natyrale t’i ndryshojnë gjërat dhe, duke kujtuar çka shkruhet në kapitujt e parë të Librit të Zanafillës, pohoi se “janë protagoniste që nga dita e mollës”.

Mbrojtja e natyrës: lufta për harmoni

Një nga pjesëmarrëset e reja, Irene, e pyeti Papën pse kishte zgjedhur Scholas për të sjellë “Laudato Si” në botë. Papa Françesku shpjegoi se duheh “poezi dhe guxim” për ta bërë të njohur enciklikën. E edhe se poezia e jetës nuk mësohet nga librat, por gurron nga puna, nga soditja e natyrës. Më pas, duke u rikthyer tek reflektimi i tij për gruan, Ati i Shenjtë kujtoi se “gratë kanë thirrjen edhe të japin jetën. Mbijetesa dhe mbrojtja e natyrës është luftë për harmoni e gratë marrin vesh shumë në këtë drejtim. Prandaj Scholas kanë aftësinë për të krijuar poezi e ndryshim”.

Takimi vazhdoi me paraqitjen e nismave dhe projekteve të larmishme të Scholas Occurrentes në vende të ndryshme, me pjesëmarrjen e figurave të shquara nga bota e artit, e sportit dhe e teknologjisë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Scholas Occurrentes, shoqatë private besimtarësh

Më 17 majin e kaluar, Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi kirografin e Papës Françesku, nënshkruar në Solemnitetin e Shën Jozefit, më 19 mars, përmes të cilit i krijon Scholas si “shoqatë private të besimtarëve me karakter ndërkombëtar”. “Duke pasur parasysh se Fondacioni Papnor vijon ta zgjerojë veprimtarinë e tij bamirëse dhe të organizohet si bashkësi bashkësish dhe lëvizje edukative me karakter ndërkombëtar, kërkon një formë të re juridike në përkim me këtë realitet të ri”.

Në kirograf kujtohet se “Scholas Occurrentes i kanë rrënjët në programet e ‘Shkollave të Lagjes’ dhe në “Shkollat ​Motra” të lagjeve të Buenos Aires, themeluar me nismën e kryeipeshkvit të asokohshëm, kardinalit Jorge Mario Bergoglio, e se po shtohen vazhdimisht, duke u bërë sot rrjet i madh mbarëbotëror shkollash, të cilat i ndajnë të ardhurat e tyre, duke pasur qëllime të përbashkëta, e prej këndej, edhe vëmendje të veçantë për ato që kanë më pak burime”.

20 maj 2022, 11:56