Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Papa për “Corriere della Sera”: jam gati të takoj Putin në Moskë

Françesku, në bisedë me drejtorin e gazetës italiane “Corriere della Sera”, Luciano Fontana: para se të shkoj në Kiev, duhet të shkoj në Moskë. “Është e qartë se në atë tokë po provohen armë. Për këtë bëhen luftërat: për të provuar armët, që prodhojmë”

R.SH. – Vatikan

 “Kam një ligament gati të këputur, do të bëj një ndërhyrje me infiltrime e të shohim”. “Kështu ndihem prej kohësh, nuk mund të eci. Dikur papët transportoheshin me fronin, që mbahej mbi shpatulla. Por, duhet edhe pak dhimbje, pak përvuajtje”. Papa Françesku u justifikua kështu me drejtorin Luciano Fontana dhe zv.drejtoreshën Fiorenza Sarzanini të gazetës italiane “Corriere della Sera”, kur i përshëndeti në Shtëpinë e Shën Martës, pa u ngritur në këmbë, për shkak të dhimbjes së gjurit. Me ta, bëri intervistën, që gazeta e publikoi sot.

Biseda përqendrohet në temën e luftës në Ukrainë dhe të punës diplomatike të Selisë së Shenjtë. Papa i pati telefonuar që ditën e parë të luftës presidentit ukrainas Zelensky, por për palën ruse zgjodhi një veprim më të dukshëm, atë të vizitës në ambasadën e Rusisë pranë Selisë së Shenjtë për të kërkuar ndalimin e luftimeve. Françesku pati shprehur menjëherë gatishmërinë për t’u takuar personalisht me presidentin rus Putin. “I kërkova kardinalit Parolin, - tregon ai për gazetën - pas njëzet ditësh lufte, t’i jepte presidentit Putin mesazhin se isha i gatshëm të shkoja në Moskë. Natyrisht, duhej që lideri i Kremlinit të hapte një dritare për këtë. Nuk kemi marrë ende përgjigje, por vazhdojmë të ngulim këmbë, pavarësisht se mendoj që Putin nuk mund dhe nuk dëshiron ta bëjë këtë takim tani. Por si mund të mos ndalet gjithë ky brutalitet? Njëzet e pesë vjet më parë përjetuam të njëjtën gjë në Ruandë”.

Luftërat bëhen për të provuar armët, që prodhojmë

Në fjalët e Papës, edhe reflektimi për arsyet e luftës dhe për “tregtinë” e armëve, e cila mbetet gjithnjë “shkandull” i kundërshtuar nga pak vetë. Françesku vë në dukje zemërimin e Kremlinit për faktin se NATO-ja i ka arritur në kufi  – “i ka lehur në derë”, thotë Ati i Shenjtë – gjë që ka sjellë reagimin rus e shpërthimin e konfliktit. “Nuk mund të përgjigjem, jam tepër larg, pyetjes nëse është e drejtë të furnizohen ukrainasit - arsyeton ai. - Është e qartë se në atë tokë po provohen armë. Rusët tani e dinë se tanket nuk duhen gjë dhe po mendojnë për gjëra të tjera. Luftërat bëhen pikërisht për këtë: për të testuar armët, që prodhojmë”. Pak vetë e ngrenë zërin kundër kësaj tregtie, por Papa kërkon të bëhet më shumë, duke përmendur si u ndalua një karvan me armë për Jemenin, në Gjenovë të Italisë, para dy-tre vitesh.

Më parë, udhëtimi në Moskë. Patriku nuk është shërbyes i presidentit Putin

Tani për tani, vijon intervista, nuk është në plan ndonjë udhëtim në Kiev. Papa mendon se më parë duhet të shkojë në Moskë. “Së pari duhet të takoj Putin – nënvizon ai. - Por edhe unë jam meshtar, çfarë mund të bëj? Bëj ç’mundem. Nëse Putin do ta hapte derën…”. Papa shqyrton edhe mundësinë për të vepruar së bashku me Patrikun e Kishës Ortodokse, Kirill. Përmend bisedën 40-minutëshe në videokonferencë, më 15 mars, duke kujtuar se për 20 minutat e para dëgjoi vetëm Kirillin, që i lexonte “justifikimet” për luftën.  “E dëgjova – pohon Françesku për ‘Corriere della Sera’ – dhe i thashë: ‘Nuk kuptoj gjë nga e gjithë kjo. Vëlla, ne nuk jemi klerikë të shtetit, nuk mund të përdorim gjuhën e politikës, por atë të Jezusit. Jemi barinj të të njëjtit popull shenjt të Zotit, prandaj duhet të kërkojmë rrugët e paqes, për t’i dhënë fund zjarrit të armëve. Patriku nuk mund të shndërrohet në ministrantin e Putinit. Kam pasur një takim të planifikuar me Patrikun në Jerusalem më 14 qershor. Do të ishte takimi ynë i dytë, ballë për ballë, që s’kishte të bënte me luftën. Por tani, edhe ai është dakord: të presim, sepse mund të jetë sinjal i paqartë”.

Një botë në luftë për interesa ndërkombëtare

Vështrimi i Papës kalon nga lufta në Ukrainë në konfliktet e tjera, kudo në botë. Lufta III Botërore pjesë-pjesë është realitet, nënvizon, jo thjesht “alarm”. Mjafton të shihet situata në Siri, Jemen, Irak e në vende të tjera të Afrikës. “Ka interesa ndërkombëtare në çdo copëz toke. Nuk mund të mendohet që një shtet i lirë t’i shpallë luftë një shteti tjetër të lirë. Në Ukrainë, duket se dikush tjetër e krijoi konfliktin. E vetmja gjë, që u fajësohet ukrainasve është reagimi i tyre në Donbas, por po flasim për dhjetë vite më parë. Ai argument është i vjetër. Sigurisht, janë popull krenar”.

“Shkandulli” i Udhës së Kryqit: për paqen, nuk ka mjaft vullnet

Papa kujton Udhën e Kryqit në Koloseum, të Premten e Madhe të Pashkëve, me kërkesën e palës ukrainase, e cila bëri të mos lexohej meditimi i ndalesës XIII, ku kryqin e mbanin një grua ruse dhe një ukrainase. Françesku tregon se pati folur me Lëmoshtarin Apostolik, kardinalin Krajewski, i cili ndodhej në Kiev për të tretën herë, dërguar pikërisht nga Ati i Shenjtë. “I telefonova Krajewskit, që ishte aty e, ai më tha: ndalu, mos e lexo lutjen. Ata kanë të drejtë, pavarësisht se ne nuk i kuptojmë plotësisht. Kështu, gratë heshtën. Janë të ndjeshëm, ndihen të mundur a skllevër, sepse në Luftën II Botërore paguan një çmim tejet të lartë. Kaq shumë të vdekur, është popull martir. Por, kujdes edhe me ç’mund të ndodhë tani në Transnistria”.

9 maji, a mund të jetë fundi i gjithçkaje? Nga audienca me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, më 21 prill në Vatikan, tregon Papa, mori vesh se “rusët e kanë një plan”. “Kështu do të kuptohej edhe shkallëzimi i luftës gjatë këtyre ditëve. Sepse tani nuk është vetëm Donbasi, por edhe Krimea, Odesa… do të thotë t’i heqësh Ukrainës daljen në Detin e Zi, gjithçka. Jam pesimist, por duhet të bëjmë çdo gjest të mundshëm për ta ndalur luftën”.

03 maj 2022, 10:05