Papa i uron të gjitha nënat, edhe ato që nuk janë më mes nesh!
R. SH. - Vatikan
Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi nënat e mbarë botës, por edhe tragjedinë, që jetoi këto ditë Kuba. E para tyre, kujtoi se dje, në San Ramón (Peru) u shpall e Lume María Agostina Rivas López, e njohur me emrin Aguchita, rregullare e Kongregatës të Zojës së Bamirësisë të Bariut të Mirë, vrarë nga urrejtja për fenë në vitin 1990:
“Kjo misionare heroike, ndonëse e dinte që po rrezikonte jetën, ishte gjithnjë pranë të varfërve, veçanërisht pranë grave fshatare vendase, duke dëshmuar ungjillin e drejtësisë dhe të paqes. Shembulli i saj zgjoftë në shpirtin e të gjithëve dëshirën për t'i shërbyer Krishtit me besnikëri dhe guxim. Një duartrokitje për të Lumen e re!”.
Më pas, një kujtim tjetër nga ana e Françeskut. Ai i Ditës Botërore të Lutjes për thirrjet, me temë “Të thirrur për të ndërtuar familjen njerëzore”. Ditë në të cilën - vijoi - në çdo kontinent, bashkësitë e krishtera kërkojnë nga Zoti dhuratën e thirrjeve për meshtarë, për jetën rregulltare, shërbimin misionar e për martesën. Kjo është dita në të cilën ne të gjithë, si të pagëzuar, “ndjejmë thirrjen për ta ndjekur Jezusin, për t’i thënë po, për t’i përngjarë, për të zbuluar gëzimin e dhënies së jetës, për t'i shërbyer Ungjillit me gëzim dhe entuziazëm”.
Në vijim Papa u shprehu urimet edhe meshtarëve të rinj të dioqezës së Romës, shuguruar sot në mëngjes, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. E, më pas, kujtoi Shenjtëroren e Zojës në Pompei dhe lutjen që i lartohej pikërisht në këto çaste, kur Papa i fliste një turme pa fund nga dritarja e Engjëllit, ku ishin ngulur qindra sy.
Në përfundim - kujtimi prekës i Nënave - në ditën e festës së tyre:
“Sot në shumë vende festohet Dita e Nënës. Ne i kujtojmë me dashuri nënat tona - një duartrokitje për nënat - edhe për ato, që nuk janë më me ne këtu poshtë, por jetojnë në zemrat tona. Për të gjitha nënat është lutja jonë, dashuria jonë, malli ynë”.
Më pas, kujtimi i të vdekurve në Kubë, gjatë një aksidenti në hotelin historik Saratoga, ku humbën jetën 27 vetë e 80 të tjerë u plagosën. Papa i kujtoi të gjithë, duke ftuar për lutje:
“Lutemi edhe për viktimat e shpërthimit që ndodhi në një hotel të madh në kryeqytetin e Kubës, Havana. Krishti i Ngjallur u priftë të vdekurve drejt shtëpisë së Atit dhe i ngushëlloftë familjet e tyre”.