Kërko

Papa Françesku: të gjitha luftërat nuk duhen harruar, ndihmat të mos bazohen mbi “gjeografinë”

Në fjalimin për ambasadorët e rinj të Pakistanit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Burundit dhe Katarit në Selinë e Shenjtë, Papa nënvizoi se solidariteti dhe ndihmat humanitare duhet të jenë për gjithë familjen njerëzore pa dallim, duke u bërë ballë gjendjeve të ndryshme të padrejtësisë si varfëria, uria, papunësia: lufta është gjithnjë disfatë për njerëzimin

R.SH. – Vatikan

Fëmijët evropianë kanë sot para syve luftën në Ukrainë, një “re e errët, e cila ka mbuluar Evropën Lindore”. Me këto fjalë, Papa Françesku e përmendi sërish konfliktin, gjatë paraqitjes së letrave kredenciale të ambasadorëve të rinj në Selinë e Shenjtë. Sot, takoi në Vatikan përfaqësuesit diplomatikë të Pakistanit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Burundit dhe Katarit, para të cilëve theksoi edhe një herë se “Selia e Shenjtë vazhdon të punojë, përmes kanaleve të shumta, për të promovuar zgjidhje paqësore”. Në këtë drejtim, është tejet i rëndësishëm shërbimi i ambasadorëve.

“Pasi përjetuam pasojat shkatërrimtare të dy Luftërave botërore dhe kërcënimin bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë, së bashku me respektin në rritje për rolin e së drejtës ndërkombëtare dhe krijimin e organizatave politike dhe ekonomike shumëkombëshe për kohezionin e bashkësisë globale, shumica e njerëzve besonin se lufta në Evropë ishte kujtim i largët. Dhe mendonim për fëmijët, që ndoshta do t’i pyesnin nënat: ‘Mami, si ishte lufta?’. Por nuk ndodhi kështu”.

Vëllazërim pa kufi

Por, vërejti Papa, edhe para tragjedive më të mëdha, njerëzimi mund të nxjerrë në pah ç’ka më të mirë. Pamjet e luftës nxitën solidaritetin dhe vëllazërimin; shumë vende strehojnë refugjatë pa menduar për kostot; familjet ua hapin shtëpitë njerëzve të panjohur e ndihmat humanitare shkojnë në Ukrainë nga të katër anët. Veçse, asnjë luftë nuk duhet harruar, jo vetëm ajo aktuale në Evropën Lindore, nënvizoi Ati i Shenjtë.

“Jemi një familje e vetme njerëzore dhe shkalla e indinjatës së shprehur, mbështetja humanitare e ofruar dhe ndjenja e vëllazërimit për të vuajturit nuk duhet të bazohet në gjeografinë apo në interesin personal. Pasi ‘nëse çdo njeri ka dinjitet të patjetërsueshëm, nëse çdo qenie njerëzore është vëllai, ose motra ime dhe nëse bota është vërtet e të gjithëve, nuk ka rëndësi nëse dikush ka lindur këtu apo jeton jashtë kufijve të vendit të vet’. (Fratelli tutti, 125). Kjo vlen jo vetëm për luftën dhe për konfliktet me dhunë, por edhe për situatat e tjera të padrejtësisë, që e mundojnë familjen njerëzore: ndryshimet klimatike, varfëria, uria, mungesa e ujit të pijshëm, e punës së respektuar dhe arsimimit të përshtatshëm, sa për të përmendur vetëm disa”.

Puna e Selisë së Shenjtë

Selia e Shenjtë, vuri në dukje Papa Françesku, bën ç’është e mundur për të favorizuar zgjidhjen paqësore të krizave botërore. E bën këtë, duke përdorur kanale të ndryshme, me besimin se problemet e njerëzimit kanë nevojë për përgjigje të përbashkëta nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

“Të dashur amabasadorë – iu drejtua Ati i Shenjtë të pranishmëve - ju keni një rol të privilegjuar në këtë drejtim. E dini shumë mirë se lufta është gjithmonë disfatë për njerëzimin dhe është në kundërshtim me shërbimin tuaj të rëndësishëm, me përpjekjen për të krijuar një kulturë takimi, përmes dialogut dhe inkurajimit të mirëkuptimit ndërmjet popujve, si edhe përmes respektimit të parimeve fisnike të së drejtës ndërkombëtare. Shërbimi juaj nuk është aspak i lehtë, por ndoshta, gjendjet e pabarazisë dhe të padrejtësisë, që po shohim në botën e sotme, na ndihmojnë ta vlerësojmë edhe më shumë punën tuaj”, përfundoi Papa Françesku.

19 maj 2022, 11:27