Kërko

Papa Françesku në audiencën me bashkësinë e Kolegjit kishtar Rumun Papa Françesku në audiencën me bashkësinë e Kolegjit kishtar Rumun 

Papa Françesku, meshtarëve rumunë: mos u bëni klerikë të shtetit

Papa takoi në Vatikan anëtarët e Kolegjit Rumun, i cili kremton 85-vjetorin e themelimit, dhe kujtoi vitet e persekutimit komunist në vendin e Evropës Lindore, ku u dëshmua heroikisht besnikëria ndaj Krishtit: feja vjen nga rrënjë, që janë të varfra me gjëra materiale dhe të pasura me Ungjill

R.SH. – Vatikan

Është çështje rrënjësh, çështje feje. Sidomos nëse ato rrënjë mbajnë varrët e qëndresës së atyre, që ndoqën Ungjillin e Krishtit edhe në mes të ferrit. Ato rrënjë ruajnë pjesën më të gjallë të fesë, larg sklerozës së botës shpirtërore, e cila mund ta dëmtojë e ta thajë. Papa Françesku përdori metaforën e pemës në audiencën me bashkësinë e Kolegjit kishtar Rumun, me rastin e 85-vjetorit të themelimit të tij.

Rrënjë, për të marrë limfën jetësore, jo për “karrierë”

Papa u frymëzua nga fjalët e ipeshkvit të Lugoj, Ioan Ploscaru - i cili i shpëtoi vdekjes, në ndryshim nga shtatë vëllezërit e tjerë ipeshkvij të vrarë nga persekutimi komunist, që Françesku i lumnoi dy vite më parë në Blaji - por përfundoi në burg për 15 vite me radhë. Imzot Ploscaru, theksoi Ati i Shenjtë, është një nga rrënjët e Kishës rumune, fryti i së cilës, u tha të pranishmëve, jeni ju sot. Por, duhet pasur kujdes për të mos rënë në kurth, nënvizoi Papa:

“Të dashur miq, pa i ushqyer rrënjët, çdo traditë fetare e humbet aftësinë për të dhënë fryte. Vërtet, ndodh një proces i rrezikshëm: me kalimin e kohës njeriu përqendrohet gjithnjë e më shumë tek vetvetja, tek rrethi i tij, duke e humbur dinamizmin e origjinës. Atëherë u japim rëndësi aspekteve institucionale, të jashtme, mbrojtjes së grupit, të historisë dhe të privilegjeve tona, duke humbur, ndoshta pa e kuptuar, shijen e dhuratës”.

Duke bërë kështu, theksoi më tej Papa, ka rrezik t’i thajmë ato rrënjë, të ngjisim veç shkallët e karrierizmit e të kërkojmë veç kënaqësi personale.

“Prirja për të shkuar sa më lart, për të pasur pushtet, për të pasur para, për të pasur famë, për të ndenjur rehat, për të pasur një karrierë: kjo do të thotë të rritesh pa rrënjë... Tek rrënjët shkohet për të marrë forcë, për t’u marrë limfën e për të vazhduar udhën. …Tradita është mesazhi, që marrim nga rrënjët: është ajo, që na jep forcën për të ecur përpara sot, pa përsëritur gjërat e djeshme, por me të njëjtën forcë të frymëzimit të parë”.

Mos mbani gjë për vete

Një nga përgjegjësitë e trashëgimtarëve të rrënjëve është aktualizimi i tyre, pohoi Françesku, përndryshe do të mbeten thjesht “një përsëritje e shterpët e së shkuarës”. Papa dha shembullin e kardinalit Mureşan, i cili do të mbushë 91 vjeç pas pak ditësh - shembull i asaj epoke guximi, në të cilën barinjtë e Kishës ishin “të varfër me gjëra materiale, por të pasur me Ungjill”. Kur dolën nga katakombet e persekutimit, ata ditën të rindërtojnë fibrën e Kishës rumune.

“Kështu të jeni, apostuj të gëzuar të fesë që keni trashëguar, të gatshëm për të mos mbajtur asgjë për vete, të gatshëm për t’u pajtuar me të gjithë, për t’i falur dhe për të krijuar bashkim, duke kapërcyer çdo zemërim dhe viktimizëm. Atëherë, edhe fara juaj do të jetë ungjillore dhe do të japë fryte”.

Terreni dhe dialekti

 “Nëse rrënjët ujiten mirë”, vijoi Papa, pema rritet si duhet e nuk preket “nga virusi i kësaj bote”, që e than shpirtin. Por, paralajmëroi Françesku, duhet të kujdesemi edhe për “terrenin”, për gjithçka të mirë, që i kanë sjellë fesë gjyshërit dhe prindërit. Sepse feja, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk ka nevojë për fjalë të ndërlikuara, por për ndjeshmërinë e gjuhës së thjeshtë të përditshme.

“Ju lutem, kujdes, mos u bëni klerikë të shtetit. Bëhuni barinj të popullit... Ju lutem, mos i harroni njerëzit nga vini. Mos u bëni meshtarë laboratori teologjik: jo, jo! …Meshtarë, që vijnë nga populli, me erën e popullit, me erën e grigjës. E kam thënë se Ungjilli nuk kumtohet me fjalë të ndërlikuara, por në dialekt”.

Së fundi, Papa përmendi studentët e gjuhës arabe, që i përkasin ish-Kolegjit të Shën Efraimit, të cilët, që prej 10 vitesh, kanë formuar një bashkësi të vetme me Kolegjin Rumun. Kjo, vuri në dukje Françesku, nuk i ka privuar ata nga tiparet e tyre dalluese, pasi çdo kolegj, i ritit lindor a latin qoftë, nuk duhet të bëhet një lloj “enklave”, ku studentët kthehen “pas ditës së studimit për të jetuar si në atdhe, por duhet të jetë laborator i bashkimit vëllazëror, ku përjetohet katoliciteti i vërtetë, universaliteti i Kishës”.

19 maj 2022, 13:48