Kërko

Papa në takimin me anëtarët e Federatës Ndërkombëtare të Farmacistëve Katolikë Papa në takimin me anëtarët e Federatës Ndërkombëtare të Farmacistëve Katolikë 

Papa, farmacistëve: pikë referimi gjatë pandemisë, ndihmë për "jetesën e mirë"

Gjatë audiencës me Federatën Ndërkombëtare të Farmacistëve Katolikë, Papa Françesku nënvizoi se emergjenca shëndetësore, shkaktuar nga pandemia, ishte edhe rast për t’u qëndruar afër njerëzve, duke i ndihmuar me çdo mjet. Theksoi edhe kontributin, që mund të japin farmacistët për të arritur kthesën e ekologjisë së gjithanshme

R.SH. – Vatikan

         Në vijën e parë të frontit, gjatë pandemisë, të aftë ta kthejnë emergjencën në “urë” ndërmjet qytetarëve dhe sistemit shëndetësor. Farmacistët janë edhe ndihmë e rëndësishme për “demaskimin e mashtrimeve të mirëqenies së rreme”. Kështu i përshkroi Papa Françesku, gjatë audiencës me anëtarët e Federatës Ndërkombëtare të Farmacistëve Katolikë, shoqatë kishtare, që u shërben të gjithëve  “sipas parimeve të moralit të krishterë, bazuar në dinjitetin e njeriut”.

         “Qytetarët, shpesh të çorientuar, gjetën tek ju një pikë referimi për ndihmë, këshilla, informacione e, edhe – e dimë mirë – për të kryer shpejt testet e nevojshme për jetën dhe veprimtarinë e përditshme. Mendoj se kjo gjendje krize ka sjellë në ambientin tuaj profesional nevojën për t’u bashkuar si një trup i vetëm, për ta mbështetur njëri-tjetrin”.

Roli shoqëror i farmacistëve

         Farmacistët, shpjegoi më tej Papa, janë “urë” ndërmjet qytetarëve e sistemit shëndetësor, i cili u vu në sprovë të rëndë nga pandemia e nganjëherë, shkaktoi probleme në procedura, duke sjellë dëme si për të sëmurët, ashtu edhe për të tjerët.

         “Kategoria e farmacistëve jep një kontribut të dyfishtë për të mirën e përbashkët: e lehtëson barrën e sistemit shëndetësor dhe e pakëson tensionin shoqëror. Natyrisht, ky rol duhet luajtur me shumë maturi dhe seriozitet profesional, por për njerëzit është shumë i rëndësishëm aspekti i afërsisë, i këshillës, i atij familjariteti, që duhet të jetë tipik i kujdesit shëndetësor ‘me përmasë njerëzore’”.

Për një mënyrë të re jetese

         Papa kujtoi kontributin e madh të farmacive murgare, që sot, janë pasuruar edhe nga kontributi i kulturave të tjera, si ato lindore, ose ato të popujve autoktonë të Amerikës. Ati i Shenjtë nënvizoi kështu rolin e farmacistëve për kthesën ekologjike të botës.

         “Të gjithë jemi të thirrur të mësohemi me një mënyrë jetese, që e respekton ambientin, në të cilin na ka vënë Zoti, shtëpinë tonë të përbashkët. E në këtë stil jetese hyn edhe mënyra e shëndetshme për t’u ushqyer e, në përgjithësi, për të jetuar. Mendoj se edhe farmacistët mund të ‘edukojnë’ për këtë, duke promovuar një urti më të madhe për një jetë më të shëndetshme… Ju farmacistët mund të na ndihmoni t’i demaskojmë mashtrimet e mirëqënies së rreme, të edukohemi me ‘jetesën vërtet të mirë’, e cila s’duhet të jetë privilegj për pak vetë, por e mundshme për të gjithë”.

02 maj 2022, 13:24