Kërko

Libri "Endja e botës" Libri "Endja e botës" 

Papa: dhembshuria shndërron jetën e njerëzve dhe të bashkësive

Papa Françesku shkruan pasthënien për librin “Endja e botës”, dialog me disa zëra për historinë si rrugë shpëtimi, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV) dhe Salani. Për vëllimin, tashmë në librari, është kujdesur drejtori i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda.

R.SH. – Vatikan

 “Historitë që tregojmë, ri-tregojmë dhe ia kalojmë njëri-tjetrit janë tenda nën të cilat mblidhemi, flamuj për t'u ndjekur në betejë, litarë të pakëputshëm për të lidhur të gjallët dhe të vdekurit. Ndërthurja e këtyre ngjarjeve të mëdha nëpër epoka dhe kultura na lidh fort me njëri-tjetrin dhe me historinë, duke na treguar udhën ndër breza”. Kështu shkruan Donna Tartt pasi leximit të këtij vëllimi, i cili përmban reflektimet e 44 shkrimtarëve, artistëve, teologëve, gazetarëve mbi temën e tregimit. Romancieria amerikane kap me mprehtësi një nga pikat, me të cilën bien dakord shumë nga autorët e këtij libri: tregimi si “pëlhurë”, e përbërë nga “litarë të pakëputshëm”, që lidhin gjithçka dhe këdo, të tashmen dhe të shkuarën, si edhe na japin mundësinë të shohim drejt së ardhmes me besim e shpresë.

Ky është paragrafi i parë, shkruar nga Papa Françesku, për pasthënien e librit “Endja e botës”, dialog me disa zëra për historinë si rrugë shëlbimi, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV) dhe Salani. Për vëllimin, tashmë në librari, është kujdesur drejtori i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda. Ati i Shenjtë Bergoglio vë në dukje se reflektimet e autorëve nisen nga Mesazhi për Ditën e Komunikimeve Shoqërore 2020, i cili kishte në qendër pikërisht fjalën latine “textum”, që do të thotë “ind, pëlhurë”, nga e cila vjen fjala “tekst”. E Papa citon edhe një nga seritë më të njohura të letërsisë bashkëkohore, “Zotërinë e Unazave” të Tolkien, duke kërkuar të mos konsiderohet pasthënia si ndonjë “finale”, pasi siç thotë Frodo, protagonisti i romaneve, “tregimet nuk përfundojnë kurrë”.

Papa Françesku përshkruan metodën e zgjedhur për botimin e vëllimit “Endja e botës”, i cili fillon me mesazhin e Atit të Shenjtë, për të cilin reflektojnë ekspertë të ndryshëm. Më pas, autori i mesazhit (pra, Papa) i lexon reflektimet për të dhënë një kontribut tjetër të pasuruar prej tyre, në mënyrë që çdo lexues të hyjë në këtë dialog, të cilin ftohet ta vazhdojë në jetën e përditshme. Kjo është “tenda”, për të cilën flet Dona Tartt e nën të cilën duhet të mblidhemi të gjithë, nënvizon Françesku. Libri, vijon Ati i Shenjtë Françesku, nuk përfundon me faqen e fundit, pasi është dialog dhe ka në qendër dëgjimin e të tjerëve. Por edhe heshtjen, pasi në heshtje, jemi në gjendje të dëgjojmë. Papa vë në dukje tri tema, që përshkojnë vëllimin: tregimi i historive si “endje” e një pëlhure; heshtja me të cilën lidhet tema e “misterit”; si edhe tema e “dhembshurisë”.

Përsa i përket tregimit si “endje” e një pëlhure, Papa Françesku përmend disa nga autorët, për të nënvizuar rolin e grave, aftësinë e tregimeve për të kapur gjithnjë gjendje të reja dhe për t’u folur gjithnjë e më shumë njerëzve, si edhe karakteristikën e tyre “magmatike”, si të ujrave në burimin e lumit, që rrjedhin të gjitha drejt një deti të vetëm.

Tema e misterit, vëren më tej Papa, është e pranishme në çdo tregim si një lloj “magjie”, që ndërhyn në çastin e frymëzimit poetik, duke i bërë të gjithë njerëzit të kuptojnë se bashkohen nga ndjenja e pranisë së atij misteri, i cili është më i madh se ata vetë. Ky mister ia hap zemrën transhendetes, përmasës shpirtërore e fetare. Siç shkruan Dona Tartt: “ndoshta, historitë janë pëlhura për vela, të cilat i ngremë për të kapur qoftë edhe një frymëmarrje hyjnore. Mendimet e të tjerëve fitojnë një jetë të çuditshme brenda nesh e, për këtë arsye, letërsia është arti më shpirtëror e sigurisht, me shndërruesi. Si asnjë mënyrë tjetër komunikimi, një tregim mund ta ndryshojë mënyrën tonë të mendimit, për mirë a për keq… kulturat e lashta e moderne i kanë konsideruar gjithnjë historitë si magjike – e të rrezikshme – për një arsye të vetme: sepse mund të dëgjosh një tregim e në fund, të jesh njeri krejt tjetër”.

Aspekti i tretë, që vë në dukje Papa, është “dhembshuria”, e pranishme në shumë nga shkrimet e librit. Ati i Shenjtë Françesku përmend disa prej tyre, për të nënvizuar se historitë janë të rëndësishme për bashkësitë, për jetën shpirtëore, mund të çlirojnë nga shpirti njerëzor si forca negative e shkatërrimtare, ashtu edhe forca pozitive, duke e shndërruar njeriun. Dhembshuria është forcë e madhe pozitive, që ka përmasë shoqërore, vëren Françesku. 

Ikona e saj është figura e Samaritanit të Mirë. Në fund të shëmbëlltyrës ungjillore shohin se shndërrohet jeta e dy vetëve e, në këtë kuptim, dhembshuria ka edhe një përmasë “politike”, siç nënvizojnë shumë autorë në librin “Endja e botës”. Pikërisht tregimi i historive është një nga mjetet më të fuqishme për ta ndryshuar shoqërinë. Me të kapërcehen kufij, bien poshtë stereotipe, lulëzon zemra njerëzore. Me këtë art, përfundon Papa, ndërtohen ura, që mund të lidhin të gjallët me të vdekurit, për të na udhëhequr, përmes shekujve e brezave, drejt një ardhmërie për t’u ndërtuar, për t’u endur së bashku.

26 maj 2022, 11:21