Kërko

2022.05.21 Partecipanti al Convegno Internazionale sulla Tutela della biodiversita' 2022.05.21 Partecipanti al Convegno Internazionale sulla Tutela della biodiversita'

Papa: të ndërtohet “fshati global i kujdesit”për ruajtjen e krijimit

“Është e nevojshme të thellohet ‘kultura e kujdesit’- ‘kulturë e harmonisë’, që e ruan harmoninë, duke favorizuar dialogun ndërmjet njohurive dhe duke krijuar ‘arsimin e përgjithshëm, të bazuar mbi shtyllat e ekologjisë integrale, që synon të vendosë lidhje të ngushta ndërmjet njeriut dhe ambientit’”: këtë u kujtoi Papa Françesku pjesëmarrësve në Konferencën Ndërkombëtare “Nature in Mind” – “kulturë e re e natyrës për mbrojtjen e biodiversitetit”, organizuar nga Komanda e Karabinierëve

R.SH. - Vatikan

Duke folur me pjesëmarrësit në Konventën Ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit, pritur sot në audiencë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Papa i nxiti ta mbrojnë natyrën, duke inkurajuar edukimin që nxjerr në pah lidhjen e ngushtë të njeriut me ambientin. Nuk duhet ta gënjejmë veten se mund ta zëvendësojmë bukurinë e papërsëritshme dhe të parifitueshme, me një tjetër të krijuar nga ne

“Është e nevojshme të thellohet ‘kultura e kujdesit’- ‘kulturë e harmonisë’, që e ruan harmoninë, duke favorizuar dialogun ndërmjet njohurive dhe duke krijuar ‘arsimin e përgjithshëm, të bazuar mbi shtyllat e ekologjisë integrale, që synon të vendosë lidhje të ngushta ndërmjet njeriut dhe ambientit’”: këtë u kujtoi Papa Françesku pjesëmarrësve në Konferencën Ndërkombëtare “Nature in Mind” (Natyra në Mendje) – “kulturë e re e natyrës për mbrojtjen e biodiversitetit”, organizuar nga Komanda e Armës së Karabinierëve, për të sugjeruar në cilin drejtim duhet shkuar, që të mund të mbrohet “shtëpia e përbashkët”:

“Për të siguruar një zhvillim vërtet të qëndrueshëm, është e nevojshme të ecim në rrugë të reja, të përbashkëta, të lidhura drejtpërdrejt me njerëzit dhe rrethanat në të cilat jetojnë. Në këtë mënyrë të gjithë do të ndjehen të detyruar të japin ndihmesën në paktin arsimor, i cili synon të formojë njerëz të pjekur, të aftë për të kapërcyer copëzimin dhe kundërvëniet”.

Të ndërtojmë “katundin global të kujdesit”

Për Papën, çdo masë do të jetë e pafryt “nëse nuk ndihmohet dhe nuk mbështetet nga një proces arsimor, që favorizon kujdesin dhe mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët". Ndaj edhe shton:

“Nëpërmjet talenteve tona, të gjithë jemi të thirrur të ndërtojmë ‘fshatin global të kujdesit’, të formojmë një rrjet marrëdhëniesh njerëzore, që përjashtojnë të gjitha format e diskriminimit, të dhunës e paragjykimeve. Në këtë ‘fshatin’ tonë, edukimi bëhet mbartës i vëllazërisë dhe lind paqen ndërmjet popujve dhe dialogun ndërmjet feve”.

Bukuria e natyrës, dhuratë e Zotit, që duhet ruajtur

Në fjalën e mbajtur në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Françesku kujtoi edhe angazhimin e Armës, që synon “forcimin e dialogut të ngutshëm dhe plot përgjegjësi për të ardhmen e planetit”, sepse sfida ambientale, që po e jetojmë dhe ajo e rrënjëve të saj njerëzore, na shqetësojnë dhe na përkasin të gjithëve”. Vërejti, më pas, se kuvendi i karabinerëve,  nismë “e cila dëshmon vullnetin për të punuar së bashku në mbrojtje të shtëpisë sonë të përbashkët”, “na bën të mendojmë për itinerarin e Shën Buonaventurës nga Bagnoregio”, i cili shpesh na fton ta zbulojmë Zotin, edhe përmes soditjes të bukurisë së natyrës”. Një dhuratë e Zotit “për njerëzimin, i cili është i thirrur ta kultivojë e ta ruajë”. Një “bukuri, që na përket të gjithëve” përmes “lidhjes dinamike ndërmjet Krijuesit, krijesës njerëzore dhe krijesave të tjera”, aleancë, për të cilën ne nuk duhet ta mashtrojmë veten “se jemi në gjendje ta zëvendësojmë bukurinë e papërsëritshme dhe të parifitueshme, me një tjetër, të krijuar prej nesh”.

Vëllazërimi ndërmjet nesh dhe krijimit

“Ndjehet nevoja për një vëllazërim të butë dhe durimtar ndërmjet nesh dhe krijimit” - theksoi Papa - mbasi jeta dhe historia tregojnë se “ne nuk mund të jemi vetvetja pa tjetrin e pa të tjerët. Gjithçka lidhet ngushtë”.

Këtë e theksoi Françesku e, së fundi, i vlerësoi karabinierët për angazhimin e tyre të përditshëm dhe i nxiti ta vazhdojnë ecjen në këtë rrugë, me guxim.

21 maj 2022, 19:41