Kërko

Papa Françesku para një ikone të Pauline Jaricot Papa Françesku para një ikone të Pauline Jaricot 

Françesku: misioni është fe e flaktë, që nuk kënaqet me pak

Papa u shkruan Veprave Papnore Misionare, mbledhur në asamblenë e përgjithshme në Lion, ku të dielën, kardinali Tagle do të shpallë të Lume, Pauline Jaricot, themeluesen e Veprës për Përhapjen e Fesë: kthesa misionare e Kishës nuk është prozelitizëm, por dëshmi

R.SH. – Vatikan

“Pauline Jaricot i pëlqente të thoshte se Kisha ka natyrë misionare, prandaj, çdo i pagëzuar e ka një mision; madje, është mision. Shërbimi i parë i Veprave Papnore Misionare është pikërisht të ndihmojnë për ta jetuar këtë vetëdije”: kështu shkruan Papa në një mesazh për Veprat, të cilat janë mbledhur që sot e deri më 23 maj në asamblenë e tyre të përgjithshme, në Qendrën Valpré të Lionit, në Francë.

Rreth 120 drejtorët kombëtarë dhe kryetari i organizmit papnor, imzot Giampietro Dal Toso, zgjodhën qytetin francez, pasi të dielën, aty do të shpallet e Lume, Pauline Jaricot, e cila 200 vjet më parë themeloi një nga katër veprat misionare, atë të “Përhapjes së Fesë”. Riti do të kryesohet nga kardinali Luis Antonio Tagle, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Pauline ishte 23 vjeç kur filloi të mbështesë veprimtarinë misionare të Kishës. “Disa vite më vonë nisi të ashtuquajturën  ‘Rruzare e Gjallë’, një organizëm, që i kushtohej lutjes dhe mbledhjes së ofertave. Nga familje e pasur, ajo vdiq në varfëri: me lumnimin e saj - pohon Papa - Kisha dëshmon se ka ditur të grumbullojë thesare në Qiell, thesare, që lindin nga guximi i dhurimit dhe zbulojnë sekretin e jetës: vetëm duke e dhuruar mund ta kesh, vetëm duke e humbur mund ta rigjesh”.

Përvjetoret e Veprave Papnore Misione më 2022

Papa Françesku vë në dukje se këtë vit kremtohet 100-vjetori i dhënies së titullit “papnore” për Veprën e Përhapjes së Fesë, për atë të Fëmijërisë Shenjte dhe për atë të Shën Pjetrit Apostull. Gjithashtu, gjatë këtij viti, përkujtohet edhe 150-vjetori i lindjes së themeluesit të Bashkimit Papnor Misionar, të Lumit Paolo Manna. Këta përvjetorë, shpjegon Ati i Shenjtë, “janë pjesë e kremtimit të 400-vjetorit të Kongregatës De Propaganda Fide, me të cilën lidhen ngushtë Veprat Misionare, që bashkëpunojnë me të për të mbështetur Kishat në territoret e besuara këtij Dikasteri”, “themeluar për të mbështetur dhe për të koordinuar përhapjen e Ungjillit në vende të panjohura deri në atë çast”.

Kisha e ungjillëzimi

Papa thekson se ungjillëzimi është një nga dinamikat më themelore të Kishës, prandaj në Kushtetutën e re Apostolike “Praedicate Evangelium”,  Dikasteri i Ungjillëzimit merr një rol të veçantë për të “nxitur kthesën misionare të Kishës, që nuk është prozelitizëm, por dëshmi”. Papa Françesku nënvizon tri aspekte, që kanë kontribuar në përhapjen e Ungjillit, gjatë historisë së Veprave Papnore Misionare: “kthesa misionare, lutja dhe bamirësia konkrete”. Pauline Jaricot është shembull për të tria. Ajo u përpoq të identifikohej “me Zotin, edhe përmes vuajtjeve që provonte, me qëllim që të ndizej flaka e dashurisë së Tij për çdo njeri”. “Këtu qëndron gurra e misionit – vëren Papa – në fenë e flaktë, që nuk kënaqet me pak e që, përmes kthesës, bëhet imitim i Krishtit nga dita në ditë, për të përhapur mëshirën e Hyjit në rrugët e botës”.

Lutja e bamirësia

 Lutja, shpjegon Ati i Shenjtë Bergoglio aspektin e dytë të ungjillëzimit, është “forma e parë e misionit”. Jo më kot, Pauline nisi “Rruzaren e Gjallë”, pasi misioni nuk mund të realizohet pa lutjen, pa hirin e Shpirtit Shenjt. Gjithashtu, ajo bëri gjithçka për të mbledhur fonde, që u bënë themelore për mbështetjen e veprimtarisë misionare, përmes bamirësisë. Së fundi, Papa u bën thirrje Veprave Papnore Misionare të frymëzohen gjithnjë nga Pauline Jaricot, nga “kjo grua e madhe misionare”, të frymëzohen nga “feja e saj konkrete, nga guximi e nga krijimtaria e saj bujare”.

17 maj 2022, 11:40