Kërko

Rektorët e Universiteteve të Lacios Rektorët e Universiteteve të Lacios 

Françesku: formimi universitar duhet të jetë me të vërtetë “universal”, jo i ideologjizuar

Në audiencën me rektorët e universiteteve publike të Romës dhe të Lacios, Françesku reflektoi për formimin akademik, i cili nuk duhet të ngrihet më mbi trashëgiminë iluministe, por mbi horizonte të hapura, që u mësojnë të rinjve vlerën e paqes, përtej gardheve të ideologjive.

R. SH. - Vatikan

Pandemia, përhapja nëpër Evropë e “luftës së tretë botërore copa-copa”, shqetësimi ambiental global, thellimi i pabarazive: këto janë sfidat e ndërlikuara kulturore, intelektuale dhe morale, me të cilat duhet të ballafaqohen brezat e rinj sot. Këtë theksoi Papa, duke u folur rektorëve të 13 universiteteve publike, shtetërore dhe joshtetërore të Romës dhe Lacios.

Papa, universiteteve: rimendoni modelet e zhvillimit

 Pandemia, përhapja nëpër Evropë e “luftës së tretë botërore copa-copa”, shqetësimi ambiental global, thellimi i pabarazive: këto janë sfidat e ndërlikuara kulturore, intelektuale dhe morale, me të cilat duhet të ballafaqohen brezat e rinj sot. Këtë theksoi Papa, duke u folur rektorëve të 13 universiteteve publike, shtetërore dhe joshtetërore të Romës dhe Lacios. Françesku nënvizoi se në këto çaste të veçanta historike, detyra e universiteteve është me përgjegjësi të madhe. E është i nevojshëm edhe një investim i madh arsimor. Më pas kujtoi edhe Global Compact on Education, “Projektin e përbashkët të punës në shkallë globale”, që përfshin shumë bashkëbisedues, duke nisur nga fetë kryesore, për të vijuar me institucionet ndërkombëtare, institucionet individuale e ato arsimore”:

“Duke nënshkruar me këtë frymë dokumentin për vëllazërimin njerëzor në Abu Dabi, më 4 shkurt 2019, kujtuam se ‘e kemi për zemër formimin e gjithanshëm, që përmblidhet në njohjen e vetvetes, të vëllait, të krijimit dhe të Zotit’. E ky, konkretisht, është horizonti i paqes, të cilin sot, me të drejtë, e kërkojmë dhe për të cilin lutemi vazhdimisht; e, për pasojë, edhe i zhvillimit të vërtetë e të gjithanshëm, që nuk mund të ndërtohet ndryshe, veçse me frymë kritike, me liri, me ballafaqim të plotë dhe me dialog”.

Modelet ekonomike, kulturore dhe sociale ta vënë përsëri njeriun  në qendër të  vëemendjes

Papa mendon se “duhet bërë shumë për të siguruar zhvillimin teknologjik dhe shkencor dhe për të garantuar qëndrueshmërinë njerëzore, ndaj shton:

“Ndryshimet e mëdha kërkojnë t’i rimendojmë modelet tona ekonomike, kulturore dhe sociale, në mënyrë që të rifitojmë vlerën kryesore, njeriun. Edhe vetë termi 'universitet' nënkupton bashkësinë, por edhe idenë e konvergjencës së njohurive, në një kërkim që i jep vërtetësi dhe kuptim dialogut ndërmjet të gjithë burrave dhe grave të botës”.

Kontributi i universiteteve

Universitetet mund të kontribuojnë “duke bashkuar energjitë më të mira intelektuale dhe morale” - vijoi Françesku - që, në vijim, vërejti se sot “studentët nuk kënaqen me mediokritetin, me përsëritjen e thjeshtë të njohurive” apo “me formimin profesional pa horizont”. E këtë e dëshmon mobilizimi i madh i shumë studentëve të rinj të doktoraturës dhe studiuesve të ekonomisë në universitete, që po kërkojnë “përgjigje të reja dhe efikase, larg entuziazmit të vjetër, të lidhur me kulturën shterpe të konkurrencës për pushtet”.

Papa i ftoi rektorët e universiteteve t’i dëgjojnë studentët, mësuesit, por edhe “realitetet shoqërore dhe institucionale”, nxiti investimet, “për zhvillimin njerëzor të kërkimit, që ka të bëjë me formimin e të rinjve të aftë për të sjellë diçka të re në botën e punës dhe në shoqëri dhe me ndihmën që u duhet dhënë të gjithë atyre, të cilët e meritojnë, por nuk i kanë mjetet e nevojshme për ushtrimin e plotë të së drejtës për studim dhe trajnim”.

Të nxiten format e 'shërbimit të të mësuarit' për bashkësinë

Papa kërkon gjithashtu “të mirëpriten studentët, shkencëtarët dhe pedagogët, që janë viktima të persekutimit, të luftërave, të diskriminimit në vende të ndryshme të botës” dhe të stimulohen “format e mësimdhënies për bashkësinë”, sepse studentët që ndeshen me varfërinë dhe periferitë ekzistenciale e shoqërore, i japin më shumë kuptim dhe vlerë formimit të tyre, “ të pandarë nga jeta, nga njerëzit dhe nga shoqëria”:

“Uroj që bashkësitë tuaja të jenë plot gjallëri, transparente, aktive, mikpritëse, të përgjegjshme, në një klimë të frytshme bashkëpunimi, shkëmbimi dhe dialogu, duke i vlerësuar të gjithë e secilin. Uroj ta lexoni dhe ta njihni këtë ndryshim epoke me reflektim dhe shyrtim, pa paragjykime ideologjike, pa frikë a arratisje, apo, më keq akoma, pa konformizëm”.

Drejt jubileut të 2025-s

Më në fund, Françesku kujtoi lidhjen e ngushtë ndërmjet Kishës dhe Universitetit - ishte Bonifaci VIII që themeloi Studium Urbis, Universitetin e Romës në vitin 1303 - dhe argumentoi se kjo “marrëdhënie e lashtë dhe e konsoliduar, duhet të hapë rrugë të reja zhvillimi”.

Papa përfundoi duke vërejtur se motoja e jubileut të ardhshëm të vitit 2025, Shtegtarë shprese, mund ta “shprehë këtë angazhim” si dhe “synimin drejt caqeve të përbashkëta të jetës, të së mirës dhe të vëllazërisë”.

16 maj 2022, 15:01