Kërko

Ati i Shenjtë Françesku: Charles de Foucauld të mëson thelbin e Ungjillit

Para audiencës së përgjithshme, Papa takoi një grup të Shoqatës së Familjes Shpirtërore “Charles De Foucauld” në mjediset e Sallës Pali VI. Françesku i nxiti anëtarët të ndiqnin shembullin e Shenjtit, lartuar të dielën e kaluar në nderìmet e altarit

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shprehu gëzimin për shenjtërimin e “Vëllait Karl”. “Në të mund të shikojmë profetin e kohës sonë, që diti të nxjerrë në dritë esencalitetin dhe universalitetin e besimit - kujtoi Ati i Shenjtë - ndërsa u drejtohej ndjekësve të veprës së atij, që ia kushtoi jetën të varfërve të Afrikës, lutjes dhe meditimit.

Jezusi është Dashuri

Duke ndjekur shembullin e Charles de Foucauld, Françesku nxiti të zbulohet thelbi i mesazhit të krishterë, “sidomos duke u kthyer në shpirtin e origjinës, në shpirtin e Nazaretit”. Kujdesi për të të tjerët - theksoi - është sekreti i jetës së frymëzuar nga feja. “Sa i lumtur është Zoti - nënvizoi Papa - kur sheh sesi ndiqet në rrugën e vogëlsisë, të përvujtërisë, të ndarjes së kamjes me të varfërit!”. Më pas Françesku kujtoi edhe fjalët e dishepullit,  shprehur në Letrën drejtuar Maria de Bondit, më 20 maj 1915: “Zoti e vë në vend të parë dashurinë; më pas, flijimin e frymëzuar nga dashuria dhe nga bindja, e cila buron nga dashuria”.

“Si Kishë kemi nevojë të kthehemi te themelorja pa e humbur kurrë nga sytë pastrinë e thjeshtë të Ungjillit”. Një aspekt tjetër, që karakterizon figurën e Shenjtit të ri - theksoi akoma Papa - është ai i universalitetit. De Foucald e jetoi fenë e krishterë si vëlla me të gjithë, duke nisur nga më të vegjlit. Ai nuk synonte t’i kthente të tjerët në fenë e krishterë, por ta mishëronte dashurinë falas të Zotit, “duke e jetuar apostullimin e mirësisë për të gjithë: për të krishterët, myslimanët, hebrenjtë dhe idhujtarët”, e duke e konsideruar veten vëllau i tyre, “vëlla universal”.

Më pas Ati i Shenjtë falenderoi anëtarët e Shoqatës për “dëshminë e tyre, e cila bën shumë mirë, veçanërisht në një kohë kur ekziston rreziku i mbylljes në  partikularizma, i rritjes së distancave, i humbjes së vëllaut nga sytë”.

Falënderim për Charles de Foucauld

Françesku ia kushtoi pjesën e fundit të fjalimit të tij kujtimeve të kohës kur, si student i teologjisë, u frymëzua nga figura e Shën Karlit për ta pasuruar udhën e fesë. “Dëshiroj të falënderoj Shën Charles de Foucauld, sepse përshpirtëria e tij më bëri shumë mirë kur studioja teologji, kohë e fitimit të pjekurisë, por edhe krizës. Ai më ndihmoi shumë për t’i kapërcyer krizat dhe për të gjetur një udhë të krishterë më të thjeshtë, më pranë Zotit. E falënderoj Shenjtin dhe jap dëshmi për këtë, sepse më bëri shumë mirë”.

18 maj 2022, 13:45