Kërko

Drejtorët e revistave të jezuitëve takohen me Papën Françesku

Papa Françesku priti sot paradite, në Vatikan, dhjetë redaktorë të revistave të drejtuara nga jezuitët. Është fjala për revistat kulturore evropiane të Shoqërisë së Jezusit. Në qendër të bisedës, tema e luftës në Ukrainë, jeta e Kishës dhe rruga sinodale

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite, në Vatikan, dhjetë redaktorë të revistave të drejtuara nga jezuitët. Është fjala për revistat kulturore evropiane të Shoqërisë së Jezusit: Stimmen der Zeit (Gjermani), Choisir (Zvicër), Signum (Suedi), Razón y fe (Spanjë), Brotéria (Portugali), Deon (Poloni), A Szív (Hungari) , Viera në život (Sllovaki), Thinking Faith (MB) dhe La Civiltà Cattolica (Itali). Tre redaktorë janë laikë e dy janë gra (për revistat zvicerane dhe angleze). Të tjerët janë rregulltarë jezuitë.

Në audiencë mori pjesë edhe Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, Atë Arturo Sosa Abascal. Biseda zgjati më se një orë, e bazuar mbi “stilin e zakonshëm vëllazëror dhe të drejtpërdrejtë”, shkruan Atë Antonio Spadaro, drejtor i “La Civiltà Cattolica”, në një postim në Twitter. “Nuk u mbajtën fjalime në këtë takim, që ishte dialog i thjeshtë dhe joformal, me pyetje e përgjigje - vijon Atë Spadaro - folëm veçanërisht për luftën në Ukrainë dhe situatën e vështirë që po përjeton bota, por edhe për jetën e kishës, për rrugën e tanishme sinodale dhe misionin e këtyre revistave”. Drejtorët janë në Romë për një takim tre-ditor. Biseda e plotë e këtij takimi, do të publikohet së shpejti nga “La Civiltà Cattolica” dhe nga revistat e vendeve të tjera.

20 maj 2022, 12:27