Françesku, sllovakëve: punoni për paqen me dashuri e mikpritje
R. SH. - Vatikan
Duke u uruar mirëseardhjen, Papa i përshëndeti sllovakët, një turmë e pafundme shtegtarësh, ardhur në Romë për këtë takim të shumëdëshiruar me Papën. E përshëndetjen e parë Ati i Shnejtë ua dha në gjuhën e tyre, si të donte t’u kujtonte se në Vatikan ishin si në shtëpinë e vet: “Vitajtje!” - “Mirëse erdhët për të treguar lidhjen tuaj me Pasardhësin e Pjetrit dhe për ta dëshmuar publikisht fenë tuaj, pikërisht në këtë kohë Pashke”.
Më pas, përshëndetjet drejtuar prijësve të turmës pa fund të besimtarëve, duke nisur nga kardinali Jozef Tomko, prania e të cilit - kujtoi Papa - na bën të ndiejmë se Kisha është një familje, që di ta nderojë moshën e shkuar, duke e parë si dhuratë, për të vijuar me kryeipeshkvin metropolit të Bratislavës, Imzot Stanislav Zvolenský, në krye të këtij shtegtimi si kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Sllovake, me autoritetet civile e, në veçanti, me Kryeparlamentarin e Republikës Sllovake dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.
Rikujtim i një vizite të paharrueshme
Duke kujtuar në vijim, vizitën në Sllovaki, Papa theksoi:
“I çmoj takimet tona, shtatorin e kaluar, në Bratislavë, Prešov (Preshov), Košice (Coshitse) dhe në shenjtëroren kombëtare të Zojës me Shtatë Hanxharë në Šaštín (Shashtjin). Ishte kënaqësi e madhe për mua të shikoja se si Kisha në Sllovaki e jeton pasurinë e larmisë së riteve dhe të traditave, si urë që lidh Perëndimin me Lindjen e Krishterë. Falënderojmë Zotin sepse, pavarësisht nga pandemia, munda të vizitoj vendin tuaj; ndihmoftë që të piqen frytet e udhëtimit apostolik!”.
Sot erdhët me shumicë për të falënderuar - u kujtoi në vijim Papa miqve, që e kishn mbushur përplot Sallën vigane të Palit VI – por kuptova edhe se shtegtarët sllovakë janë të lum, që vijnë në Romë: në audiencat e përgjithshme e shikoj qartë se populli juaj është shumë i lidhur me Selinë e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit!
Nxitje e re për të ecur të gjithë së bashku
Duke ardhur mes jush, doja t’ju inkurajoja të ecni me stilin e takimit, të gjithë së bashku: të rinj, familje, të moshuar, bashkësi të ndryshme, që historikisht bëjnë pjesë në shoqërisë tuaj.
Kultura e takimit krijohet në kërkimin e harmonisë me larmitë, harmoni që kërkon mirëpritje, përzemërsi, frymë krijuese. Në rrënjët e këtij stili jetese është Ungjilli, është Shpirti Shenjt. Por ne e dimë se në histori dhe në jetën konkrete kjo harmoni plagoset shpesh nga mëkatet dhe kufizimet tona. Prandaj, gjatë vizitës sime, u lutem edhe për shërimin e plagëve. Ju këshilloj – vijoi Papa:
“Lutjuni pa u lodhur kurrë Shpirtit Shenjt, Krijuesit të harmonisë, balsamit të plagëve!”.
Më treguan - vijoi Françesku - se tapeti i madh, i përdorur për skenën gjatë takimit me bashkësinë rom, në Košice (Coshitse), u pre e u shpërnda në familjet e lagjes e përdoret për mikun që i shkel në prag çdo shtëpie. Si mysafir, më pritët me bukë e kripë e zemër!
Simbolet: bukë e kripë e zemër
Kripa e mirëseardhjes të kujton kripën e Ungjillit. Buka, jetën. Zemra, dashurinë:
“E ju po i vini në jetë këto simbole, këtë herë në kontekstin tragjik të luftës. Në muajt e fundit, shumë nga familjet, famullitë dhe institucionet tuaja kanë pritur nën çatinë e tyre nëna me fëmijë nga familje ukrainase, të detyruara të ndahen për të shpëtuar veten, që mbërritën me bagazhin e tyre të varfër”.
Duke parë sytë e tyre, jeni dëshmitarë të pasojave të luftës, që i cenon lidhjet familjare, i lë fëmijët pa baballarë e pa shkollë e gjyshërit pa plang e pa shtëpi:
“Ju bëj thirrje të vazhdoni të luteni dhe të punoni për paqen, e cila ndërtohet në jetën tonë të përditshme, edhe me këto gjeste mirëseardhjeje e bamirësie. Dhe e di që jeni solidarë jo vetëm me vëllezërit fqinjë, por edhe me të largët, si ata të Kubës”.
Kushdo që pret një nevojtar, kryen jo vetëm një akt bamirësie, por edhe besimi, sepse e shikon Jezusin tek vëllai a tek dhe motra - kujtoi Papa - për t’i bekuar pastaj të pranishmit me fjalë prekëse:
“Uroj që Zoti të mos ju lërë kurrë pa kripën e mirëseardhjes! E që kripa juaj të mos e humbasë shijen e saj, duke u ripërtërirë gjithmonë me limfën jetike të rrënjve”.
Papa u kujtoi mysafirëve se i njeh mirë edhe traditat e tyre të shquara, trashëgiminë e shenjtorëve Kirili e Metodi, për të cilët janë krenarë E, në vijim, i ftoj ta ruajnë dhe ta kultivojnë gjithnjë këtë trashëgimi, të ndërtojnë ura vëllazërimi, së bashku me të gjithë popujt që ushqehen nga të njëjtat rrënjë të ungjillizimit të Evropës, e të marrin frymë me të dyja mushkëritë e krishterimit, për të cilat pati folur Papa Shenjt Gjon Pali II.
Në përfundim të këtij takimi tejet të përzemërt, Françesku i falënderoi sllovakët për besnikërinë ndaj Krishtit, për dëshminë e gjallë dhe besimin e jetuar me ekumenizmin praktik të marrëdhënieve me fqinjët, me mirëpritjen plot dashuri edhe të atyre, që ndryshojnë nga ne, me respektin për çdo jetë njerëzore dhe me përgjegjësinë e kujdesin për ambinetin.
Takimi u mbyll me bekimin:
“Zoja me Shtatë Hanxharë, Pajtore e Sllovakisë, qoftë për ju Nënë, që ju shoqëron gjithmonë në udhëtim, duke ju mësuar të ngushëlloni dhe të sillni shpresë. Atë shpresë që nuk të zhgënjen e që ka një emër: Krishti i Ngjallur. Christòs voskrese!”.