Papa: së bashku për një shoqëri, që i përfshin edhe më të ligshtët
R. SH. - Vatikan
Françesku e vlerësoi lart Fondacionin Italian të Autizimit, pritur sot paradite në Sallën Klementine, për punën e bërë në ndihmë të njerëzve me autizëm dhe kufizime intelektive, duke aktivizuar, që nga viti 2015, studiues, mjekë, psikologë, ente e shoqata familjare:
“Duke i çuar përpara projektet e kërkimeve shkencore dhe nismat në dobi të më të ligshtëve e më të pafatëve - pohoi Papa - ju jepni një kontribut me vlerë në luftën kundër kulturës së hedhurinës, shumë e përhapur në shoqërinë tonë, tepër të zënë nga konkurenca e rendja pas fitimit”.
Me këtë rast Papa nënvizoi se çdo formë e kufizimit “është sfidë dhe mundësi për të ndërtuar së bashku një shoqëri gjithëpërfshirëse. Shoqëri, në të cilën ka vend për jetë aktive edhe të njerëzve me kufizime. Gjë që kërkon, në radhë të parë, ndryshimin e mendësisë dhe krijimin e një rrjeti ndërmjet shoqatave, bashkësisë civile e asaj kishtare.
Në përfundim Françesku u foli pjesëmarrëve për nismën e të rinjve të pranishëm që, duke u ofruar picat e tyre të pastrehëve të Romës, duan të jetojnë së bashku disa çaste të gëzuara, si këto që kaluan me Françeskun.
Ky takim prekës përfundoi me një falënderim të dalë nga zemra: “Faleminderit, Atë i Shenjtë, që vijon t’i japësh zë, njeriut që nuk e ka!”.
Bota jonë është e larmishme, por të gjithë jemi pjesë e një shoqërie
Dita botërore e 2 prillit është rast i përshtatshëm për t’u kujtuar të gjithëve dëshirën që kanë këta të rinj për të jetuar, duke i pasur mirë parasysh veçantitë e tyre. Ndeshen shpesh me padijen e indiferencën. Por gjithsesi bëjnë pjesë në të njëjtën shoqëri e duan ta bëjnë këtë edhe konkretisht.
Në përfundim të takimit, dhurata për Françeskun: dreka e shtruar në Sheshin e Shën Pjetrit, “në shtëpinë e Papës”, për të varfërit e këtij Sheshi, të famshëm, ku mblidhet çdo ditë një bashkësi shumëngjyrëshe.