Kërko

Takimi i Papës me besimtarët nga Lodz i Polonisë Takimi i Papës me besimtarët nga Lodz i Polonisë  (Vatican Media)

Papa: mëshira kërkon fantazi, ekumenizmi është i domosdoshëm

Françesku priti në audiencë shtegtarë nga Łódź i Polonisë, që erdhën në Romë në përfundim të jubileut të 100-vjetorit të dioqezës së tyre: i bekoi ata, që hapin mendjet, zemrat dhe shtëpitë për të sëmurët, të moshuarit, të pastrehët, emigrantët. Bamirësia, nënvizoi Papa, “ka shumë fytyra, aq sa ka të plagosur dhe të rënë përtokë”

R.SH. – Vatikan

Ekumenizmi dhe mëshira, dy aspekte themelore të krishterimit, janë elementet qendrore në “ADN”-në e Kishës së Łódź, qytet universitar në Poloninë qendrore. Origjina e kësaj kryedioqeze, themeluar në vitin 1920, lidhet me ipeshkvin e parë, imzot Wincenty Tymieniecki, “njeri tejet i mëshirshëm, me ndjeshmëri të madhe ekumenike”. Papa e kujtoi bashkë me besimtarët polakë, të cilët i priti në audiencë gjatë shtegtimit të tyre në Romë, në përfundim të jubileut të 100-vjetorit të dioqezës së tyre.

Mëshira kërkon fantazi të madhe

 Fjalët e Françeskut në Sallën Pali VI, në Vatikan, i dëgjuan edhe autoritetet civile të qytetit të Łódź, përfshirë kryetarin e këshillit rajonal dhe kryetarin e bashkisë, që kishin ardhur bashkë me besimtarët. Të pranishëm, edhe një përfaqësi e gjerë e vëllezërve dhe motrave, që u përkasin kishave të tjera të krishtera. Në takim, edhe shumë të rinj, sidomos studentë universitarë, por edhe të pastrehë e njerëz me aftësi të kufizuar. Françesku u kujtoi atyre se rruga e mëshirës është ajo e Ungjillit.

“Sot mëshira kërkon ‘fantazi’ të madhe, krijimtari të madhe, që na bën apostuj të Mëshirës, ​​poetë të Mëshirës. Sot, na duhet poezia e Mëshirës. Ka shumë fytyra, aq sa ka të plagosur dhe të rënë përtokë. Secili mbart në shpirt plagë, edhe kur jo të gjitha janë të dukshme. I bekoj me gjithë zemër veprat tuaja të bamirësisë, edhe ato personale, spontane e të fshehta. I bekoj ata, që hapin mendjet dhe zemrat, që hapin shtëpi dhe vënë në dispozicion fonde për të sëmurët, të moshuarit, të papunët, të pastrehët, emigrantët, të gjithë të varfërit, të vuajturit dhe të mënjanuarit, si edhe për fëmijët, të cilët kanë nevojë për strehë e familje. Kështu, duke i hapur dyert, duke hapur gjithçka, Kisha merr një fytyrë më ungjillore, atë të Samaritanit të Mirë, i cili nuk dëshiron dhe nuk di të jetë indiferent”.

Ekumenizmi është i domosdoshëm

Një tipar tjetër dallues në jetën e Kishës është ekumenizmi. “Dikur - pohoi Papa - ne e shkishëronim njëri-tjetrin. Tani, falë Zotit, quhemi vëllezër”. “Vazhdoni kështu, bashkim ndërmjet nesh. Faleminderit! Kemi nevojë për këtë unitet”. Duke kujtuar historinë e kryedioqezës së Łódź, Françesku theksoi se ipeshkvi i saj, Tymieniecki “diti të bashkonte në vetvete guximin e mëshirës me guximin e ekumenizmit”:

“Zgjodhi rrugën e ekumenizmit shumë më parë se Kisha Katolike ta fillonte atë zyrtarisht. Ju nxis ta mbani gjallë këtë guxim të Bariut tuaj të parë. Ta ruani vendosmërinë ekumenike, duke kujtuar se ekumenizmi në Kishë nuk është diçka fakultative, ose dekorative, por qëndrim thelbësor. Ju inkurajoj të ecni së bashku, në reflektimin teologjik dhe në ungjillëzimin, në lutjen e përbashkët dhe në dëgjimin e Fjalës së Zotit, në dëshminë e vëllazërimit. Në këtë rrugë, ju konsolidoni shoqërinë vendase, të cilën me krenari e quani ‘bashkësia e katër kulturave’”.

Shtegtimi është imazh i Kishës sinodale

 Papa kujtoi udhën sinodale të Kishës, filluar tetorin e kaluar, për të cilën përfundon së shpejti etapa dioqezane. Edhe shtegtimi, u tha polakëve, është një imazh i bukur i Kishës sinodale, “që ecën në udhët e apostujve, ecën së bashku, si familje vëllezërish e motrash” nga realitete të ndryshme kishtare. Ati i Shenjtë u uroi besimtarëve të jenë tharmi i shoqërisë e të kenë forcën e kokrrës ungjillore të sinapit, nga e cila lind një filiz, që bëhet pemë, ku zogjtë mund të ndërtojnë folenë e tyre.

1500 shtegtarët e kryedioqezës së  Łódź erdhën në Romë më 26 prill, ditë në të cilën morën pjesë në meshën e kremtuar në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku ndodhej edhe Lëmoshtari papnor, kardinali Konrad Krajewski, i cili është lindur pikërisht në Łódź. Më 27 prill, në 8-vjetorin e kanonizimit të shën Gjon Palit II, ata ishin të pranishëm në audiencën e përgjithshme. E sot, u takuan me Papën.

28 prill 2022, 14:23