Kërko

Papa Françesku në njërin nga udhëtimet e tij apostolike Papa Françesku në njërin nga udhëtimet e tij apostolike 

Papa Françesku: Ministri indonezian i Punëve Fetare e fton të vizitojë vendin

Indonezia e fton Papën Françesku të vizitojë vendin: njoftimin ia dha Nuncit Apostolik, imzot Pietro Pioppo dhe ipeshkvijve katolikë indonezianë, Ministri i Punëve Fetare, Menag RI Yaqut Cholil Qoumas, i cili shkoi më 23 prill në ishujt Moluke për të marrë pjesë në shugurimin e ipeshkvit të ri të dioqezës së Amboinës, imzot Senno Ngutra.

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku do të ftohet për një vizitë në Indonezi, vend me shumicë myslimane. Lajmin e dha Ministri i Punëve Fetare, Menag RI Yaqut Cholil Qoumas, i cili u takua në Ambon me nuncin apostolik, imzot Pietro Pioppo dhe me ipeshkvijtë katolikë të vendit, para se të merrte pjesë në shugurimin e ipeshkvit të ri të dioqezës së Amboinës, imzot Senno Ngutra. Ministri nënvizoi se së shpejti do të udhëtojë për në Vatikan për t’i dorëzuar Atit të Shenjtë një mesazh dhe ftesën zyrtare për një shtegtim në Indonezi.

Shtegtimi në Indonezi u shty, për shkak të pandemisë

Selia e Shenjtë e pati bërë të ditur dëshirën e Papës Françesku për të vizituar Indonezinë dhe Timorin Lindor që në shtator të vitit 2020, por udhëtimi, i mbetur në fazën e studimit, u anulua, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Menag RI Qoumas njoftoi gjithashtu se qeveria indoneziane do të promovojë ndërtimin e një kishe të re katedrale në IKN Nusantara, që do të jetë kryeqyteti i ri indonezian, në Kalimantanin Lindor, në bashkëpunim me ipeshkvin e vendit. Ministria për Punët Fetare synon edhe të rivendosë dy festa kombëtare të krishtera: atë të Ngjitjes së Krishtit në Qiell dhe atë të Pashkëve. Ndërkaq, termi “Isa Al Masih” do të shndërrohet zyrtarisht në fjalën “Krisht”, duke pranuar kështu kërkesën e bashkësisë së krishterë indoneziane.

Në Indonezi, marrëdhënie të mira ndërfetare

Në fjalën e tij pas shugurimit, ipeshkvi i ri i dioqezës së Amboinës, imzot Senno Ngutra, në të kaluarën i impenjuar aktivisht me të rinjtë për ndërgjegjësimin e tyre ndërfetar, iu drejtua ministrit, duke e ftuar qeverinë të promovojë solidaritetin shoqëror dhe tolerancën ndërfetare jo vetëm përmes fjalimeve, por edhe me programe e ndërhyrje të frytshme për të mirën e gjithë shoqërisë indoneziane, ku katolikët janë një pakicë prej 2,91% të popullsisë, e cila përbëhet nga rreth 87% myslimanë, gati 7% protestantë, 1,8% hinduistë dhe 3,4% të feve të tjera. Qeveria njeh zyrtarisht gjashtë fe, ndër të cilat edhe katolicizmin. Liria fetare mbrohet me kushtetutë dhe, në përgjithësi, marrëdhëniet ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare janë paqësore. Gjithsesi, gjatë viteve të fundit, janë vërejtur forma të fundamentalizmit islamik, të cilat, megjithëse jo të shumta, i shqetësojnë pakicat fetare, pasi kanë aftësinë për të ndikuar mbi politikat qeveritare.

26 prill 2022, 12:51