Françesku: shtetet të mbështesin një shoqëri, “mike me familjen”
R.SH. – Vatikan
Realiteti i familjes, i kuptuar si “pasuri marrëdhëniesh”, është në qendër të punimeve të asamblesë së përgjithshme të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, temë e vlerësuar nga Papa Françesku, i cili i priti sot pjesëmarrësit në Vatikan. Në fjalën, që u drejtoi, theksoi rëndësinë e lidhjes familjare, së cilës i përvijoi tiparet: dhurimi, reciprociteti, lindja e fëmijëve, mikpritja; të gjitha, të domosdoshme për ndërtimin e “një shoqërie vëllazërore, në gjendje të kujdeset për shtëpinë e përbashkët”. Por këto vlera duhen rizbuluar:
“Familja është pothuajse gjithmonë në vendin e parë të shkallës së vlerave ndër popuj të ndryshëm, sepse ajo është pjesë e vetë natyrës së grave e burrave. Në këtë kuptim, martesa dhe familja nuk janë institucione thjesht njerëzore, pavarësisht nga ndryshimet e shumta, që kanë pësuar në shekuj dhe nga dallimet kulturore e shpirtërore ndërmjet popujve të ndryshëm”.
Familja ka funksion shoqëror
Sidomos në Perëndim, denoncoi Papa, martesa jetohet thjesht privatisht, duke e humbur funksionin e saj shoqëror. Françesku përmendi edhe një herë themelet e jetës familjare:
“Atëherë, duhet të kuptojmë se familja është pasuri për shoqërinë, jo si grumbull i thjeshtë individësh, por si marrëdhënie të bazuara në ‘lidhje përsosmërie reciproke’, për të përdorur një shprehje të Shën Palit. Vërtet, qenia njerëzore është krijuar në shëmbëlltyrë e në përngjasim me Zotin, i cili është dashuri. Dashuria ndërmjet burrit dhe gruas është pasqyrë e dashurisë absolute dhe pa të meta, me të cilën Zoti e do njeriun, i destinuar të jetë i frytshëm dhe të realizohet në punën e përbashkët për një rend të caktuar shoqëror dhe për kujdesin ndaj gjithësisë së krijuar nga Zoti”.
Familja duhet ndihmuar
Familja, shpjegoi më tej Papa, bazohet mbi marrëdhënie, përmes të cilave bashkëshortët shprehin dashurinë besnike, besimin, bashkëpunimin, reciprocitetin. Këtu qëndron lumturia e anëtarëve të saj. Këto marrëdhënie, vijoi më tej Ati i Shenjtë, bëhen burim të mirash e shembulli për gjithë bashkësinë, për shtetin e për shoqatat e shoqërisë, duke nxitur solidaritetin ndërmjet familjeve, ndihmën për njerëzit në vështirësi, kujdesin për nevojtarët e kështu me radhë. Familja e humanizon njeriun, pasi e vë atë në raport me të tjerët, duke pranuar ndryshimet e ligjshme ndërmjet anëtarëve të saj. Por, për ta luajtur këtë rol, familja duhet ndihmuar, theksoi Françesku:
“Është e nevojshme që në të gjitha vendet të promovohen politika shoqërore, ekonomike e kulturore ‘mike të familjes’. Për shembull, janë të tilla, politikat, që bëjnë të mundur harmonizimin ndërmjet familjes e punës: politikat fiskale, që njohin ngarkesat familjare dhe mbështesin funksionin edukativ të familjeve, duke marrë masa të përshtatshme për barazinë tatimore; politikat e mirëpritjes së jetës; shërbimet shoqërore, psikologjike dhe shëndetësore të përqendruara në mbështetjen e marrëdhënieve bashkëshortore e prindërore”.
Ta çlirojmë vështrimin nga ideologjitë
Papa Françesku i kushtoi veçanërisht rëndësi vlerës së dhurimit të vetvetes. “Kur një qytetërim e çrrënjos nga toka pemën e dhurimit falas, - nënvizoi - rënia e tij bëhet e pandalshme. Familja është mbjellësja e parë e kësaj peme”. Bukuria e familjes mund të shiqet qartë edhe sot, por, përfundoi Ati i Shenjtë, nevojiten disa kushte:
“I pari është ta heqim nga syri i mendjes ‘kataraktin’ e ideologjive, që na pengojnë ta shohim realitetin. Është pedagogjia e mësuesit të brendshëm - ajo e Sokratit dhe e Shën Agustinit - dhe jo ajo, që thjesht kërkon konsensus. Kushti i dytë është rizbulimi i përkimit ndërmjet martesës natyrore dhe martesës sakramentore... Kushti i tretë është, siç kujton ‘Amoris Laetitia’, vetëdija se hiri i sakramentit të Martesës… e shëron dhe e larton gjithë shoqërinë njerëzore, është tharmi i vëllazërimit”.