Kërko

Earth Day Earth Day

Earth Day. Papa: si vëllezër e motra, të kontribuojmë për ta ndalur shkatërrimin e Tokës

Dita e Tokës kremtohet një muaj e dy ditë pas ekuinoksit të pranverës, më 22 prill, me objektivin për të promovuar mbrojtjen e “shtëpisë sonë të përbashkët”, pre e ndryshimeve klimatike dhe e babëzisë së njeriut. Në tweet-in e sotëm, Papa Françesku kërkon një impenjim më të madh për të ndalur shkatërrimin e natyrës

R.SH. – Vatikan

“Të gjithë duhet të kontribuojmë për ta ndalur shkatërrimin e shtëpisë sonë të përbashkët e për t’i rikrijuar hapësirat natyrore: qeveri, ndërmarrje e qytetarë duhet të veprojmë si vëllezër e motra, që e ndajnë së bashku Tokën, shtëpinë e përbashkët, që Zoti na e ka besuar”.

Me këtë tweet, Papa Françesku kujton se sot, më 22 prill, e gjithë bota feston Ditën e Tokës (Earth Day), e cila, që prej 52 vitesh mobilizon miliona njerëz nga çdo kontinent për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët. Tema e vitit 2022 është “Të investojmë për planetin tonë”. Ndër synimet, gjetja e zgjidhjeve për t’iu kundërvënë pasojave të ndryshimeve klimatike, me punën e përbashkët të të gjithëve: qeverive, qytetarëve e afaristëve. Dita e Tokës është themeluar në SHBA-të në vitin 1970, kur mbi 20 milionë njerëz kërkuan kujdes më të madh për planetin.

Papa Françesku dhe ekologjia e gjithanshme

Gjatë papnisë së tij, Françesku ka bërë shumë thirrje për mbrojtjen e Tokës. Në veçanti, në enciklikën “Laudato si’”, Papa denoncon pasojat dramatike të ndotjes së planetit dhe “kulturën e hedhurinave”, që duket se po e shndërron globin në “një depo të pamasë mbeturinash”. Dinamika, që mund të ndryshohen, duke ndjekur modele të tjera prodhimi, bazuar në ripërdorimin, riciklimin, përdorimin e kufizuar të burimeve jo të rinovueshme. Edhe ndryshimi i klimës, thekson Papa në enciklikë, është “problem global”, me “ndikime të rënda mbi ambientin, shoqërinë, ekonominë, drejtësinë dhe politikën”. Ati i Shenjtë konfirmon rrugën e doktrinës shoqërore të Kishës, “opcionin preferencial për më të varfërit”. Ekologjia e gjithanshme, e cila është “e pandarë nga nocioni i së mirës së përbashkët”, duhet të bëhet paradigma e re e drejtësisë, nënvizon Ati i Shenjtë.

Ta shohim botën me sytë e Zotit

Në audiencën e përgjithshme të 22 prillit 2020, Papa pohon: “Jemi të thirrur ta gjejmë sërish ndjenjën e respektit të përvuajtur për Tokën, pasi ajo nuk është vetëm shtëpia jonë, por edhe shtëpia e Zotit”. Ndërsa më 22 prill 2015, në përfundim të audiencës së përgjithshme, i fton të gjithë “ta shohin botën me sytë e Zotit Krijues”, duke shtuar se “toka është ambient për t’u ruajtur e kopsht për t’u kultivuar”. Në atë rast, Ati i Shenjtë bën thirrje: “Marrëdhëniet e njerëzve me natyrën të mos udhëhiqen nga lakmia, nga manipulimi apo shfrytëzimi, por nga dëshira për ta ruajtur harmoninë ndërmjet krijesave dhe krijimit, me logjikën e respektit e të kujdesit, për t’u vënë në shërbim të vëllezërve, edhe të brezave të ardhshëm”.

22 prill 2022, 11:56