Videotelefonatë e Papës me Kirill: Kisha të përdorë gjuhën e Krishtit, jo atë të politikës
R.SH. – Vatikan
Së bashku, për të “ndalur zjarrin” e luftës në Ukrainë, sepse ata që “paguajnë faturën” e saj janë “populli, ushtarët rusë dërguar të vdesin e të bombardojnë dhe ata, që bombardohen e humbin jetën”. Kjo është një pjesë nga videotelefonata e Papës Françesku me Patrikun ortodoks të Moskës e të gjithë Rusive, Kirill, në orët e para të pasdites. Ati i Shenjtë shoqërohej nga kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, ndërsa Patriku, nga Mitropoliti Hilarion i Volokolamskut, kreu i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Patrikanën e Moskës.
E jashtëzakonshme, rëndësia e bisedimeve
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, njoftoi se takimi u përqendrua mbi “luftën në Ukrainë dhe mbi rolin e të krishterëve e të barinjve të tyre për të bërë ç’është e mundur që të mbizotërojë paqja”. Duke falënderuar Patrikun për takimin, “motivuar - thuhet në notën vatikanase - nga dëshira për të treguar, si barinj të popullit, një rrugë drejt paqes”, Papa nënvizoi, së bashku me Kirillin, se “Kisha nuk duhet të përdorë gjuhën e politikës, por gjuhën e Jezu Krishtit”. “Jemi barinj të të njëjtit Popull Shenjt, që beson në Zotin, në Trininë Shenjte, në Nënën Shenjte të Zotit: prandaj, duhet të bashkohemi në përpjekjen për ta ndihmuar paqen, për të ndihmuar ata që vuajnë, për të kërkuar rrugë paqeje, për të ndalur zjarrin”. Të dy, vijon nota, theksuan “rëndësinë e jashtëzakonshme të bisedimeve në vijim”, sepse, pohoi Papa, “ai, që paguan faturën e luftës është populli, janë ushtarët rusë dhe njerëzit, që bombardohen e vdesin”.
Roli i Kishave: të përforcojnë paqen e drejtësinë
"Si barinj - vazhdoi Papa – e kemi për detyrë t’u qëndrojmë pranë dhe t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit, që vuajnë nga lufta. Dikur, edhe në Kishat tona flitej për luftë të shenjtë a për luftë të drejtë. Sot nuk mund të flasim kështu. Të krishterët janë ndërgjegjësuar më shumë për rëndësinë e paqes”. Pasi të dy nënvizuan se “Kishat janë të thirrura të kontribuojnë në forcimin e paqes dhe të drejtësisë”, Ati i Shenjtë përfundoi: “Luftërat janë gjithmonë të padrejta. Sepse ai, që paguan, është populli i Zotit. Zemrat tona nuk mund të mos pikojnë lot para fëmijëve, grave të vrara, para gjithë viktimave të luftës. Lufta nuk është kurrë rrugë për t’u ndjekur. Shpirti Shenjt, që na bashkon, na kërkon, si barinj, t’i ndihmojmë popujt, që vuajnë nga lufta”.