Ushtrimet shpirtërore. Françesku: lutemi për nevojat e Kishës dhe të njerëzimit
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa u kërkoi besimtarëve ta shoqërojnë këtë javë në Ushtrimet kreshmore, që do të nisin sot, për të vijuar deri më 11 mars. Për herë të dytë, për shkak të emergjencës Covid, takimi nuk do të mbahet në Ariccia, së bashku me Kurien Romake, por secili do të marrë masat për t’i bërë këto ushtrime në mënyrë personale.
R. SH. - Vatikan
“Sot pasdite, njëherësh me bashkëpunëtorët e Kuries Romake, do të nisim Ushtrimet shpirtërore. Do të lutemi për të gjitha nevojat e Kishës e të familjes njerëzore. E edhe ju, lutuni për ne”.
Papa Françesku u kërkoi besimtarëve, të mbledhur me shumicë për lutjen e Engjëllit, në Sheshin e Shën Pjetrit, ta shoqërojnë shpirtërisht gjatë Javës së Ushtrimeve të Kreshmëve, që do t’i nisë sot e do t’i vijojë deri të premten, më 11 mars. Në këto ditë do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë e Papës, duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme.
Për herë të dytë, pandemia i kushtëzoi ushtrimet e shpirtit të Papës e të Kuries Romake.
06 mars 2022, 16:26