Kërko

Papa: do të shtegtoj në Maltë, vend që mirëpret shumë migrantë

Në audiencën e përgjithshme Françesku përshëndeti maltezët, në prag të shtegtimit apostolik të 2 e 3 prillit. Do të jetë rast “për të shkuar tek burimet e Ungjillit”, në një komb, që ia hap portat njerëzve, në kërkim të një strehe

R.SH. - Vatikan

Në audiencën e përgjithshme Papa Françesku përshëndeti maltezët, në prag të shtegtimit apostolik të 2 e 3 prillit. Do të jetë rast “për të shkuar tek burimet e Ungjillit”, në një komb, që ia hap portat njerëzve, në kërkim të një strehe.

Malta është vend ankorimi për shumë njerëz, që kërkojnë të kapërcejnë detin nga Veriu i Afrikës. Është edhe vend, ku ruhet akoma kujtimi i fondosjes të anijes së Apostullit të Popujve, i cili e solli për herë të parë fenë e Krishtit në këtë arkipelag. Ky vend, që ndodhet në Detin Mesdhe, është cak i shtegtimit të ardhshëm të Papës Françesku, në program më 2  e 3 prill. Shtegtim i ngarkuar me takime, lutje e, sidomos, me përqafimin e migrantëve. Papa e kujtoi gjithë këtë në audiencën e përgjithshme, pas katekizmit:

Të dashur vëllezër e motra, të shtunën e të dielën e ardhshme do të shkoj në Maltë. Në këtë vend të ndritshëm do të jem shtegtar në gjurmët e Shën Palit Apostull, që u prit me shumë dashuri, pasi i qe mbytur anija në lundrim drejt Romës. Ky shtegtim apostolik do të jetë rast për të shkuar tek burimet e kumtimit të Ungjllit, për të njohur nga afër një bashkësi të krishterë me histori mijëravjeçare e plot gjallëri, për të takuar banorët e një vendi, që gjindet në qendër të Mesdheut e në jug të kontinentit evropian,   sot edhe më i angazhuar në mikpritjen e një mori vëllezërish e motrash, në kërkim të një strehe. Që tani ju përshëndes përzemërsisht të gjithë ju, maltezë; mirëdita! I falënderoj të gjithë ata, që u angazhuan për ta përgatitur këtë vizitë e i kërkoj secilit të më shoqërojë me lutje”.

Motoja e shtegtimit apostolik të Papës Françesku: “Na trajtuan me humanizëm të rrallë”, u shkëput nga verseti i Veprave të Apostujve. Janë fjalët e Shën Palit, me të cilat përshkruan pritjen që i bënë maltezët, atij e shokëve të tij të fundosur në brigjet e ishullit në vitet 60, gjatë shtegtimit që po i çonte drejt Romës.

Ati i Shenjtë Françesku është Papa i tretë që shkel në Maltë, pas Shën Gjon Palit II në vitet 1990  e 2001 dhe Benediktit XVI, në vitin 2010.

30 mars 2022, 14:06