Krajewski drejt Ukrainës, për të dorëzuar një ambulancë dhuruar nga Papa
R. SH. - Vatikan
Nuk ndalet kurrë kardinali Krajewski, që arriti në mëngjes në Romë, si pati kryesuar dje pasdite, në shenjëtëroren mariane të Fatimës, Aktin e Kushtimit të njerëzimit Zemrës së Papërlyer të Marisë, e në mënyrë të veçantë, popujt e Rusisë e të Ukrainës. Tani - sipas njoftimit të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni - lëmoshtari i Papës është për udhë drejt Leopolit, në Ukrainë, me një ambulancë dhuruar e bekuar nga Françesku pak ditë më parë”. Sapo të arrijë, mjeti do t’i dhurohet autoriteteve qytetare, që do t’ia dorëzojnë strukturës shëndetësore më nevojtare për të. Ndihmë konkrete për popullsinë, kjo, numri i së cilës vijon të shtohet nga ardhja e vazhdueshme e refugjatëve.
Në zemër të Marisë
“Para Zojës së Fatimës - u tregoi kardinali Krajewski mediave vatikanase - kërkova mbrojtjen për Ukrainën e dërmuar nga lufta, por edhe për misionin, që më priste, me mandatin e Papës, duke u kthyer në vend. “Shkoj - pohoi kardinali - me zemrën plot shpresë”, pasi u luta me rreth 15 mijë besimtarë në Shenjtëroren mariane, në lidhje të drejtpërdrejt me Papën, në Bazilikën e Vatikanit. Në kremtimin e djeshëm morën pjesë 25 ipeshkvij e edhe presidenti i Portugalisë, Marcelo Nuno Duarte Rebelo de Sousa që zu vend në mes besimtarëve të tjerë, si besimtar i thjeshtë, për ta ndjekur Aktin e Kushtimit Marisë. “Të gjithë e thanë me mua lutjen e Papës” - nënvizon lëmoshtari papnor. Secili e kishte në dorë tekstin. E kështu, nga Fatima, u lartua drejt qiellit “një britmë e fuqishme për paqen - shpjegoi kardinali - për të kërkuar një mrekulli. Mrekullinë e përfundimit të luftës në Ukrainë”. “Me fe të gjallë - përfundoi - lufta do të marrë fund; me gjithë fenë time po shkoj rishtas në Ukrainë, për të parë pasojat konkrete të Aktit të kushtimit Marisë!”.