Papa Françesku: Zoti na çliroftë nga lufta, është vdekje e disfatë për të gjithë
R.SH. - Vatikan
Para se ta përfundonte audiencën e përgjithshme, Papa i kushtoi disa minuta kujtimit të viktimave të luftës në Ukrainë. I quajti lajme morti, këto që vijnë nga të shpërngulurit, në ikje të tmerruar. Të ndjekur pas nga vetë vdekja. E të ngarkuar me pamjet e tmerrit. Duke mbartur me vete vetëm kujtimin e kufomave e të gjakut të derdhur nga të dyja palët. Vijnë me një pyetje të vetme në buzë: E pse?”. Një pse, së cilës Papa mund t’i përgjigjet vetëm me ftesën për lutje:
“T’i kërkojmë Zotit të jetës të na çlirojë nga ky mort lufte; me luftën gjithçka humbet, gjithçka! Nuk ka fitore nga lufta: gjithçka është disfatë. Zoti e dërgoftë Shpirtin e vet, që njerëzit ta kuptojnë se lufta është kurdoherë humbje për njerëzimin, të kuptojnë se duhet mundur pikërisht lufta! Shpirti i Zotit na çliroftë nga e gjithë kjo etje për vetëshkatërrim, që po vërehet duke bërë luftën”.
Të shndërrohen armët në mjete paqeje
Françesku kërkoi lutje edhe që qeveritarët ta kuptojnë se nuk mund ta zgjidhësh problemin e luftërave duke blerë a duke prodhuar armë. Problemi zgjidhet vetëm duke punuar së bashku për paqen e, siç na e kujton Bibla, duke i shndërruar armët në palla parmendash!
Vlera e transmetimit pleq-të rinj
Duke zhvilluar temën e transmetimit të jetës e të fesë nga të vjetrit, tek të rinjtë, Papa, në katekizmin e sotëm, nënvizoi sa i nevojshëm është dialogu ndërmjet të moshuarve e të rinjve, domethënë, transmetimi i drejtpërdrejtë, sy për sy, i dhuratës së thellë e të pasionuar, sepse të jetuar, që mund të merret nga gjyshërit e nga dëgjimi i tyre:
“A e ndjek Transmetimi i fesë - dhe i kuptimit të jetës - rrugën e dëgjimit të pleqve? Unë mund të jap një dëshmi personale. U mësova ta urrej luftën nga gjyshi, që kishte luftuar në Piave, në vitin 1914. Ai ma la trashëgim urrejtjen për luftën. E unë vijova ta urrej, duke kujtuar vuajtjet, që më qenë ngulur thellë në kujtesë. E kjo nuk mësohet në libra, as në ndonjë mënyrë tjetër. Mësohet kështu, duke u transmetuar nga gjyshat - tek nipat”.
Polonia, dëshmitare e vuajtjeve të Ukrainës
Duke u drejtuar, më pas përshëndetjet besimtarëve të pranishëm në Sallën Pali Vl, Papa kujtoi rishtas Ukrainën e, duke u folur shtegtarëve të gjuhës polake, ftoi që në udhën e pendesës kreshmore, të agjërohet e t’i kërkohet Zotit “paqja, e tronditur nga lufta në Ukrainë”. “Në Poloni ju jeni dëshmitarë, sepse u hapët portat ukrainasve e i dëgjuat historitë e tyre”. Këtë pohoi Papa, duke kujtuar, më pas, ditën e posaçme të lutjes të së premtes së ardhshme, në Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit kur, gjatë liturgjisë pendestare, që do të kremtohet në Bazilikën e Vatikanit, do t’i drejtohet lutja Marisë që “t’i lartojë zemrat” e njerëzve të “copëtuara nga mizoria e luftës”.
Ftesa besimtarëve për t’u bashkuar në një lutje të vetme, botërore, më 25 mars
Papa do t’ia kushtojë Ukrainën dhe Rusinë Zemrës të Zojës së Papërlyer, ndërsa në Fatima, me dëshirën e tij, kushtimin do ta bëjë lëmoshtari papnor, kardinali Krajewski. Françesku uron që akti i kushtimit të Popujve Zemrës së Papërlyer të Marisë “t’i sjellë paqen mbarë botës”.
E, duke përshëndetur, në përfundim, edhe shtegtarët e gjuhës portugeze, Ati i Shenjtë i ftoi të bashkohen me të dhe me ipeshkvijtë në lutjen e 25 marsit, për t’i kërkuar “besimplotë Zotit, përmes ndërmjetësimit të Zojës së Fatimës, dhuratën aq të dëshiruar nga të gjithë njerëzit vullnetmirë: paqen!”.