Kërko

2022.01.24 Il Papa in dialogo con gli studenti universitari di Nord, Sud e Centro America 2022.01.24 Il Papa in dialogo con gli studenti universitari di Nord, Sud e Centro America

Papa: profecia e jo-dhunës, pёr tё cilёn kemi nevojë, është një sfidë për të rinjtë

Jo dhuna, migrantët, mjedisi, marrëdhënia me të moshuarit dhe teknologjitë e reja. Dhe një lutje nё fillim tё takimit virtual drejtuar Virgjrës Mari, Mbretëreshës sё Paqes, për të mbrojtur Ukrainën, familjet, të rinjtë, viktimat e sulmeve që filluan mbrëmë. Papa foli me studentët nga e gjithë Amerika mbi takimin sinodal me temё "Ndërtimi i urave veri jug" organizuar nga Universitetit Loyola, i jezuitёve, në Çikago, në bashkëpunim me Komisionin Papnor për Amerikën Latine

R.SH. - Vatikan

Jo-dhuna, migrantët, mjedisi, marrëdhënia me të moshuarit dhe teknologjitë e reja. Një lutje fillestare drejtuar Shёn Marisë Virgjër, Mbretëreshës së Paqes, për të mbrojtur Ukrainën, familjet, të rinjtë, viktimat e sulmeve që filluan parmbrëmë. Papa Françesku foli virtualisht, mbrëmë, për më shumë se një orë me studentë nga e gjithë Amerika Veriore,  Amerika Jugore dhe Qendrore mbi takimin sinodal  me temё "Ndërtimi i urave Veri Jug"  konceptuar e organizuar nga Departamenti i Teologjisë sё Universitetit Loyola, universiteti i jezuitëve në Çikago, në bashkëpunim me Komisionin Papnor për Amerikën Latine.

E qё nё fillim tё fjalës sё tij Papa foli pikërisht për "ura". "Ndërtimi i urave është pjesë pёrbёrёse e identitetit të krishterë. Krishti vjen për të ndërtuar ura ndërmjet Atit dhe nesh. Një i krishterë që nuk di të ndërtojë ura, e ka harruar Pagëzimin e tij”, theksoi.

Dhunës, nënvizoi Papa Françesku, duhet t'i përgjigjemi me “jodhunën aktive”: “Kjo është sfida më e madhe që presin nga ju, denoncimi i dhunës”, u tha Ati i Shenjtë të rinjve. “Dhuna shkatërron, dhuna nuk ndërton dhe këtë e shohim gjatë historisë në diktaturat ushtarake dhe joushtarake. Sot kemi nevojë për profecinë e jo-dhunës, dihet se është shumë më lehtë tё reagosh e të godasësh me shuplakë kur të godasin sesa t'ia kthehesh faqen tjetër - tha Ati i Shenjtë, duke kujtuar shembullin e Gandhit. Mirësia - shtoi Papa - është një nga gjërat më të bukura njerëzore, vjen nga dhembshuria.

Papa Françesku i paralajmëron tё rinjtë duke i ftuar tё ruhen nga "loja e hipokrizisë": qё e "helmon jetёn. Sinqeriteti kushton, nxit tё çosh përpara shndërrimin e jetës në harmoni me botën”.

Ati i Shenjtё Bergoglio foli edhe për harmoninë në lidhje me krijimin, një çёshtje kjo që më shumë se një student e propozoi gjatë ndërhyrjeve tё takimit virtual. E Papa ripohoi ftesën për t'u kujdesur për shtëpinë e përbashkët dhe kujtoi një thënie spanjolle: "Zoti fal gjithmonë, ne falim nganjëherë, natyra nuk fal kurrë".

Gjatë dialogut, iu kushtuar njё hapësirë ​​e mjaftueshme edhe temës së migrimit. Papa u përgjigj duke ripohuar teoremën e përbërë nga katër folje, që ndihmojnë për të përballuar atë që ai e përshkruan si "një nga dramat më serioze" të shekullit tonë, migrimin pra. “Po shohim njerëz që largohen nga tokat e tyre për probleme politike, luftëra, probleme ekonomike, kulturore. Parimi është shumë i qartë: migranti duhet të mirëpritet, ai duhet të shoqërohet, tё mbështetët, tё integrohet". Si në raste të tjera, Papa ripohoi se vendet duhet "sinqerisht" të thonë sa njerëz arrijnë t’i mirëpresin, që kёshtu të ndërhyjnë edhe vendet e tjera. Në këtë mënyrë nxitet “vëllazërimi” i nevojshëm për këtë botë të ndarë.

Papa tha se është mirë të insistohet në çështjen e migracionit, sepse ajo ka të bëjë me të gjithë, duke qenë se shumë janë “fëmijë emigrantësh”. "Unë vetë - kujton Ati i Shenjtё Bergoglio - jam bir emigrantësh", anëtar i një familjeje që u largua nga Piemonte (Itali) kur "babai im ishte një kontabilist i ri 22-vjeçar". Vetë Shtetet e Bashkuara tё Amerikës janë "një vend migrantësh: irlandezë, italianë etj..." e edhe "toka ime, Argjentina, është po kёshtu një koktej migrantësh". Çështja, pra, e sfidon secilin prej nesh, veçanërisht studentët e universiteteve, të cilët, shpjegoi Papa Françesku, duhet të përballen, tё studiojnë dhe marrin përsipër problemin përmes tre gjuhëve "të kokës, të zemrës, të duarve", pa rënë në rrezik për t'u bërë "i ftohtë, i pashpirt".

25 shkurt 2022, 12:18