Kërko

Czerny: vëllazërim njerëzor do të thotë kushte jetese të denja për të gjithë

Tre vite pas Dokumentit të nënshkruar në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, al-Tayeb, prefekti “ad interim” i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor nënvizon nevojën për të promovuar një kulturë, që ka në qendër dinjitetin e njeriut. “Secili mund të bëjnë diçka”, thekson ai, duke denoncuar ideologjinë dhe retorikën negative, që shoqërojnë fenomenin e migracionit

R.SH. - Vatikan

Më 4 shkurt 2019, Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad al-Tayyeb, nënshkruan në Abu Dabi, Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, për paqen botërore dhe për bashkëjetesën. Kjo deklaratë e përbashkët ndoqi udhën e dokumenteve të tjera, që i paraprinë, si rezultatet e katër seminareve të “Forumit Katoliko-Islamik”, mbajtur në vitet 2008, 2011, 2014 dhe 2017. E veçanta e ngjarjes së tre viteve më parë - në kuadrin e udhëtimit apostolik të Françeskut në Emiratet e Bashkuara Arabe - ishte nënshkrimi i deklaratës jo nga ana e delegacioneve, por nga vetë Papa dhe nga një lider islamik, përfaqësues i një institucioni me ndikim të madh në botën myslimane, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë akademik.

Kremtimet në Expo-në e Dubait

Me rastin e 3-vjetorit të Dokumentit, i cili përkon me Ditën e dytë Botërore të Vëllazërimit Njerëzor, shpallur nga OKB-ja, në pavijonin e Selisë së Shenjtë në Expo-në e Dubait do të mbahet një konferencë me të gjithë nënshkruesit e tekstit. Për Vatikanin, i pranishëm kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe imzot Tomasz Trafny, delegat i kardinalit Gianfranco Ravasi. Në të njëjtën ditë, do të organizohet edhe një marshim për t’u kujtuar të gjithëve se vëllazërimi kërkon veprime konkrete. Në fund të muajit, do të jepet çmimi Zayed, që vitin e kaluar i takoi Latifa Ibn Ziaten, themeluese e Shoqatës “Imad për të rinjtë e paqen” dhe Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Bazat e promovimit të dinjitetit njerëzor

Udha për arritjen e vëllazërimit ndërmjet popujve me fe të ndryshme i ka rrënjët në kushtetutën konciliare “Gaudium et spes”, në të cilën puna e institucioneve ndërkombëtare vlerësohet si mjet për zhvillimin e pajtimin. Ajo konsiderohet ndihmë si për ata që besojnë në Zot, ashtu edhe për ata që shprehimisht nuk e njohin atë, që “t’ia përshtasin botën dinjitetit të patjetërsueshëm të njeriut, të aspirojnë një vëllazërim universal të bazuar në themele më të thella dhe t’u përgjigjen, me dashuri, me përpjekje bujare dhe të përbashkëta, thirrjeve më urgjente të kohës sonë”. Koncepti i dinjitetit, që Zoti u ka dhënë gjithë krijesave të veta, është edhe baza e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, përmes të cilit besimtarët ftohen ta respektojnë njëri-tjetrin.

Prefekti “ad interim” i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Michael Czerny, në mikrofonin e Vatican News, shpjegon si e ka ndryshuar punën e Dikasterit Dokumenti për Vëllazërimin njerëzor, në të cilin bëhen thirrje kundër padrejtësive, për shpërndarjen e barabartë të pasurive natyrore, për fundin e konflikteve, të shkatërrimit të ambientit e të degradimit kulturor e moral. Ta dëgjojmë…

Emri i Dikasterit tonë – “Zhvillimi i gjithanshëm njerëzor” – është, në një farë kuptimi, përkthim a riformulim i shprehjes “vëllazërim njerëzor”. Pra, Dikasteri ynë merret me të gjithë këta faktorë shoqërorë publikë, ekonomikë dhe politikë, të cilët mund të bëhen pengesë, ose ndihmë për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor; e pikërisht këtë zhvillim duam për vete dhe për të tjerët. Do të thotë të krijohen kushte për një jetë të denjë, një jetë plot shpresë, me një horizont shprese. Kështu, Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor na shpjegon, siç bëjmë në Dikaster, çfarë duhet bërë: nuk mund të bëjmë gjithçka, por secili mund të bëjë diçka. E po, ka shumë fusha të jetës njerëzore, në të cilat duhen bërë hapa përpara: si në vëllazërimin njerëzor, ashtu edhe në zhvillimin e gjithanshëm njerëzor. Ja pra, kjo festë, ky përkujtim bëhet edhe për Dikasterin rast për të kremtuar dhe për t’u lutur për punën tonë.

Dokumenti kërkon të mos përdoret më termi “pakica” dhe flet mbi rëndësinë e ndihmës për refugjatët. Tema, për të cilat impenjohet edhe Dikasteri juaj. Pse është kaq themelore kjo sfidë sot?

Sfida është e rëndësishme, sepse lëvizjet e njerëzve kanë bërë pjesë në jetën e tyre që nga fillimi e, falë mjeteve të komunikimit - si i juaji - jemi më të vetëdijshëm për këto lëvizje, por edhe për faktin se secili mund të bëjë diçka për mikpritjen e vëllezërve dhe motrave, që mbërrijnë. Është për të ardhur keq që ky fenomen, ky realitet njerëzor shoqërohet me retorikë dhe ideologji negative, ndërsa, në të vërtetë, përbën një mundësi zhvillimi personal e kolektiv. E kështu, duhet ta jetojmë vëllazërimin njerëzor në marrëdhëniet me emigrantët dhe refugjatët, me viktimat e trafikimit, si mundësi për të hapur zemrën, duart dhe jetën tonë, duke i mirëpritur nevojtarët. Jezusi e ka thënë qartë se nëse e bëjmë këtë për ta, është sikur ta bëjmë për Të.

Kardinal Czerny, ju bëni pjesë në Komisionin e pavarur ndërkombëtar, që në fund të muajit, do të japë Çmimin Zayed për Vëllazërimin Njerëzor 2022, në Abu Dabi. Ç’mund të na thoni për kandidaturat e sivjetme, të cilat sërish janë zgjedhur për shpresën, që kanë sjellë në këtë kohë pandemie?

Sigurisht që i kemi gjetur dhe shpresoj shumë që dhënia e Çmimit të na i hapë sytë për shumë njerëz rreth nesh, arsye për shpresë edhe në vende të tjera të botës. Mungesa e shpresës është ndoshta pasoja më e tmerrshme e pandemisë së Covid-19: shpresojmë që kremtimi dhe Çmimi të jenë mundësi për t’i rihapur zemrat dhe mendjet e për të parë se e ardhmja na pret me premtime të mëdha.

02 shkurt 2022, 12:41