Kërko

Papa i nderit Benedikti XVI Papa i nderit Benedikti XVI

Abuzimet, Ratzinger: turp, dhimbje e kërkesë e sinqertë për falje

Në një letër, drejtuar besimtarëve të Mynihut, Papa i nderit flet për pedofilinë e klerit, duke përdorur fjalët e meshës: “mea maxima culpa”. “Ne vetë biem në këtë ‘më të madhin fajin tonë’, kur nuk e përballojmë me vendosmërinë dhe përgjegjësinë e nevojshme”, shkruan Joseph Ratzinger

R.SH. – Vatikan

Papa i nderit Benedikti XVI thotë personalisht e drejtpërdrejt fjalën e tij mbi raportin për abuzimet në kryedioqezën e Mynihut e të Frajsingut, ku ka qenë kryeipeshkëv për më pak se pesë vite. E bën këtë me një tekst, që ka shijen e pendesës e që botohet sot. Një “rrëfim” personal, me të cilin shprehet “dhimbja për abuzimet dhe gabimet e bëra gjatë kohës së mandatit” të tij në vendet e përmendura në raport.

Në pjesën e parë të letrës, Ratzinger shkruan se pas publikimit të raportit, jetoi “ditë reflektimi e shqyrtimi të ndërgjegjes”. Falënderon për afërsinë, që i kanë shprehur shumë vetë. Falënderon ata, që bashkëpunuan me të, për të parë krejt dokumentet dhe për të përgatitur përgjigjet, që më pas, iu dërguan komisionit përkatës. Ashtu siç bëri edhe gjatë ditëve të kaluara, kërkon sërish falje për gabimin e bërë absolutisht pa dashje e që ka të bëjë me praninë e tij në mbledhjen e 15 janarit 1980, gjatë së cilës u vendos të pranohej në dioqezë një meshtar, që duhej trajtuar nga pikpamja mjekësore. E nënvizon se është “veçanërisht mirënjohës për besimin, mbështetjen dhe lutjen, shprehur personalisht nga Papa Françesku”.

 Në pjesën e dytë të letrës, Papa i nderit vë në dukje faktin se përditë, Kisha vë në qendër të çdo kremtimi të meshës, “rrëfimin e fajeve dhe kërkesën për falje. I lutemi publikisht Zotit të gjallë të na i falë fajet, fajin tonë të madh e atë më të madh”. Është e qartë, vijon Benedikti XVI, se “shprehja ‘më të madhin [faj]’ nuk i referohet në të njëjtën mënyrë secilës prej ditëve, çdo dite të veçantë. Por çdo ditë më pyet nëse edhe sot më duhet të flas për më të madhin fajin tim. E më thotë, në mënyrë ngushëlluese, se sado i madh të jetë sot faji im, Zoti më fal, nëse, me sinqeritet, e lë të më shqyrtojë me imtësi e, nëse jam vërtet i gatshëm të ndryshoj”.

Joseph Ratzinger kujton më pas, bisedimet sy më sy me viktimat e abuzimeve të klerikëve. “Në të gjitha takimet me viktimat e abuzimeve seksuale të meshtarëve, sidomos gjatë udhëtimeve të shumta apostolike, kam parë me sytë e mi pasojat e ‘më të madhit faj’ dhe kam mësuar të kuptoj se edhe ne vetë biem në këtë faj tejet të madh kur e lëmë pas dore, ose kur nuk i bëjmë ballë me vendosmërinë dhe përgjegjësinë e nevojshme, siç ka ndodhur e ndodh tepër shpesh”.

“Ashtu si në ato takime – pohon Papa i nderit – edhe një herë, para viktimave të abuzimeve seksuale, mund të shpreh vetëm turpin tim të thellë, dhimbjen time të madhe dhe kërkesën time të sinqertë për falje. Kam pasur përgjegjësi të mëdha në Kishën Katolike. Po aq e madhe është edhe dhimbja ime për abuzimet dhe gabimet, që janë bërë gjatë kohës së mandatit tim në vendet përkatëse. Çdo rast i veçantë abuzimi seksual është i tmerrshëm dhe i pakthyeshëm. I shoh viktimat e abuzimeve seksuale me dhembshuri të thellë dhe më vjen keq për çdo rast, një për një”.

Benedikti XVI pohon se e kupton gjithnjë e më shumë “frikën, që provoi Krishti në Malin e Ullinjve kur pa tmerrin, nëpër të cilin do t’i duhej të kalonte shpirtërisht. Fakti që në atë çast, dishepujt flinin, për fat të keq, përfaqëson një gjendje, e cila përsëritet edhe sot e të cilën e ndiej se më prek personalisht. Prandaj, mundem vetëm t’i porositem Zotit, të gjithë engjëjve dhe shenjtërve e juve, o vëllezër e motra të dashura, që t’i luteni për mua Zotit, Hyjit tonë”.

Ratzinger e mbyll letrën me këto fjalë: “Shpejt do të shkoj para gjykatësit të mbramë të jetës sime. Megjithëse, duke e kthyer kokën pas për të parë jetën time të gjatë mund të kem arsye për t’u frikësuar, e kam shpirtin të qetë, pasi besoj vendosmërisht se Zoti nuk është vetëm gjykatës i drejtë, por njëkohësisht, edhe mik e shok, që i ka vuajtur vetë mungesat e mia, prandaj, si gjykatës, është në të njëjtën kohë, edhe avokati im (Parakliti). Në prag të orës së gjykimit të mbramë, më bëhet i qartë hiri i të qënit i krishterë. Fakti që jam i krishterë më dhuron njohjen madje, edhe më shumë, miqësinë me gjykatësin e jetës e më lejon ta kapërcej me besim portën e errët të vdekjes”.

Së bashku me letrën e Benediktit XVI publikohet edhe një shtesë me tri faqe, shkruar nga katër bashkëpunëtorë, ekspertë ligjorë - Stefan Mückl, Helmuth Pree, Stefan Korta e Carsten Brennecke – të cilët bashkëpunuan edhe në hartimin e 82 faqeve të përgjigjes për pyetjet e komisionit hetimor. Ato përgjigje, bashkangjitur me raportin mbi abuzimet në Mynih, zgjuan polemika e përmbanin një gabim transkriptimi, sipas të cilit u pohua se kryeipeshkvi Ratzinger nuk ishte i pranishëm në mbledhjen ku u vendos të pranohej në dioqezë një meshtar i njollosur me abuzime.

 Në përgjigjet e reja, ekspertët theksojnë se kardinali Ratzinger nuk e dinte që meshtari ishte shpërdorues fëmijësh, kur u mor vendimi për të. E në mbledhjen e janarit 1980 nuk u përmend arsyeja, për të cilën ky prift do të trajtohej nga pikpamja mjekësore dhe nuk u vendos që ai të merrej me veprimtari baritore. Dokumentet konfirmojnë ç’pati thënë Ratzinger.

Më pas, shpjegohet hollësisht pse u bë gabimi e u mohua prania e Ratzinger. Shqyrtimi i akteve në versionin elektronik iu lejua vetëm profesorit Mückl, pa i dhënë mundësinë t’i regjistronte, t’i printonte, ose t’i fotokopjonte dokumentet. Në fazën e mëpasme, eksperti tjetër, Korta, pa dashur, pati bërë një gabim transkriptimi, duke menduar se Ratzinger nuk ishte i pranishëm më 15 janar 1980. Prandaj, ky gabim transkriptimi nuk mund t’i atribuohet Benediktit XVI si dëshmi e rreme e vetëdijshme, ose si “gënjeshtër”. Ndër të tjera, që nga viti 2010, shumë artikuj në shtyp, që s’u përgënjeshtruan asnjëherë nga Vatikani, flasin për praninë e Ratzinger në atë mbledhje dhe, vetë Papa i nderit, në biografinë e shkruar nga Peter Seewald e botuar në vitin 2020, pohon se ka qenë i pranishëm.

Ekspertët nënvizojnë se në të gjitha rastet e analizuara në raport, Joseph Ratzinger nuk dinte gjë për abuzimet seksuale të meshtarëve - të kryera, ose të dyshuara. Dokumentet nuk japin asnjë provë për të kundërtën. Vërtet, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi këtë pikë, gjatë konferencës së shtypit për paraqitjen e raportit, vetë avokatët, që e hartuan, pohuan vetëm mundësinë që Ratzinger të kishte njohuri për çështjet, por nuk kishin asnjë dëshmi apo dokument për këtë.

Së fundi, ekspertët hedhin poshtë pretendimin se në përgjigjet e hartuara prej tyre për Papën e nderit, është minimizuar sjellja e rëndë ekzibicioniste e një meshtari. Nga dosja shihet qartë se “Benedikti XVI nuk e ka minimizuar sjelljen ekzibicioniste, por e ka dënuar atë shprehimisht. Fraza e përdorur si provë për minimizimin e ekzibicionizmit është jashtë kontekstit”. Në përgjigje, Benedikti XVI pohonte se abuzimet, përfshirë ekzibicionizmin, janë “të tmerrshme”, “mëkatare”, “moralisht të dënueshme” dhe “të pakthyeshme”. Në vlerësimin e ekspertëve, kujtohet vetëm se sipas ligjeve të atëhershme ne fuqi, ekzibicionizmi “nuk ishte krim i trajtuar nga e drejta kanonike, sepse norma përkatëse penale nuk përfshinte sjellje të atij lloji”.

Shtesa e nënshkruar nga katër ekspertët ligjorë, për punën e të cilëve përgjegjësinë e merr Papa i nderit, kontribuon në dallimin e gjithçkaje ka dalë nga mendja e nga zemra e Ratzinger, prej asaj që është fryt i punës kërkimore të bashkëpunëtorëve. Benedikti XVI thekson edhe një herë se nuk ka pasur njohuri për abuzimet e kryera nga meshtarët gjatë episkopatit të tij të shkurtër. Por, me fjalë të përvuajtura e thellësisht të krishtera, kërkon falje për “më të madhin faj” të abuzimeve e për gabimet, edhe për ato, që kanë ndodhur gjatë mandatit të tij.

08 shkurt 2022, 15:43