Papa - Presidentit Mattarella: “Shërbimi Juaj, themelor për të fuqizuar unitetin”
R. SH. - Vatikan
“Shërbimi Juaj është themelor për të fuqizuar unitetin”. Me këto fjalë e priti Papa Françesku rizgjedhjen e Presidenit të Republikës Italiane Sergio Mattarella. Në telegramin drejtuar Kreut të Shtetit, Papa i bën “urimet më të përzemërta për rizgjedhjen në detyrën më të lartë të Republikës Italiane si dhe urimet më të mira për kryerjen me sukses të detyrës së tij të lartë, të cilën e pranoi me frymë gatishmërie bujare”.
“Në këto kohë, mbi të cilat peshon rëndë pandemia - shkruan Papa Françesku - plot me mugesa e paqartësi, posaçërisht në fushën e punësimit, kur thellohet, njëherësh me varfërinë, edhe frika, që të shtyn të mbyllesh brenda vetes, shërbimi Juaj është edhe më themelor për fuqizimin e unitetit të vendit dhe transmetimin e qetësisë”.
“Ju siguroj - përfundon Papa në telegramin drejtuar Kreut të rizgjedhur të Shtetit - se lutem për Ju, që të mund ta ndihmoni popullin e dashur italian për forcimin e bashkëjtesës gjithnjë më vëllazërore e t’i jepni zemër ta përballojë me shpresë ardhmërinë. Shenjtorët pajtorë të Italisë ju shoqërofshin e ndërmjetësofshin për Ju”.