Kërko

Kolegji i prelatëve auditorë të Rotës Romake, në takim me Papën Françesku Kolegji i prelatëve auditorë të Rotës Romake, në takim me Papën Françesku

Papa: gjykatësit kishtarë të dëgjojnë me vëmendje, pa dhënë përgjigje standard

Në audiencën për përurimin e vitit gjyqësor të Rotës Romake, Françesku theksoi se në punën e verifikimit dhe të gjykimit nevojitet sinodalitet: nuk duhet të mungojë kurrë mirëkuptimi për njerëzit, që e vuajnë dështimin e jetës së tyre martesore

R.SH. - Vatikan

Rruga sinodale, që po përjeton Kisha, karakterizohet nga faza të ndryshme, pavarësisht se procesi është i njëjtë. Pikërisht në këtë kuadër, Papa Françesku iu drejtua sot prelatëve auditorë të Rotës Romake, të cilët i priti në audiencë në Vatikan, në përurimin e vitit të ri gjyqësor. Puna e tyre, nënvizoi Ati i Shenjtë, “e bën të dukshme fytyrën e mëshirshme të Kishës: fytyrë amnore, që përkulet mbi çdo besimtar për ta ndihmuar të zbulojë të vërtetën për vetveten, duke e ngritur sërish në këmbë nga dështimet e lodhjet e jetës e duke e ftuar ta jetojë plotësisht bukurinë e Ungjillit”.

Në veçanti, në këtë vit kushtuar familjes, takimi me eksponentët e gjykatës kishtare Rota Romake ishte rast për të reflektuar mbi sinodalitetin në proceset e pavlefshmërisë martesore. Në këtë vazhdë, Papa theksoi se puna sinodale nuk ka përmasë të ngushtë procesuale, por është në dialog me veprimtarinë gjyqësore, për të favorizuar reflektimin mbi rëndësinë e procesit kanonik në jetën e besimtarëve, që përjetojnë dështimin e martesës.

Të ecim së bashku

 Në këtë kuptim, vërejti Françesku, mbarështimi i drejtësisë ka nevojë për frymën sinodale.

“Së pari, sinodalitet do të thotë të ecim së bashku. Duke kapërcyer këndvështrimin e gabuar mbi çështjet martesore, sikur në to të kemi të bëjmë vetëm me interesa subjektive, duhet kuptuar se të gjithë pjesëmarrësit në proces janë të thirrur të kontribuojnë në arritjen e të njëjtit objektiv: shkëlqimin e së vërtetës mbi një bashkim konkret ndërmjet një burri e një gruaje, për të gjykuar nëse ekziston apo jo një martesë e vërtetë ndërmjet tyre”.

Të favorizohet falja dhe pajtimi ndërmjet bashkëshortëve

 Pra, theksoi Papa, udha për të zbuluar të vërtetën e lidhjes bashkëshortore duhet të jetë e përbashkët dhe e ndihmuar nga të gjithë protagonistët kishtarë, që nga çasti kur çifti kërkon ndihmë baritore, para se t’i drejtohet gjyqit.

“Në këtë kuadër – vërejti Françesku – kuptohet sa i rëndësishëm është impenjimi për të favorizuar faljen dhe pajtimin ndërmjet bashkëshortëve e, edhe për ta shpallur të paqenë martesën, kur kjo është e mundur dhe e arsyeshme. Kështu, kuptohet edhe se deklarata e pavlefshmërisë nuk duhet të paraqitet sikur të ishte i vetmi objektiv për të arritur para një krize martesore, ose sikur kjo të ishte ndonjë e drejtë, që s’varet nga faktet.  Në perspektivën e shpalljes së pavlefshmërisë, duhen nxitur besimtarët të reflektojnë mbi arsyet, që i shtyjnë ta kërkojnë këtë deklaratë pavlefshmërie martesore, duke favorizuar kështu pranimin e vendimit përfundimtar, edhe kur ai nuk përkon me bindjet personale”.

Duhet të dëgjojmë

Perspektiva e paraqitjes së këndvështrimit subjektiv mbi faktet bëhet e frytshme në kuadrin e komunikimit me të tjerët, pa u mbyllur në vetvete e duke qenë të gatshëm edhe për autokritikë. Por ky këndvështrim duhet të jetë i sinqertë për të dyja palët, pa e manipuluar situatën për interesa të veçanta. Papa u bëri thirrje avokatëve të mos i mësojnë të asistuarit e tyre t’i shtrembërojnë faktet, sepse kjo mund të sjellë dëme të pallogaritshme në jetën e secilit e jo vetëm të palës tjetër. E kështu, edhe ekspertëve e gjykatësve të proceseve për lidhjet martesore. Drejtësia në Kishë, vuri në dukje Ati i Shenjtë, është pasqyrim i kujdesit për shpirtin e njeriut. Prandaj, kërkoi ai, duhet ta dëgjojmë tjetrin e në këtë dëgjim shprehet sinodaliteti i Kishës në fushën gjyqësore.

“Duhen kuptuar këndvështrimi dhe arsyet e tjetrit, gati duke e vënë veten në vend të tij. Ashtu si në fusha të tjera baritore, edhe në veprimtarinë gjyqësore, duhet favorizuar kultura e dëgjimit, premisë e kulturës së takimit. Prandaj, përgjigjet standard për problemet konkrete të njerëzve të veçantë janë tejet të dëmshme. Secili prej këtyre njerëzve, me përvojën e tij, shpesh, të shënuar nga dhimbja, përbën për gjykatësin kishtar ‘periferinë konkrete ekzistenciale’, nga e cila e merr shtysën çdo veprimtari baritore gjyqësore”.

Ligji është në shërbim të së vërtetës

Gjykatësit, vijoi Papa, duhet të jenë në shërbim të së vërtetës, prandaj duhet t’i dëgjojnë palët me kujdes e me durim, pa shfrytëzuar nene e ligje për të nxjerrë në pah vetëm atë pjesë të së vërtetës, që u intereson. Ata duhet t’i shoshisin mirë ngjarjet, të shqyrtojnë si duhet faktet, në dritën e Fjalës së Zotit e të mësimeve të Kishës. Vetëm kështu, vendimi përfundimtar do të jetë i pranueshëm për të dyja palët e do t’i ndihmojë në udhën e tyre njerëzore e kristiane. Me vendimin mbyllet një proces, i cili, ashtu si udha sinodale, përfundoi Ati i Shenjtë, duhet shoqëruar nga dëgjimi dhe kërkimi i së vërtetës.

27 janar 2022, 14:17