Dhurata e Bashkimit të plotë të të krishterëve, në lutjen e Papës
R.SH. - Vatikan
Është e pranishme në çdo gjuhë e i drejtohet çdo të krishteri, lutja që Jezusit ia bëri Atit: “Që të gjithë të jenë një”, të cilën Françesku e përsëriti sot në Sallën Pali VI. E është edhe detyrë e çdo të pagëzuari - kujtoi - “të angazhohet” për atë, që “e dëshironte” vetë Biri i Zotit.
Jemi në përshëndetjet, që Françesku u drejton zakonisht të pranishmëve në fund të takimit të së mërkurës. E Papa sot u kujtoi besimtarëve të gjuhëve të ndryshme: polake, franceze, angleze, italiane … se pikërisht dje nisi Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila do të përfundojë me kremtimin e Mbrëmësoreve, më 25 janarin e ardhshëm, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve e që, si çdo vit, do të ndiqet nga Kishat e konfesionet e mbarë botës.
Temën e javës sivjet e propozoi Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme, i frymëzuar nga një verset shkëputur nga Ungjilli i Mateut, kushtuar përvojës së Tre Dijetarëve: “Në Lindje pamë të dukej ylli i Tij e erdhëm ta adhurojmë”(Mt 2.2)
Në audiencën e së hënes së kaluar me një delegacion ekumenik të Finlandës, Papa kërkoi që “Drita e ëmbël e Zotit, e cila e davarit errësirën e ndarjeve dhe e orienton rrugëtimin drejt unitetit, t’i prijë udhës së bërë bashkë, duke e ndihmuar njëri-tjetrin në shtegtimin ekumenik, për të ecur gjithnjë më shumë kah Zoti”.
Bota ka nevojë për dritën e Tij e kjo dritë shkëlqen vetëm në dashuri, në bashkim, në vëllazërim” - nënvizoi - ashtu si edhe në lutjen e Engjëllit, të dielën e kaluar:
“Edhe ne të krishterët, në larminë e konfesioneve e traditave tona, jemi shtegtarë për udhë drejt unitetit të plotë e i afrohemi cakut, sa më shumë t’i mbajmë sytë ngulur mbi Jezusin, një të vetmin Zotin tonë”
Gjatë Javës së Lutjes - pati kërkuar në këtë rast - t’i ofrojmë edhe përpjekjet e vuajtjet tona për bashkimin e të krishterëve.
Ju ftoj të luteni - u tha Papa besimtarëve polakë sot - që gjithë të krishterët, duke zbuluar dhembshurinë e dashurisë së Zotit, ta duan fort njëri-tjetrin e ta bëjnë këtë me dëshirë - gjë që e ripohoi edhe duke përshëndetur besimtarët e pranishëm të gjuhës angleze. “Që kjo javë të na ftojë - kujtoi më pas në përshëndetjet e besimtarëve të gjuhës italiane - për t’i kërkuar me ngulm Zotit dhuratën e bashkimit të plotë”. E kjo të realizohet - shpjegoi akoma - “duke i dhënë fund çdo forme të indiferencës, të pështjellimit e të rivalitetit të urryer, duke bashkëpunuar për dashuri të Krishtit e duke u bashkuar të gjithë në Emrin e Tij!”.