Kërko

Ungjill në miniaturë Ungjill në miniaturë

Shiko Lart, shiko tjetrin. Libri i Papës mbi Ungjillin sipas Lukës

Në librin e ri, botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, Papa Françesku shpjegon, të dielë pas të diele, tekstin e ungjilltarit të mëshirës. Vëllimi është botuar nën kujdesin e Giuseppe Merola, me parathënien e kardinalit Bassetti

R.SH. - Vatikan

“Ungjilli na kujton se urti e zemrës do të thotë të dish të kombinosh këto dy elemente: kundrimin dhe veprimin”. Kjo frazë e shqiptuar më 21 korrik 2019 gjatë Engjëllit të Tënzot, përmbledh kuptimin e librit të ri të Papës Françesku me titull “Shiko Lart, shiko tjetrin. Reflektime mbi Ungjillin sipas Lukës”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit. Teksti, tashmë në librari, përmban komentet e Atit të Shenjtë për Ungjillin e çdo të diele dhe e shoqëron lexuesin në zbulimin e mesazhit të Jezu Krishtit, ashtu siç e ka shkruar shën Luka ungjilltar, i cili thekson në mënyrë të veçantë mëshirën e Zotit ndaj njerëzimit, si edhe ftesën që çdo njeri të jetë dishepull dhe zbatues i kësaj mikpritjeje të pakushtëzuar ndaj të tjerëve. Në një fragment nga libri, redaktuar nga Giuseppe Merola, Françesku shprehet: “Të kërkosh gjërat e epërme nuk do të thotë të largohesh nga realiteti, por të kërkosh gjërat që kanë vlerë të vërtetë: drejtësinë, solidaritetin, mikpritjen, vëllazërimin, paqen, të gjitha, që kontribuojnë në dinjitetin e vërtetë të njeriut. Është fjala për t’u prirur drejt një jete të realizuar jo sipas stilit të kësaj bote, por sipas stilit ungjillor: ta duam Zotin me gjithë vetveten dhe ta duam të afërmin tonë ashtu siç na deshi Jezusi, domethënë përmes shërbimit e dhurimit të vetvetes”.

Parathënia e kardinalit Bassetti

         Siç shpjegon në parathënie kardinali Gualtiero Bassetti, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në këto faqe, Françesku “përvijon takimin me një përmasë të fesë, e cila, nga njëra anë, merr kumtimin e një Zoti që bëhet i afërt, mik, vëlla, baba; e, nga ana tjetër, kërkon domosdoshmërinë e bamirësisë si dëshmi se dashuria e Zotit ua ka ndryshuar vërtet zemrën dhe jetën atyre, që pohojnë se e kanë takuar”.

Vëllim për besimtarë e për jobesimtarë

         Ky botim mund të jetë shumë i dobishëm për disa tipe lexuesish, siç shpjegon përgjegjësi editorial i LEV, Lorenzo Fazzini. Besimtari do të shoqërohet me urti në njohjen e Ungjillit, ndërsa jobesimtari do të ndihmohet të zbulojë thelbin e mesazhit të krishterë, në thjeshtësinë e tij çarmatosëse. “Meshtari, ose i krishteri i impenjuar, do të gjejë një mori idesh për të pranuar gjithnjë e me vetëdije më të madhe forcën revolucionare të Ungjillit, që Papa Françesku na e komunikon si thesar dhe si talent, i cili duhet të japë fryte në kohën që na është dhënë për të jetuar”.

07 dhjetor 2021, 16:03