Kërko

Lidhjet e martesës Lidhjet e martesës 

Papa: Letra ime drejtuar bashkëshortëve, shenjë afërsie e inkurajimi

Në Letrën drejtuar të martuarve, ditën kur kremtohet Familja Shenjte, Papa Françesku kujton se “nuk është aspak e lehtë t’i edukosh fëmijët” e se “shkolla e parë e fëmijës mbetet gjithnjë familja”.

R. SH. - Vatikan

“Po u drejtohem tani bashkëshortëve të mbarë botës”- theksoi Papa Françesku në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot. “Sot, në festën e Familjes Shenjte, botohet një Letër, që e shkrova duke menduar për ju – pohoi – E dëshiroj të jetë dhurata ime e Krishtlindjes për ju, bashkëshortë. E edhe inkurajim, shenjë afërsie e rast meditimi. Nis me fjalë plot optimizëm, në një situatë që duket pesimiste:

“E jetuam më shumë se kurrë pasigurinë, vetminë,  humbjen e njerëzve të dashur e u detyruam të dalim jashta sigurive tona, për t’u interesuar jo vetëm për  të mirën e familjes sonë, por edhe të familjes së madhe, që quhet shoqëri, e cila gjithashtu varet nga sjelljet tona personale”.

E akoma:

“Marrëdhënia me Zotin na jep formë, na shoqëron e na vë në lëvizje si njerëz e, në çastin e  fundit, na ndihmon të dalim nga toka jonë, në shumë raste me një farë ndrojtjeje, a më mirë të themi me frikën nga e panjohura. Do të frikësoheshim edhe më shumë, nëse falë fesë sonë të krishterë, nuk  do ta dinim se nuk jemi vetëm. Zoti është në ne, me ne, mes nesh! Në familje, në lagje, në vendin e punës a të studimit, në qytet ku banojmë”. Kështu shkruan Papa në Letrën drejtuar çifteve të martuara, botuar sot paradite, me rastin  e Festës së Familjes Shenjte:

“Zoti - kujton Papa në Letër - ju shoqëron, ju do pa asnjë kusht. Muk jeni, pra, vetëm!”.

Të dashur të martuar – vijon Papa në Letër - ju e dini se bijtë tuaj, e posaçërisht më të rinjtë, ju vërejnë me shumë kujdes dhe e kërkojnë në ju dëshminë e dashurisë së fortë e të besueshme. Atësia e amësia ju bëjnë thirrje të jeni  krijues, për t’u dhënë fëmijëve tuaj gëzimin të ndjehen bij të Zotit, bij të një Ati, që i deshi fort qysh në çastin e parë e i merr për dore çdo ditë. Ky zbulim mund t’u japë bijve tuaj fenë dhe aftësinë për t’u lëshuar pa frikë në dorë të Zotit:

“Të edukosh fëmijët nuk është aspak punë e lehtë. Po nuk duhet harruar  se edhe ata na edukojnë. Mjedisi i parë edukativ mbetet gjithnjë familja, me gjestet e vogla, që  flasin më shumë se vetë fjalët”.

Të edukosh do të thotë, mbi të gjitha, t’i shoqërosh proceset e rritjes, të jesh i pranishëm në shumë forma, në mënyrë që fëmijët të mund të mbështeten tek prindërit ças për ças. Edukatori është njeri që e lind fëmijën edhe, e sidomos, në kuptimin shpirtëror. Si etër e nëna, ka rëndësi të krijojmë me fëmijët marrëdhënie mbi bazën e një autoriteti të ushtruar ditë për ditë. Ata kanë nevojë për siguri:

“Familjet - vijoi Papa - i pret sfida e hedhjes së urave ndërmjet breznive, për të transmetuar vlerat që krijojnë humanizmin. Thirrja për martesë është thirrje  për të drejtuar një barkë të pasigurt - por edhe të sigurt, përmes sakramentit - në detin e trazuar nga dallgët":

“Të mos e harrojmë se, përmes sakramentit të martesës, Jezusi është i pranishëm në këtë barkë. Ai shqetësohet për ju, është me ju, në çdo çast.  Edhe në lëkundjen e frikshme të barkës së rrahur nga ujërat në stuhi”.

Kjo ftesa e Papës, pasuar nga një tjetër, që të jep edhe më shumë siguri:

“Vetëm duke e lëshuar plotësisht veten në dorë të Zotit, mund t’i bëni ballë asaj, që ju duket e pamundur. Sepse ligështisë suaj i vjen në ndihmë forca e Krishtit”.

Gjatë pandemisë - vëren Ati i Shenjtë - patëm më shumë kohë për të ndenjur së bashku, gjë që na krijoi një mundësi unike për të dialoguar në familje. Kuptohet që kjo kërkon edhe ushtrimin e durimit,  për ta kuptuar  se nuk je i mbyllur brenda katër mureve për pendesë, por për t’u mbrojtur nga stuhia. E duke kujtuar këtë, Papa uron:

“Familja qoftë strehë e mikpritjes dhe e mirëkuptimit”.

Ndërsa duke folur për çiftet, që i kanë dhënë fund marrëdhënieve të tyre, Françesku u shprehu afërsinë dhe mirëkuptimin e tij, duke kujtuar se:

“As fëmijëve nuk iu kursye dhimbja, kur shikuan se prindërit e tyre nuk ishin më bashkë. Edhe në këto raste nuk duhet pushuar së kërkuari ndihmë, që ndeshjet të kapëcehen në ndonjë mënyrë  e të mos shkaktojnë vuajte të reja ndërmjet prindërve e fëmijëve”.

Papa i ftoi të fejuarit të mos e humbasin guximin krijues, që pati Shën Jozefi. Kështu edhe ju, kur bëhet fjalë për të ecur në rrugën e martesës - i këshillon - edhe pse keni pak mjete, mbështetuni gjithnjë tek Provania Hyjnore.

Së fundi, mendimi i Françeskut shkoi tek gjyshat e të moshuarit:

“Familja nuk mund të kuptohet pa gjyshat! Janë kujtesa e gjallë e njerëzimit”.

Kështu përfundon Letra e Papës, që troket në të gjitha portat, si dhuratë për Krishtlindje. Duke prekur plagët e njerëzimit, por duke treguar edhe ilaçin që duhet përdorur për t’i shëruar. Për të ndërtuar, kështu, një shoqëri pa plagë, të shëndetshme, të gatshme për ta bërë jetën të lulëzojë përmbi dhe, nga breznia në brezni!

26 dhjetor 2021, 15:30