Papa ia beson kardinalit Czerny kryesimin e përkohshëm të Dikasterit për Zhvillimin Njerëzor
R.SH. - Vatikan
Papa ndryshon strukturën e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, themeluar në gusht 2016, në veprim që nga janari 2017, si "rezultat i bashkimit të katër Këshillave Papnore para-ekzistues". Një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit njofton për vendimin e Françeskut, në përfundim “të pesë viteve të para të veprimtarisë, me statute ad experimentum".
Pas "rezultateve të vlerësimit të verës së kaluar - thuhet në notë - eprorët e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor e dorëzuan mandatin në duart e Atit të Shenjtë”, i cili "falenderon sinqerisht" kardinalin Peter K. Appiah Turkson dhe bashkëpunëtorët e tij për shërbimin e tyre.
Deklarata përfundon duke nënvizuar se "në pritje të emërimit të drejtuesve të rinj", Papa ia beson "ad interim administrimin e zakonshëm të atij Dikasteri, duke filluar nga 1 janari 2022, kardinalit Michael Czerny SJ si Prefekt dhe motrës Alessandra Smerilli FMA si Sekretare”.