Kërko

Françesku: të përpiqemi për një jetë të drejtë, sipas planeve të Zotit

Përvoja e Shën Jozefit, “fatit të Shën Marisë”, na mëson t’i shohim ngjarjet e jetës në dritën e Provanisë Hyjnore. Udha e tij me Marinë, pohoi Papa në katekezën e audiencës së përgjithshme, mund të jetë shembull për çiftet e fejuara të krishtera, në mënyrë që me guxim, të kalojnë nga logjika e fillimit të dashurisë në atë të dashurisë së pjekur, e cila e forcon çiftin dhe e bën të qëndrueshëm

R.SH. - Vatikan

Në audiencën e parë të përgjithshme të Kohës së Ardhjes, Papa Françesku vijoi katekizmin kushtuar Shën Jozefit, duke u ndalur në “fejesën” e tij me Marinë, ashtu siç e përshkruan shën Mateu ungjilltar. Ati i Shenjtë deshi kështu t’u drejtohej të gjitha çifteve të fejuara të krishtera, të cilat mund të marrin shembull nga fati i Shën Marisë. Papa kujtoi se Maria, “para se të shkonin për të jetuar së bashku, mbeti shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt” e Jozefi, duke mos dashur ta kthente mbrapsht, “vendosi ta linte fshehurazi”. Siç e dimë të gjithë, më pas, vjen engjëlli për ta qetësuar, për t’i thënë të mos ketë frikë ta marrë me vete, sepse çka mbante në kraharor ishte fryt i Shpirtit Shenjt:

“Maria dhe Jozefi janë dy të fejuar, që ndoshta kishin ëndrra dhe prisnin diçka nga jeta dhe nga e ardhmja e tyre. Zoti duket sikur hyn si diçka e paparashikuar në historinë e tyre dhe, megjithëse fillimisht me vështirësi, të dy ua hapin zemrat realitetit, që u shtrihet përpara”.

Urtia e Jozefit dhe dëgjimi i zërit të Zotit

 Ky është mësimi, sipas Papës Françesku. Para së gjithash, Shën Jozefi është “i drejtë”, sepse respekton ligjin si çdo izraelit i devotshëm, por është edhe i urtë. Dashuria për Marinë dhe besimi ndaj saj i sugjerojnë mënyrën për të zbatuar ligjin, nga njëra anë dhe, për të shpëtuar nderin e gruas, nga ana tjetër. Kështu, vendos ta lërë në fshehtësi, pa e poshtëruar publikisht. Por Zoti e bën ta shohë perspektivën e jetës nga një këndvështrim tjetër, më të rëndësishëm se Ligji.

“Shpesh, ndihemi të burgosur nga ç’na ndodh: ‘Pa shiko ç’më ndodhi!’ dhe ne mbetemi të burgosur në të keqen që na ndodhi; por pikërisht para disa rrethanave të jetës, që fillimisht na duken dramatike, fshihet Provania Hyjnore, e cila, me kalimin e kohës, merr formë, e shdrit dhe i jep kuptim edhe dhimbjes, që na ka prekur. Tundohemi të mbyllemi në atë dhimbje, në mendimet për ngjarjet aspak të bukura, që na kanë ndodhur. Por kjo nuk na bën mirë”.

Dashuri e vërtetë do të thotë të marrësh përsipër përgjegjësitë e jetës

Në fakt, vëren Papa, shpesh jeta nuk është ashtu siç e imagjinojmë e, sidomos kur është fjala për marrëdhënie dashurie, është e vështirë “të kalojmë nga logjika e dashurisë fillestare në atë të dashurisë së pjekur”, sepse magjepsja e fillimit na bën të jetojmë një histori, që shpesh nuk përkon me realitetin. Por pikërisht atëherë kur rënia në dashuri dhe aspiratat e saj duke sikur po përfundojnë, nënvizon Françesku, “pikërisht atëherë mund të fillojë dashuria e vërtetë”.

“Të dashurosh nuk do të thotë të presësh që tjetri, ose jeta të përkojnë me imagjinatën tonë; përkundrazi, do të thotë të zgjedhim në liri të plotë për të marrë përsipër përgjegjësitë e jetës, ashtu siç na ofrohet. Ja pse Jozefi na jep një mësim të rëndësishëm, ai e zgjedh Marinë ‘me sy hapur’. E mund të themi edhe ‘duke marrë parasysh të gjitha rreziqet’”.

Dëshmia e të fejuarve të krishterë e lutja për Shën Jozefin

Papa e përfundoi katekizmin, duke i ftuar çiftet e fejuara të krishtera të “dëshmojnë për një dashuri të tillë, e cila, me guxim, kalon nga logjika e të dashuruarit në atë të dashurisë së pjekur”, të marrin vendime që e forcojnë dashurinë dhe ta bëjnë atë të qëndrueshme përballë sprovave të kohës. Dashuria e një çifti maturohet çdo ditë dhe, përsa u përket grindjeve, Papa Françesku këshilloi edhe një herë të mos përfundojë kurrë dita pa bërë paqe. Së fundi, një lutje drejtuar pajtorit të Kishës universale:

O Shën Jozef,

ti që e deshe Marinë në liri,

e vendose të heqësh dorë nga imagjinata për t’i lënë vend realitetit,

ndihmoje secilin prej nesh të befasohemi prej Zotit

dhe ta pranojmë jetën jo si diçka të paparashikuar, nga e cila të mbrohemi,

por si mister, që fsheh sekretin e gëzimit të vërtetë.

Nxirr prej Hyjit për të gjithë të fejuarit e krishterë gëzimin dhe vendosmërinë,

por, duke ua ruajtur gjithnjë vetëdijen

se vetëm mëshira dhe falja e bëjnë të mundur dashurinë. Amen.

Përshëndetjet për besimtarët

Duke përshëndetur besimtarët e pranishëm në Sallën Pali VI, në veçanti shtegtarët polakë, Papa Françesku përmendi Ditën e Lutjes dhe të Ndihmës për Kishën e Lindjes, që do të kremtohet të dielën e ardhshme. Pastaj, foli për Ditën e sotme të luftës kundër SIDA-s dhe për udhëtimin apostolik, që do të fillojë nesër në Qipro e në Greqi, duke u kërkuar lutje të gjithëve.

Më pas, Ati i Shenjtë i nxiti besimtarët të përgatiten për Krishtlindje, “duke e pranuar pa frikë Jezu Krishtin, që vjen mes nesh”. “Nëse ia hapim dyert jetës, gjithçka merr një dritë të re – përfundoi ai – e familja, puna, dhimbjet, shëndeti, miqësia bëhen raste për të zbuluar praninë e Tij ngushëlluese, praninë e Emanuelit, që do të thotë Zoti me ne, si edhe rast për t’ua dëshmuar praninë e Tij të tjerëve”.

01 dhjetor 2021, 12:27

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >