Taizé, Papa të rinjve: jo disfatizmit, të gjejmë së bashku zgjidhje për sfidat
R.SH. - Vatikan
Për herë të dytë, për shkak të pandemisë, Takimi i 44-t europian i të rinjve në fund të vitit, organizuar nga Bashkësia e Taizé-së, nuk do të mbahet në mënyrën e zakonshme. Në një notë, vetë Bashkësia pati njoftuar, në fillim të dhjetorit, se “nuk do të jetë e mundur të përjetohet Takimi Evropian në Torino siç e patëm imagjinuar”. Gjithçka është shtyrë në datat 7-10 korrik 2022, kur kishat dhe banorët e kryeqendrës së Piemontit në Itali do të presin të rinjtë pjesëmarrës, të cilët, siç ndodh gjithnjë në Takimet e Taizé-së, ku shkojnë edhe shqiptarët, do të strehohen në familje dhe në famulli, do të luten e do të shërbejnë së bashku, duke shkëmbyer përvojën e tyre.
Françesku: jam pranë jush me mendime dhe me lutje
Ndërkaq, nga e marta, 28 dhjetor, e deri më 1 janar, të rinjtë po marrin pjesë në një Takim online, udhëhequr gjithnjë nga Torino, nga disa vëllezër të Bashkësisë së Taizè-së, me pjesëmarrjen e të rinjve të rajonit italian. Për ata që, edhe përmes internetit, po përjetojnë këtë çast vëllazërimi, Papa Françesku çon një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke siguruar afërsinë e tij “me mendime e lutje” dhe duke dërguar “përshëndetjet e tij më të ngrohta”.
Pyetjet e shumta të këtyre kohëve
“Takimi juaj – thuhet në mesazh – mbahet në një kohë shqetësimi të madh. Shumë njerëz pyesin: a ka të ardhme planeti? Çfarë përgjegjësish duhet të marrim përsipër për ta mbrojtur atë dhe për ta bërë tokën të banueshme? Në një periudhë polarizimi në rritje, si mundemi ne, sipas temës suaj për vitin e ardhshëm, 'të bëhemi artizanë të unitetit'?” Papa Françesku pranon se të rinjtë, në vend që të dorëzohen me disfatizëm, po përpiqen t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve së bashku, duke dëgjuar Fjalën e Zotit. “Pikërisht kur jemi bashkë, Shpirti i Zotit dikohet në mënyrë të veçantë”, vijon teksti, duke kujtuar rrugën sinodale, ndërmarrë nga Kisha në përpjekjen “për t’u vënë në dispozicion të veprës së Shpirtit”, me vetëdijen se dishepujt e Krishtit “kanë nevojë për njëri-tjetrin”.
Ju jeni pjesë e zgjidhjes, që kërkon bota
“Ju keni vendosur të mos i hiqni sytë nga vuajtjet njerëzore dhe nga urgjencat e çastit – vazhdon mesazhi – por t’i shikoni këto realitete me besimin se ju dhurohet pjesëmarrja në zgjidhje. Pasi, nëse arsyet për shqetësim nuk mungojnë, është e vërtetë edhe se Shpirti i Zotit nuk resht kurrë së vepruari e së zgjuari krijues të vëllazërimit, të solidaritetit dhe të bashkimit”. Papa Françesku i lutet Shpirtit Shenjt t’i bekojë të rinjtë, “katolikë, ortodoksë e protestantë, që mblidhen për Takimin evropian” të Taiezé-së. Së fundi, ua beson atyre mbrojtjes së Virgjërës Mari, që “të vazhdojnë të jenë shtegtarët të besimit kudo i dërgon Zoti!”