Mesazhi i Papës në një bunker të Polit të Veriut, falë Michael, aktivist për klimën
R.SH. - Vatikan
“Lutu për mua në Polin e Veriut”, i pati thënë Papa kur e takoi, më 2 qershorin e këtij viti, në oborrin e Shën Damazit, në Vatikan, në fund të audiencës së përgjithshme. Michael Haddad, 40-vjeçar libanez, atlet profesionist, pavarësisht nga kufizimet e tij pas një aksidenti, i cili e la të paralizuar që të vogël, në masën 75%, ambasador i OKB-së për çështjet e ambientit, tani që po niset për në Arktik, jo vetëm do t’ia plotësojë dëshirën Papës, por do të marrë me vete edhe mesazhin e tij, botuar në një libër 6x8 centimetra, sa pëllëmba e dorës. Është fjala për vëllimin “Pse keni frikë? A nuk keni ende besim?”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, ku përmblidhen fjalët më të rëndësishme të Papës, gjatë vitit të parë të emergjencës shëndetësore të Covid-19, veçanërisht homelitë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Libri shoqërohet me fotografitë e mbrëmjes së paharrueshme të 27 marsit 2020, kur e gjithë bota u lidh me televizion dhe me celularë për të ndjekur ipeshkvin e Romës në Udhën e Kryqit të vetmuar, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh si kurrë ndonjëherë.
Edicion i veçantë i Dikasterit për Komunikimin
Libri - të cilin Françesku e përfshin kohët e fundit në dhuratat për krerët e shteteve dhe për të ftuar të tjerë - u realizua, pikërisht për këtë rast, në një botim të veçantë “mini” nga Dikasteri vatikanas për Komunikimin. Michael, në fund të shëtitjes së tij të guximshme në Polin e Veriut, ku do të shkojë me paterica dhe me skeletin artificial që e mban, do ta lërë tekstin në bunkerin e Svalbard Global Seed Vault, depoja më e madhe dhe më e sigurt, ku ruhen farat e bimëve të ndryshme nga e gjithë bota, simbol i biolarmisë së planetit. Ajo ndodhet në Norvegji, 1300 kilometra përtej Rrethit Arktik. Kopja, të cilën Papa e bekoi dje, do të ruhet në një kuti pleksiglasi. Michael e mori atë sot nga duart e sekretarit të Dikasterit për Komunikimin, imzot Lucio Ruiz, gjatë një takimi në selinë e ambasadës së Italisë pranë Selisë së Shenjtë.
Që Toka të mos përfundojë në karrige me rrota
Gjesti i Michael-it, i cili do të ecë për 100 kilometra në të ftohtin arktik, është simbolik, por edhe kontribut për shkencën, pasi ai do të ndiqet nga shkencëtarë, që merren me gjetjen e zgjidhjeve për kufizimet fizike, që nuk i lejojnë disa njerëz të bëjnë një jetë dinjitoze. Aktivisti i ri shpreson të sensibilizojë njerëzimin për shkrirjen e akujve në veri të planetit, në mënyrë që “Toka – siç thotë vetë – të mos përfundojë në karrige me rrota”.