Ditëlindja e Papës Françesku: urimet e presidentit të Shqipërisë
R.SH. - Vatikan
Gëzuar 85-vjetorin e lindjes Shenjtëria Juaj, Papa Françesku!
Ky përvjetor jubilar, ju gjen si udhëheqësin shpirtëror të besimtarëve katolikë në të gjithë botën, shembull i frymëzimit të shpresës për një botë në paqe e begati ku mbizotërojnë vlerat, dashuria, dinjiteti njerëzor dhe vëllazëria midis besimeve e kombeve.
Ju keni vendosur një gurthemel të çmuar në pasurimin e mëtejshëm të trashëgimisë së marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë, përmes Shenjtërimit të Nënë Terezës, të martirizimit të 38 klerikëve katolikë shqiptarë, emërimit të Don Ernest Troshanit si Kardinal, vizitës Suaj historike në Tiranë, e shumë akteve të tjera, duke prekur thellë zemrat e të gjithë kombit shqiptar.
Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen për mesazhet Tuaja drejtuar popullit shqiptar, që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të lirë, me dinjitet dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt europiane.
Duke i mbajtur gjithmonë të gjalla emocionet dhe momentet e takimit me Ju në Selinë e Shenjtë, Ju siguroj se mesazhet Tuaja do të vijoj pa u ndalur t’i përcjell me të gjithë fuqinë time, në të mirë të bashkëjetesës së shkëlqyer ndër besime, të përparimit dhe begatisë së popullit shqiptar.
Gëzuar Ditëlindjen At i Shenjtë!