Kërko

Papa: "Shpirti Shenjt na prin në udhën mahnitëse e tё mundimshme tё Krishtit”

Papa Françesku, duke vazhduar ciklin e katekizmit kushtuar Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Galatasve, e përqendroi meditimin mbi temën: "Të ecësh sipas Shpirtit, nё gjurmët e Krishtit”. Letra drejtuar Galatasve na kujton se “Zoti është gjithnjë më i fortë se kundërshtimet tona e më i madh se mëkatet tona”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, duke vazhduar ciklin e katekizmit kushtuar Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Galatasve (Gal 5,16-17.25), sot e përqendroi meditimin e tij tё audiencës sё pёrgjithshme mbi temën: "Të ecësh sipas Shpirtit".

“Të besosh në Jezusin - kujtoi - do të thotë ta ndjekësh, të ecësh në rrugën e Tij, siç bënë dishepujt e parë. E në të njëjtën kohë do të thotë të shmangësh rrugën e kundërt, atë të egoizmit”. Kështu e përshkroi Papa Françesku “ecjen sipas Shpirtit Shenjt”, që na e këshillon Shën Pali apostull në Letrën drejtuar Galatasve, në qendër të katekizmit në audiencat e përgjithshme të së mërkurës së këtyre javëve.

“Shpirti ёshtё prijësi i këtij rrugëtimi tonё udhës së Krishtit: rrugëtim mahnitës, por edhe i lodhshëm, i cili fillon me Pagëzimin - e zgjat gjithë jetën”, pohoi Papa nё fillim tё katekizmit tё audiencës sё përgjithshme, mbajtur paradite nё Sallën Pali VI nё Vatikan.

Është fjala pёr "një rrugëtim tё mrekullueshëm, por edhe tё lodhshëm” - pohoi në vazhdim të katekizmit Ati i Shenjtё Bergoglio - që i ngjet "ngjitjes drejt majave të maleve të larta: mahnitës, caku që na josh, por edhe kërkues, sepse kërkon edhe shumë përpjekje e këmbëngulje”. Nё ecjen tonë nën drejtimin e Shpirtit Shenjt, pohoi Papa Françesku, ne nuk ndalemi në vështirësitë e para, sepse Ai na ndihmon të besojmë në 'forcën, që vjen nga lart' (Pastore di Erma, 43, 21).

Duke përshkuar këtë rrugë, i krishteri fiton një vizion pozitiv të jetës. Po kjo nuk do të thotë se e keqja, e pranishme në botë, është zhdukur, ose se janë zhdukur veset e egoizmit dhe tё krenarisë; por do të thotë të besosh se Zoti është gjithmonë më i fortë nga kundërshtimet tona: më i madh, se mëkatet tona.

"Tё ecёsh në rrugën e Shpirtit do të thotë, në radhë të parë, t'i japësh hapësirë ​​hirit dhe dashurisë".

Kështu pohoi Papa e shtoi: “Lërini vend hirit tё Zotit, mos kini frikë”. Duhet “të marrim përsipër vështirësitë e njëri-tjetrit dhe, nëse dikush do të gabojë, të përdorim butësinë e faljen”:

"Shpirti Shenjt na fton për solidaritet, na këshillon t’i mbartim barrët e të tjerëve: sëmundjen, mungesën e punës, vetminë, dhimbjen. E edhe sprova të tjera, që kërkojnë kujdes dhe dashuri ndaj vëllezërve", pohoi akoma Papa, duke kujtuar se Pali Apostull e fton bashkësinë e krishterë të ndjekë këtë rrugë të Krishtit, udhë e Shpirtit Shenjt, të cilën e ndjek edhe ai vetë, mbasi nuk e ka arritur ende qëllimin dhe dëshiron të ecë së bashku me të gjithë, duke dhënë shembullin e parë - theksoi Papa Françesku:

“Sa e lehtë është t’i kritikosh  të tjerët! Po ka njerëz që duket sikur janë  diplomuar në fushën e përgojimeve. Të duket sikur kanë një detyrë të vetme: t’i shpërrallojnë të tjerët, pa e shikuar kurrë vetveten! Do të ishte mirë ta pyesim veten çka na shtyn ta qortojmë një vëlla a një motër, pa menduar fare se mund të jemi përgjegjës për gabimin e tjetrit. Shpirti Shenjt, përveç se na bën dhuratën e butësisë, na fton edhe për solidaritet, na kujton se duhet të jemi gati t’i mbartin edhe barrët e të tjerëve. E barrët që duhen mbartur nuk janë të pakta: sëmundja, mungesa e punës, vetmia, dhimbja…! E sa e sa prova të tjera, që kërkojnë afërsinë dhe dashurinë  e vëllezërve”.

Prandaj:

“Gjithçka bën, bëje me dashuri: duaj! Gjithnjë, gjithkënd!”.

Kjo, porosia kryesore, që përshkoi tej e ndanë katekizmin e sotëm,  mbajtur në një kohë të trembur pikërisht nga provat! Por që mund ta përballojmë me vetëdijen se nuk jemi vetën:

"Shpirti na prin në udhën mahnitëse e tё mundimshme tё Krishtit”.

03 nëntor 2021, 10:04

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >