Papa: i papranueshëm, shfrytëzimi i fëmijëve në ekonominë bashkëkohore
R.SH. - Vatikan
Nëse duam të çrrënjosim shfrytëzimin e fëmijëve për punë, duhet të çrrënjosim varfërinë dhe përqendrimin e pasurisë në duart e pak vetëve, të krijojmë punë dinjitoze me pagesën e duhur, të sigurojmë një sistem arsimor falas e një sistem shëndetësor të barabartë për të gjithë. Kështu u tha sot Papa Françesku pjesëmarrësve të Konferencës me temë “Të çrrënjosim punën e fëmijëve, të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”, që u mbajt pasdite në selinë e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor e në lidhje internet.
Shfrytëzimi në punë mohon dinjitetin e fëmijëve
Plaga e shfrytëzimit të fëmijëve në punë, nënvizoi Ati i Shenjtë, ndikon në të ardhmen e njerëzimit, pasi mënyra e sjelljes me fëmijët e masa me të cilën respektohen të drejtat e tyre, përcakton ç’lloj të rriturish jemi e ç’lloj shoqërie duam të ndërtojmë. Në të ashtuquajturin “revolucion i katërt industrial”, kjo plagë ende pikon gjak, duke vënë në rrezik shëndetin, mirëqënien psiko-fizike dhe të drejtën e fëmijëve për arsimim e për jetë të qetë. Gjendja, vërejti Papa, është keqësuar nga pandemia e Covid-19. E pasi theksoi se shfrytëzimi i fëmijëve nuk ka të bëjë me detyrat e vogla, që ata duhet të kryejnë në shtëpi për të ndihmuar prindërit e për të marrë pjesë në jetën familjare – gjë e rëndësishme për zhvillimin e tyre njerëzor – Ati i Shenjtë dha një përkufizim të qartë të punës së të miturve, që nuk i ndihmon ata, përkundrazi:
“Puna e të miturve është krejt tjetër! Është shfrytëzim i fëmijëve në proceset produktive të ekonomisë së globalizuar, në favor të përfitimeve e të fitimeve të të tjerëve. Është mohim i të drejtës së fëmijëve për shëndetin, arsimimin, për një zhvillim të harmonishëm, që përfshin edhe mundësinë për të luajtur e për të ëndërruar. Kjo është tragjike. Një fëmijë, që nuk mund të ëndërrojë, nuk mund të luajë, nuk mund të rritet. Është vjedhje e të ardhmes së fëmijëve e, si pasojë, edhe e të ardhmes së njerëzimit. Është cënim i dinjitetit njerëzor”.
Të impenjohemi së bashku për të zhdukur varfërinë
Varfëria e skajshme, mungesa e punës dhe dëshpërimi i familjeve, që rrjedh prej tyre, denoncoi Papa Françesku, janë faktorët, që çojnë drejt shfrytëzimit të fëmijëve. Ati i Shenjtë përvijoi udhën për të dalë nga kjo gjendje:
“Nëse duam ta çrrënjosim plagën e punës së të miturve, duhet të impenjohemi së bashku për të zhdukur varfërinë, për të ndrequr shtrembërimet e sistemit ekonomik në fuqi, i cili e përqendron pasurinë në duart e pak vetëve. Duhet t’i inkurajojmë shtetet dhe protagonistët e botës së biznesit të krijojnë mundësi për punë dinjitoze, me paga të drejta, që lejojnë plotësimin e nevojave familjare, pa i detyruar fëmijët të punojnë. Duhet t’i bashkojmë përpjekjet për të favorizuar në çdo vend një arsim cilësor, falas për të gjithë, si edhe një sistem shëndetësor për të gjithë, pa dallim”.
Impenjimi i Kishës
Për Papën Françesku, pjesëmarrja e Kishës në këtë proces është shenjë shprese. Prandaj, ai e nxiti Dikasterin vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor të vazhdojë koordinimin e nismave për çrrënjosjen e punës së fëmijëve, në të gjitha nivelet. Së fundi, pjesëmarrësve të konferencës u kujtoi fjalët e Jezu Krishtit, pasqyruar në Ungjillin sipas Mateut: “Gjithçka keni bërë edhe për një të vetmin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua”.