Kërko

Papa: liria e krishterë nuk është shthurje, por bamirësi e palodhshme

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, Françesku përfundoi ciklin e katekizmit kushtuar Letrës drejtuar Galatasve. Duke u ndaluar tek figura e Shën Palit e tek “parresia” e tij, i ftoi besimtarët të mos bien në tundimin, që i shtyn të kthehen pas, “tek skllavëritë e vjetra”. “Në çastet e vështirësive, ta zgjojmë Krishtin - ftoi. Ai shikon përtej stuhive”. Papa i shprehu mirënjohjen Policisë, që shërben ndër burgje si dhe zjarrfikësve.

R.SH. - Vatikan

Arritëm në përfundim të katekizmit kushtuar Letrës drejtuar Galatasve - kujtoi Papa Françesku në fillim të audiencës së sotme të përgjithshme. - Mund të kishim reflektuar mbi sa e sa fjalë. E kjo, sepse Fjala e Zotit është gurrë e pashterrshme. E Apostulli, në këtë Letër, “na flet si ungjillëzues, si teolog, si bari”- Kështu e nisi Papa katekizimin e audiencës së sotme të përgjithshme. Ndjehej në to keqardhja që po ndahej nga kjo kryevepër biblike.

Kush dëgjon fjalën  e Krishtit, mund të dëgjojë edhe  heshtjen  Tij

Në vijim Papa Françesku kujtoi një shprehje të bukur, shkëputur nga vepra e Shën Injacit të Antiokisë. Shkruan Shenjti: “Është vetëm një mësues, i cili foli, e çka tha u bë; ndërsa sendet që Ai i bëri duke heshtur, janë të denja për Atin. Po kush ka fjalën e Jezusit, mund ta dëgjojë edhe heshtjen e tij”(AD Ephesios, 15,1-2).

Apostulli i dha zë kësaj heshtjeje

Po sot - kujtoi Papa - mund të themi se Apostulli qe i zoti t’i japë zë kësaj heshtjeje. Intuita e tij origjinale e ndihmoi të zbulojë të renë tronditëse që përmbyllej në dukjen e Jezu Krishtit. Ishte teolog i vërtetë, që e kundroi misterin e Krishtit dhe e transmetoi me inteligjencë krijuese.

Papa vuri në dukje, në vijim të audiencës, aftësinë e Apostullit për ta ushtruar misionin e tij baritor në gjirin e një bashkësie të përhumbur, të pështjelluar. E këtë - nënvizoi Ati i Shenjtë, duke vijuar katekizmin e fundit kushtuar Letrës drejtuar nga Shën Pali Galatasve - e bëri me metoda të ndryshme: herë me ironi, herë me rreptësi, herë me butësi…Me autoritetin  e apostullit, por njëkohësisht pa i fshehur ligështitë e karakterit të vet. E kjo, sepse në zemrën e tij gërmoi vetë forca e Shpirtit Shenjt e pse takimi me të Ngjallurin e pushtoi dhe e shndërroi gjithë jetën e tij.  E ai e shkriu pa asnjë kursim për Ungjillin.

Të thirrur për lirinë e dhuruar nga Krishti

Pali - kujtoi në vijim Papa - nuk mendoi kurrë për një krishterim me tipare irenike, paqësore, pa veprimtari e pa energji, përkundrazi. Mbrojti lirinë e sjellë nga Krishti me një pasion, që vijon të na  prekë edhe sot e kësaj dite, posaçërisht kur mendojmë për vuajtjet dhe vetminë që ju desh të pësonte:

“Ishte i bindur se kish pasur një thirrje, së cilës vetëm ai do të mund t’i gjegjej; e deshi t’u shpjegonte Galatasve se edhe ata qenë të thirrur për këtë liri, që i shpengonte nga çdo formë skllavërie, sepse i bënte trashëgimtarë të premtimit të lashtë në Krishtin, birin e Zotit”.  

Koncepti i lirisë sjell me vete shumë rreziqe

Po Pali e dinte mirëfilli se vetëm koncepti i lirisë sillte shumë rreziqe. E megjithatë - vijoi të shpjegonte Papa në audiencën e përgjithshme - nuk i  shkoi as nëpër mend t’i bëjë pasojat në asgjë. Pohoi me parresi - apo me të drejtën dhe detyrën për t’ua thënë të vërtetën  besimtarëve - se të jesh i lirë nuk do të thotë të shkosh një jetë të korruptuar, të shthurur, as të ecësh në rrugën e mendjemadhësisë e të vetëvlerësimit:

“Përkundrazi - vijoi Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, me të cilën e përfundoi katekizmin kushtuar Letrës drejtuar Galatasve - Pali e vuri lirinë nën hijen e dashurisë dhe në horizontin e jetës sipas Shpirtit Shenjt, që e përkryen Ligjin, të cilin Zoti ia dhuroi  Izraelit dhe e ndalon njeriun të bjerë përsëri nën skllavërinë e mëkatit”.

Entuziazëm e kufizime

Në përfundim të kësaj rruge katekistike - kujtoi Papa - më duket se mund të mbajmë një qëndrim të dyfishtë:

“Nga njëra anë, mësimi i Apostullit lind në ne entuziamin. Ndjejmë se po ecim në rrugën e lirisë e se ‘ecja sipas Shpirtit Shenjt na bën të lirë’. Por nga ana tjetër, jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona, sepse çdo ditë e prekim me dorë sa lodhemi në përpjekjen për t’iu bindur Shpirtit Shenjt, për ta ndjekur veprimtarinë e tij mirëbërëse. Atëhere mund të ndjehemi të çkurajuar, të ligësht, nganjëherë edhe të përjashtuar nga shoqëria, në krahasim me stilin e jetës sipas mendësisë së botës”.  

Nuk duhet të lodhemi kurrë duke bërë mirë

Shën Agostini na këshillon si duhet të veprojmë në këtë çast, duke na rikujtuar episodin ungjillor të stuhisë mbi liqen. Shkruan: “Besimi i Krishtit në ne është si shikim i qetë. Mund të shikojmë një panoramë që, të vetëm, nuk mundemi as ta marrim me mend”. Në këtë udhë kaq të vështirë, por edhe po kaq mahnitëse, Apostulli na kujton se nuk  duhet të lodhemi kurrë duke bërë mirë.

“Mos u lodhni së bëri mirë” – na përsërit. Sepse do ta kemi gjithnjë pranë Shpirtin Shenjt, që do të na japë ndihmën , për të cilën kemi nevojë”.

Duhet ta thërrasim më shpesh Shpirtin Shenjt

Ta thërrasim sa më shpesh në ndihmë Shpirtin Shenjt - porositi në vijim Papa. Ndonjëri mund të thotë: “E si u thirrka Shpirti Shenjt?”. Sepse unë di t’i lutem Atit duke thënë Atynën, Zojës me falemërinë, Jezusit me lutjen e Plagëve, po Shpirtit? Cila është lutja drejtuar Shpirtit Shenjt?”. Lutja që i drejtohet Shpirtit Shenjt është e vetvetishme: duhet të lindë nga zemra jote – këtë ua kujtoi Papa të gjithë besimtarëve në vijim të audiencës. Në çaste të vështira - kujtoi - ti duhet të thuash: “Eja, o Shpirti Shenjt”.

Fjala kryesore, pra, është kjo: “Eja!”. Po duhet ta thuash ti, me gojën tënde, me fjalët tuaja.

Lutja drejtuar Shpirtit Shenjt. “Eja, eja!”

T’i lutesh pak a shumë kështu: “Eja, se jam në çaste të vështira, eja se jam në errësirë, në terr; eja, se nuk e di ç’të bëj; eja, sepse jam, duke u rrëzuar. Eja! Eja! Kjo është fjala që duhet të themi,  për ta thirrur Shpirtin Shenjt. Sa më shpesh! Mund ta bëjmë me fjalë të thjeshta, në çaste të ndryshme të ditës. A mund ta kemi gjithnjë me vete në Ungjillin tonë të xhepit, lutjen  e bukur që Kisha e thotë për Rrëshajë.

Lutja drejtuar Shpirtit Shenjt

“O Shpirti Shejt, deh zbrit mbi ne/ E prej qiellit derdh mbi dhe/ Rrezet tua plot me dritë./ Eja, o Atë, për nevojtarë, / Eja, ti, n’dhanti bujar,/ Eja ti, që mendjet shndritë./ Ti n’ngushtica ngushëllim bjen,/ Ti ndër zemra si mik vjen,/ T’lodhunt n’jetë rishtas forcon…”.

Thelbi i lujtjes është “Eja!”. Kështu luteshin Zoja me Apostujt pasi Krishti qe ngjitur në qiell - këtë theksoi Papa, për të kujtuar më pas skenën e çenakullit, kur Maria me apostujt luteshin duke përsëritur fjalët: “Eja o Shpirti Shenjt!”.

Me Shpirtin Shenjt jemi të lirë

Me Shpirtin Shenjt jemi të lirë, me liri të krishterë, që na bën të fitojmë pjekurinë. Kjo lutje na ndihmon të ecim në Shpitin Shenjt, në liri e në gëzim, sepse kur vjen Shpirti Shenjt, vjen gëzimi, gëzimi i vërtetë!

10 nëntor 2021, 11:34

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >