Ende shumë paragjykime kundër njerëzve me aftësi të kufizuara Ende shumë paragjykime kundër njerëzve me aftësi të kufizuara

Françesku: tepër paragjykime për aftësitë e kufizuara, terapi për të gjithë

Në Mesazhin për Ditën Ndërkombëtare të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara, Papa pranon se ata diskriminohen nga shoqëria, ndërsa pandemia ua ka nxjerrë në pah ligështitë: miqësia me Jezu Krishtin mund të jetë çelësi shpirtëror për të pranuar kufizimet, që ua imponon gjendja fizike

R.SH. - Vatikan

“Kisha ju do dhe ka nevojë për ju”: ky është thelbi i mesazhit të Papës Françesku, publikuar sot, për Ditën kushtuar njerëzve me aftësi të kufizuara, themeluar nga OKB-ja në vitin 1992 e për t’u kremtuar më 3 dhjetor. Teksti përqendrohet në miqësinë me Jezu Krishtin: fillohet prej saj e aty kthehemi. Sepse është lidhja themelore, që nuk zhgënjen, pavarësisht nga brishtësitë, që përjetojnë të gjithë, madje edhe vetë Kisha.

Jezusi mik e shok, ngushëllimi më i madh

 Titulli i Mesazhit është marrë nga verseti 15 i Ungjillit sipas Gjonit, që i referohet Darkës së Mbrame e theksohet më tej në “Christus vivit”: Jezusi nuk na braktis kurrë. “Kemi pasur fatin ta kemi këtë privilegj, që bëhet thirrja jonë”.

“Të kesh mik Jezusin është ngushëllimi më i madh dhe mund ta bëjë secilin prej nesh një dishepull mirënjohës, të gëzuar, të aftë të dëshmojë se brishtësia e tij nuk është pengesë për ta jetuar dhe për ta kumtuar Ungjillin. Besimi dhe miqësia personale me Jezusin mund të jetë, në fakt, çelësi shpirtëror për të pranuar kufizimet, që i përjetojmë të gjithë, si edhe për ta jetuar gjendjen në të cilën ndodhemi, me shpirt të pajtuar”, shkruan Papa Françesku.

Kisha është shtëpia juaj

 Është Pagëzimi, që na bën “anëtarë me të drejta të plota në bashkësinë kishtare dhe i jep secilit, pa përjashtim apo diskriminim, mundësinë për të thirrur: ‘Unë jam Kisha!’”. Një Kishë, vijon Ati i Shenjtë, që “nuk është bashkësi të përsosurish, por dishepujsh për udhë, në gjurmët e Zotit, të etur për faljen e tij”. E Ati i Shenjtë përmend Letrën drejtuar besimtarëve të Romës, duke nënvizuar:

“Secili prej jush është i thirrur të japë kontributin e tij në rrugëtimin sinodal. Jam i bindur që nëse ai do të jetë ‘një proces kishtar, ku do të marrin pjesë e do të përfshihen të gjithë’, bashkësia kishtare do të pasurohet vërtet”.

Ende shumë paragjykime kundër njerëzve me aftësi të kufizuara

Françesku vë në dukje diskriminimin kundër njerëzve me aftësi të kufizuara, ose me aftësi ndryshe, që trajtohen si trup i huaj për shoqërinë. Duke cituar enciklikën “Fratelli tutti”, ai nxjerr në pah rrezikun për t’i konsideruar si të ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë.

“Diskriminimi – denoncon Papa - është ende tepër i pranishëm në nivele të ndryshme të jetës shoqërore; ushqehet me paragjykime, me injorancë dhe me një kulturë, që nuk e kupton si duhet vlerën e paçmueshme të çdo njeriu”. Aftësitë e kufizuara nuk mund të konsiderohen sëmundje, vëren Ati i Shenjtë, i cili kritikon edhe “mungesën e vëmendjes shpirtërore”, që, herë pas here, çon deri në refuzimin për të marrë Sakramentet, në kundërshtim me direktivat e Kishës.

Afërsia me ata, që vuajnë, për shkak të Covid-19

Në Mesazh, Papa ndalet në vështirësitë e shkaktuara nga pandemia, me pasojë çekuilibrime të veçanta në botën e aftësisë së kufizuar, si: qëndrimet e zgjatura në shtëpi, mësimi në distancë, pasiguria e shërbimeve. Mendimi i Françeskut shkon tek ata, që jetojnë në qendrat për njerëzit me aftësi ndryshe, detyruar të ndahen nga të afërmit gjatë lockdown.

“Në këto vende – shkruan Papa – virusi ka qenë tejet vdekjeprurës e, pavarësisht nga përkushtimi i personelit, shkaktoi shumë viktima. Ta dini se Papa dhe Kisha ju qëndrojnë pranë në mënyrë të veçantë, me dashuri e dhembshuri!”

Për njerëzit me aftësi ndryshe, Papa kërkon terapitë më të mira të mundshme, duke vlerësuar nismën e disa Konferencave Ipeshkvnore, si ajo e Anglisë dhe Uellsit, si edhe ajo e SHBA-ve, për respektimin e të drejtave të të gjithëve e për kujdesin shëndetësor pa diskriminime.

Askush s’është aq i brishtë sa të mos lutet

 Françesku kujton se të gjithë janë të thirrur për shenjtëri dhe se takimi me Jezu Krishtin - siç tregohet në shumë episode biblike - e shndërron thellësisht jetën e njerëzve. Edhe njerëzit me aftësi të kufizuara mund ta dëshmojnë këtë e sidomos, mund të luten, përfundon Papa, duke përmendur Shën Terezën e Avilës:

“Shën Tereza e Avilës shkruan se ‘në kohë të vështira nevojiten miq të fortë të Zotit për të mbështetur të ligështit’. Koha e pandemisë na ka treguar qartë se të gjithë mund të prekemi: ‘E kuptuam se jemi në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë dhe të çorientuar, por njëkohësisht, të rëndësishëm dhe të nevojshëm, të gjithë të thirrur për të vozitur së bashku”. Mënyra e parë për ta bërë këtë është lutja. Të gjithë mund të lutemi; e edhe nëse, si Moisiu, do të kemi nevojë për mbështetje (shih Dal 17,10), jemi të sigurt se Zoti do të na e dëgjojë lutjen”.

25 nëntor 2021, 14:18