Kërko

Migrantët, Papa: mungesa e respektit në kufi e minimizon humanizmin tonë

Mesazh i Françeskut, lexuar nga kardinali Parolin, në 70-vjetorin e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin: “E turpshme, të përdoren migrantët si mall për treg, viktima të rivaliteteve politike”. Ftesë që bashkësia ndërkombëtare të gjejë rrugë dinjitoze për të dalë nga parregullsitë: “Sa më shumë udhë ligjore të ketë, aq më pak emigrantët mund të tërhiqen në rrjetet kriminale të kontrabandistëve”

R.SH. - Vatikan

“Mall për treg”, “gurë në lojë shahu”, “viktima të rivaliteteve politike”. Papa Françesku pohon se trajtimi i mijëra emigrantëve sot në botë, është “i dënueshëm”: “Mungesa themelore e respektit njerëzor në kufijtë kombëtarë na e minimizon të gjithëve ‘humanizmin’”. Pas denoncimit në fund të Engjëllit të djeshëm të Tënzot, në të cilin shprehu dhimbjen për të vdekurit në kanalin e La Manshës, në kufirin e Bjellorusisë dhe në ujërat e Mesdheut, në prag të udhëtimit të ardhshëm në ishullin Lesbos, Papa Françesku ngre sërish zërin në favor të atyre, që kanë ndërmarrë një udhë “pa dyshim, nga më të vështirat në jetë”: udhën e largimit nga atdheu e të emigracionit.

70-vjetori i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin

 E bën këtë në një videomesazh drejtuar Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), me qendër në Gjenevë, e cila kremton 70-vjetorin e themelimit. Selia e Shenjtë është anëtare e Organizatës prej dhjetë vitesh. “Si mund të përdoret vuajtja dhe dëshpërimi për të realizuar apo për të mbrojtur programet politike? Si mund të mbizotërojë politika kur është në rrezik dinjiteti i njeriut?”, pyet Papa në tekstin në spanjisht, lexuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Histori pabarazie dhe dëshpërimi

Ati i Shenjtë nënvizon se historia e çdo emigranti është e ngarkuar me pabarazi, dëshpërim, pasoja të ndryshimeve klimatike, por edhe me ëndrra, guxim, studime jashtë shtetit, bashkim familjar, me punë të rëndë, por dinjitoze.

“Përtej aspekteve politike dhe ligjore të situatave të parregullta, - shkruan Papa - nuk duhet ta harrojmë kurrë fytyrën njerëzore të migrimit dhe faktin se, pavarësisht nga kufijtë gjeografikë, ne jemi pjesë e një familjeje të vetme njerëzore”.

Nuk është fjala vetëm për migrantët, nënvizon Françesku, por për ne, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e shoqërive tona. Tek migrantët duhet të shohim njeriun, historinë e tij, pa ndjekur tundimin e sotëm për të mos u marrë seriozisht me asgjë, që na shqetëson e na bezdis sadopak. “T’i trajtojmë të tjerët, ashtu siç do të donim të na trajtonin dhe ta duam të afërmin si vetveten”, pa harruar mikpritjen për të huajin, përmend Papa vlerat ungjillore, të cilat janë edhe vlera universale.

Migrantët i pasurojnë bashkësitë mikpritëse

Nga ana tjetër, vijon reflektimin Ati i Shenjtë, vendet, që i presin emigrantët, nuk kanë vetëm shpenzime për ta, por edhe pasurohen prej tyre.

“Nga njëra anë, në tregjet e vendeve me të ardhura mesatarisht të larta, krahu i punës migrant është shumë i kërkuar dhe i mirëpritur si mënyrë për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore. Nga ana tjetër, - denoncon Papa - migrantët shpesh refuzohen dhe u nënshtrohen kundërshtimeve të shumë prej bashkësive pritëse”.

 Kjo, për shkak të mbizotërimit të interesave ekonomike, vijon Ati i Shenjtë, një prirje, që u theksua gjatë krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19. Shumë nga punonjësit, pa të cilët jeta nuk mund të ecte përpara, ishin e janë emigrantë, por nuk kanë përfituar nga asistenca financiare e shëndetësore dhe nuk kanë mundur të vaksinohen kundër koronavirusit.

Rrugëzgjidhje ligjore për gjendjet jo ligjore

Papa Françesku përvijon katër rrugëzgjidhje nga kjo gjendje. Së pari, dalja me dinjitet nga gjendja e parregullsisë ligjore. “Sa më shumë rrugë ligjore të ketë, aq më pak e mundur do të jetë për emigrantët të tërhiqen nga rrjetet kriminale të trafikut të njerëzve, ose të shfrytëzohen e të abuzohen gjatë migrimit të tyre”. Ligjërisht, ata do të kenë mundësinë të bëhen ajo pasuri, që ndikon - si diasporë – edhe në zhvillimin e vendit nga vijnë. Së dyti, integrimi, vëren Ati i Shenjtë. Ky proces është me dy kahe, pasi presupozon njohjen e ndërsjellë, kërkimin e të drejtave, por edhe respektimin e detyrave. Papa vë në dukje rëndësinë e bashkimit me familjen, të drejtën e njeriut jo vetëm për të emigruar, por edhe për të qëndruar në vendin e vet me dinjitet.

Vendim i vetëdijshëm e jo nevojë e dëshpëruar

Bashkësia ndërkombëtare, kërkon më pas Françesku, duhet të zgjidhë problematikat në zanafillë të migrimit të parregullt, duke e kthyer largimin nga atdheu në një vendim të vetëdijshëm e jo në nevojë të dëshpëruar. Prandaj, udha e tretë për të përmirësuar gjendjen e migrantit, është krijimi i kushteve dinjitoze për jetën në vendin e origjinës. “Migrimi – thekson Ati i Shenjtë – të mos jetë opcioni i vetëm për kë kërkon paqe, drejtësi, siguri dhe respektimin e plotë të dinjitetit njerëzor”. Së fundi, Papa vë në dukje aspektin fetar të pranisë së migrantëve, duke e nxitur Kishën Katolike dhe institucionet e saj “të vazhdojnë misionin e mikpritjes, të mbrojtjes, të promovimit dhe të integrimit të njerëzve në lëvizje”.

29 nëntor 2021, 15:58