Papa Françesku: “Të rinj, rigjejeni në Jezusin guximin për të ëndërruar"

Në Meshën, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e DBR-së dioqezane e të solemniteit të Krishtit Mbret, Papa i nxiti të rinjtë e sotëm “të mbahen fort në këmbë, kur gjithçka merr rrokullimën”, të jenë “ndërtues, në mes të rrënojave; guximtarë, kur duhet shkuar kundër rrymës, pa kërkuar rrugët e shkurtëra, pa gënjeshtra”

R.SH. - Vatikan

E ndoqën plot vëmendje Papën të rinjtë, që morën pjesë në Meshën kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Krishtit Mbret i Universit e me rastin  e kremtimit të Ditës XXXVI botërore të Rinisë, në nivel dioqezan. E dëgjuan Papën, që i ftoi të jenë ëndrrimtarë të guximshëm, të lirë, të vërtetë, të pasionuar për të vërtetën.

Në qendër të vëmendjes, në homelinë e Papës, drejtuar të rinjve, ëndërrimeve e realizimeve të tyre, ishin dy figura, shkëputur nga Fjala e Zotit, që na ndihmojnë t’i afrohemi Jezusit, Mbret i Gjithësisë.

E para, nga Libri i Zbulesës, ajo e ardhjes së lumnueshme të Zotit dhe fundit të historisë, e përshpejtuar edhe nga Danieli Profet. E dyta, ungjillore, Krishti para Pilatit, të cilit i thotë: “Unë jam mbret”.

Papa u ndalua, së pari, tek figura e Jezusit, që vjen me lavdi në fund të kohëve. Duke folur për këtë ardhje, kujtoi se fjala e fundit mbi jetën tonë  do të jetë e Zotit. E Papa e vijoi homelinë me shpjegimin e kësaj profecie shprese, që i ndriçon netët tona. Krishti vjen “me retë” - kujtoi - si të donte të na siguronte se nuk na lë vetëm, kur jeta jonë kërcënohet nga retë e zeza. Se vjen për t’i dëbuar retë, që i kujton edhe Danieli Profet, në emër të dritës.

Më pas Françesku e vijoi homelinë duke iu drejtuar drejtpërdrejt të rinjve, me fjalë plot optimizëm e dritë: “Të dashur të rinj, të shikosh në vegime netësh, domethënë, të kesh sy, që shndrisin edhe në mes të territ, të mos pushosh s’e kërkuari dritën në mes të errësirës që kemi në zemër e ta shikojmë rreth nesh. T’i ngremë sytë nga toka, drejt lartësish, për ta mundur tundimin, që na shtyn të mbetemi të shtrirë mbi dyshmetë e frikës sonë, të mbyllemi në mendimet tona e të qajmë mbi to”.

Këto fjalët e Papës drejtuar çdo të riu, pasuar nga ftesa: “Çoji sytë lart, ngrejhu! Për këtë të fton Zoti e kësaj i bëra jehonë në Mesazhin, që jua kushtova ju, të rinj, për t’ju shoqëruar në udhën e këtij viti. Është detyra më guximtare e më joshëse, që ju  dorëzoj: të jeni në këmbë, kur gjithçka duket sikur po rrënohet; të jeni roje, që dinë ta dallojnë dritën në vegimet e natës; të jeni ndërtues, në mes të rrënojave: të aftë për të ëndërruar. Sepse këtë bën, kush ëndërron: nuk e lë veten peng të errësirës, po ndez një pishtar, një dritë shprese, që kumton lindjen e së nesërmes”.

Dëshroj t’jua them këtë - shtoi akoma Papa- i ndjekur me entuziazëm nga të rinjtë, në Ditën që u përket, ditë ëndërrimi për më shumë dritë: “Ne të gjithë ju jemi mirënjohës, kur ëndërroni: kur e bëni Jezusin ëndrrën e jetës suaj dhe e përqafoni me gëzim, me entuziazëm ngjitës, që i bën mirë gjithkujt”.

Prej këndej, falënderimi i Papës: “Faleminderit, kur jeni të aftë t’i realizoni ëndrrat me guxim, faleminderit për besimin në dritën që keni ndër netët e jetës, për angazhimin e pasionin, për ta bërë më të bukur e më njerëzore botën tonë”.

E akoma: “Faleminderit, kur kultivoni ëndrrën e vëllazërimit, kur i keni për zemër   plagët e krijimit, kur luftoni për dinjitetin e më të ligshtëve e përhapni frymën e solidaritetit e të ndarjes së përbashkët”.

Në vijim të enumeracionit të falënderimeve, edhe një falënderim tjetër, për mbrojtjen e idealeve të mëdha, pa të cilat jeta nuk ka pikë kuptimi: “Mbi të gjitha, faleminderit që, në një botë të shtypur nën thundrën e fitimeve të së sotmes, synon t’ua marrë frymën idealeve të mëdha, ju nuk pushoni së ëndërruari! Kjo na ndihmon ne, të rriturve! E ndihmon edhe Kishën”.

Papa i siguroi të rinjtë se edhe Kisha  ka nevojë të ëndërrojë: “Po, kemi nevojë të ëndërrojmë edhe si Kishë. Kemi nevojë për entuziazmin e për afshin e të rinjve, që të jemi dëshmitarë të Zotit, i cili është gjithnjë i ri!”.

 Ëndërroni ëndrrat e Jezusit për njerëzimin

Një porosi tjetër e Papës drejtuar të rinjve, të cilëve u kujtoi se shumë nga ëndrrat e tyre përkojnë me Ungjillin: ëndrrat për vëllazërim, solidaritet, drejtësi, paqe. Këto janë edhe ëndrrat e Jezusit për njerëzimin. Prej këndej, ftesa: “Mos kini frikë të takoheni me Të; ai i do ëndrrat tuaja e ju ndihmon t’i realizoni”.

E duke folur për ëndrrat rinore, Papa kujtoi fjalët e kardinalit Martini, që theksonte se Kishës e shoqërisë i duhen “ëndrrimtarë, që na mbajnë gati për të papriturat e Shpirtit Shenjt”.

Të  shkojmë deri në fund të fundit, për Mbretërinë e Zotit

Më  pas Papa foli për figurën e dytë, për Jezusin që i thotë Pilatit: “Unë jam mbret”. Të prek vendosmëria e Tij, guximi i Tij, liria e plotë. U arrestua, u çua në prokurori, u muar në pyetje nga njeriu, që mund ta dënonte me vdekje. Në një rrethanë të tillë mund të ishte mbrojtur, mund ta kishte fshehur identitetin e Tij. Po Ai nuk fsheh asgjë. Ka guximin të thotë të vërtetën. “Unë jam mbret”. Erdha për një mision e do ta çoj deri në fund të fundit për të dëshmuar mbretërinë e Atit.

“Një mbretëri të ndryshme nga kjo e botës. Ku Zoti nuk mbretëron me ushtri, me forcë. Mbretëria e Tij është Mbretëri e dashurisë, e atij që dhuron jetën e vet, për shpëtimin e të tjerëve!”.

Liri magjepsëse e quajti këtë Papa: Kështu – kujtoi - në lirinë e Jezusit, gjejmë edhe guximin për të shkuar kundër rrymës: jo kundër ndokujt, siç bëjnë viktimistët e kompllotistët, që e shkarkojnë gjithnjë fajin mbi të tjerët; jo kundër rrymës së sëmurë të vetvetes sonë egoiste, të mbyllur, të ngurtë, por për të ecur në gjurmët e Jezusit: “Ai na mëson të shkojmë kundër së keqes vetëm me forcën e butë e të përvujtë  të së mirës. Pa dredhi, pa gënjeshtra.”

Më pas, thirrja drejtuar të rinjve: “Jini të lirë, të vërtetë, ndërgjegje kritike e shoqërisë! Kini pasionin e së vërtetës, që me ëndrrat tuaja të mund të thoni: jeta ime nuk është skllave e logjikave të kësaj bote, sepse mbretëroj me Jezusin për drejtësinë, dashurinë, paqen”

E në përfundim Papa, duke iu drejtuar të rinjve, uroi që secili prej tyre të ketë gëzimin të thotë: “Me Jezusin edhe unë jam mbret! Jam mbret! Shenjë e gjallë e dashurisë së Zotit, e mëshirës së Tij, e dashurisë së Tij. Jam ëndrrimtar i verbuar nga drita e Ungjillit e shikoj plot shpresë vegimet  e natës. E kur rrëzohem  rigjej në Jezusin guximin për të luftuar e për të shpresuar, guximin për të ëndërruar përsëri. Në çdo moshë të jetës”.

E akoma, porosia: “Jini të lirë, jini të vërtetë, jini ndërgjegjja kritike e shoqërisë. Mos kini frikë të kritikoni! Ne kemi nevojë për kritikat tuaja”. Në përfundim të kremtimit, homazhi i Papës Virgjërës Mari, së bashku me disa të rinj. 

21 nëntor 2021, 13:19